Bota

Gazetari investigativ rus vdes pas rënies misterioze nga dritarja e katit të katërt

Maxim Borodin kishte telefonuar më herët për të thënë se kishte frikë nga mësymja e policisë në shtëpinë e tij. Një aktivist vendas i të drejtave ka thënë: “Kemi një seri ngjarjesh që kanë çuar te një vdekje shumë e dyshimtë.”

Një gazetar i njohur rajonal që investigonte krimin, politikën dhe luftën në Siri ka gjetur vdekjen pasi ka rënë nga dritarja e apartamentit të tij në kat të katërt në Jekaterinburg, qyteti i katërt më i madh rus.



Maxim Borodin, 32 vjeç u gjet nga fqinjët në rrugë jashtë apartamentit të tij, ditën e premte. Ai vdiq në spital, dy ditë më vonë, pa u përmendur kurrë.

Borodin ishte i njohur për gërmimin në botën e fshehtë kriminale të Jekaterinburgut. Ishte mes atyre që nxori historinë e vdekjeve të paraportuara në ushtrinë fantazmë të Kremlinit që lufton në Siri. Ai ka botuar gjithashtu investigime në të drejtën fetare të Rusisë dhe protestat e dhunshme rreth “Matildës:, një film blasfemues që portretizon një lidhje dashurie mes Carit Nikolla II dhe një balerine të re.

Si një prej shumë pak zërave investigativë në rajon, Borodin shpesh ndiente peshën e pakënaqësisë së zyrtarëve dhe kriminelëve. Vetëm dy javë më parë, ai ishte në kujdes intensiv me një dëmtim të rëndë në kokë. Dhe në tetor, ai u godit në kokë me një tub metalik – ai e lidhi këtë sulm me punën e tij në mbulimin e protestave të Matildës.

Policia thotë se nuk ka shenja të hyrjes me dhunë në apartamentin e tij dhe se dera ka qenë e mbyllur nga brenda. Por miqtë dhe kolegët kanë thënë se dyshojnë mbi rrethanat e vdekjes së tij.

Vyacheslav Bashkov, një aktivist vendas i të drejtave, ka thënë për The Indipendent se Borodin e kish telefonuar herët në mëngjesin e 11 prillit. Gazetari i frikësohej një mësymjeje nga policia.”, ka thënë Bashkov. Një grup njerëzisht me maska dhe uniforma ishin pozicionuar në oborrin e tij dhe ai mendonte se ishte shënjestra.

“Çdo gazetar i angazhuar në punë të rrezikshme ka një listë numrash për të telefonuar nëse e gjejnë veten në telashe dhe Maxim kishte timin”, ka thënë Bashkov. “Ai mendonte se do të isha në gjendje t’i gjeja një avokat.”

Një orë më vonë, gazetari telefonoi sërish për të thënë se burrat ishin zhdukur dhe se nuk kishte më nevojë për një avokat.

Bashkov nuk mendoi më rreth telefonatës, deri dy ditë më vonë kur lexoi mbi gjendjen e Borodin.

Ai shkoi menjëherë në stacionin e policisë për të dhënë një deklaratë, por nuk u prit me entuziazëm. “E lashë stacionin me përshtypjen se ata më donin jashtë sa më parë.”

Botuesi i Novy Den, gazeta për të cilën kish punuar Borodin, ka thënë se gazetari nuk kishte motiv për vetëvrasje. Duket si një “aksident tragjik”, ka thënë Polina Rumyantseva – por ajo nuk do të qëndrojë e heshtur nëse do të kishte gjurmë të një vrasjeje.

Bashkov ka ngulmuar se shpjegimi më i dukshëm i vdekjes ka qenë aktiviteti profesional i gazetarit.
“Kemi një seri ngjarjesh që kanë çuar në një vdekje shumë të dyshimtë”, ka thënë ai.
“Policia duhet të bëjë gjithçka ka në dorë për të investiguar, por nuk janë duke e bërë.”
Policia ka thënë se nuk po e trajtojnë vdekjes si të dyshimtë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas