Aktualitet

Gati për pasurimin e uraniumit! Irani me sytë nga BE për marrëveshjen

Pas tërheqjes së SHBA-së, Irani shpreson ende që pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar që nënshkroi marrëveshjen e 2015-s për programin e tij bërthamor t’u qëndrojë zotimeve të hedhura e bardha mbi të zezë.

Por, Teherani nuk kërkon që të kapet i papërgatitur dhe këtë të martë njoftoi se ka nisur punën përgatitore për të vijuar pasurimin e uraniumit, nëse ndodh që vendet e BE-së tërhiqen nga ujdia.



Kreu i agjencisë bërthamore iraniane u tha gazetarëve në Teheran se po ndërtohej infrastruktura për të ndërtuar centrifugat e gjeneratës së katër, më të avancuarat që vendi zotëron, në centralin e Natanzit.

Agjencia shton se për këtë ka informuar formalisht Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, që vepron nën patronazhin e OKB-së.

Çfarë synon Irani që të arrijë me këtë? Centrifugat e reja do t’i mundësonin Republikës Islamike që të prodhonte më shumë uranium hekzafluorid, një përbërës thelbësor në pasurimin e tij.

“Nëse marrëveshja bie, e theksoj, nëse marrëveshja bie, do të ngremë për 6 muaj centrifugat e reja. Në kushtet e marrëveshjes, këto centrifuga do të ndërtoheshin për 5-6 vjet.

Jemi vënë në lëvizje pas udhëzimeve të dhëna nga Ajatollahu Khamenei, por e theksoj edhe njëherë se aktualisht po veprojnë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar”,- deklaroi kreu i Agjencisë Bërthamore Iraniane, Ali Akbar Salehi.

Por a e lejon marrëveshja këtë? Salehi këmbëngul se po. Sipas paktit të nënshkruar tre vite më parë, Irani lejohet të pasurojë uraniumin deri në 3.67 për qind, shumë më pak se 90 përqindëshi që kërkohet për ta shndërruar atë në një material vdekjeprurës në masë.

Në këmbim të kësaj, Teherani përfitoi lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare, ndërsa këmbëngul se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas