Kryesore, Mapo Letrare

Gara e katër autorëve të rinj për çmimin “Kadare”

Loer Kume, Rudina Çupi, Sokol Thana, Alion Çaçi, katër autorët e rinj që garuan për çmimin “Kadare” tregojnë raportin e tyre me shkrimin dhe si e shohin terrenin letrar në vend

Alion Çaçi: Mbi Tregime të rinisë, çmimin “Kadare”, letërsinë dhe botimin



Pas katër vjetësh në të shkruar humor, kryesisht në shfaqje televizive, “Tregimet e rinisë” është përpjekja ime e parë për të publikuar shkrime që nuk kanë qëllim të përcjellin të qeshura. Ky libër është një përmbledhje tregimesh me një lidhje të vetme midis tyre: njërin prej personazheve i cili, në të shumtën e rasteve është dytësor, por edhe thjesht kalimtar.

Historitë nuk janë të vërteta, por kanë një shkas të vërtetë. Personazh apo histori, të paktën një grimcë e asaj që shkruhet, ekziston apo ka ngjarë në jetën time apo dikujt tjetër.

Unë nuk kisha qëllim të shkruaja një libër. Kisha disa histori që doja t’i shkruaja, të cilat padashje, formuan një libër me tregime. Nuk ka asgjë të veçantë në të. Çdo gjë është e zakonshme, e ndodhshme, njerëzore. Jam përpjekur t’i rrëfej sa më thjesht. Ashtu siç një nga shkrimtarët e mi të preferuar këshillon: “Shkruaj saktë dhe pastër për atë që të vret më shumë”. Në thelb, të gjitha historitë kanë të vërtetën e hidhur.

Shpurja e librit në konkurs për çmimin “Kadare”, ishte mendim dhe vendim imi. Ishte shpalosja e parë që unë u bëra tregimeve të plota. Kërkoja një sprovë, një ballafaqim me jetën reale. Njësoj si një inxhinier që ka mësuar shumë gjëra në teori dhe tani i ka ardhur momenti të ndërtojë diçka mbi tokë. Ishte padyshim sfiduese të viheshe krahë emrave më të mëdhenj se mua në moshë dhe përvojë.

Për mua letërsia duhet të jetë pasqyrë. Jo e së vërtetës, për atë është gazetaria. Letërsia duhet të jetë pasqyrë për mendimet e njerëzve. Kur dikush lexon, e gjen veten në një përshkrim, në një kapitull apo thjesht në dy fjali. Ato dy fjali janë portkalimi i lexuesit me shkrimtarin. Është sikur lexuesi t’i thoshte: “Të kuptoj, kështu jam dhe unë” dhe aty letërsia e ka kryer funksionin e saj. Ka depërtuar retinën dhe ka goditur shpirtin dhe trurin.

Ndër shkrimtarët e mi të preferuar, të cilëve u kam lexuar shumicën e veprave, janë Sartre, Kadare, Hemingway, Fitzgerald. Gjithashtu gjej tërheqës tregimet e Buzzat-it dhe disa të Paul Auster. Esetë dhe historitë e Camus mbi njeriun, lirinë dhe ekzistencën më kanë bërë të reflektoj. Me thënë të drejtën, me rusët nuk e kam gjetur kurrë gjuhën, përveçse me Gogolin. Por të mos harroj kryeveprarët si Thoreau, i cili ka shkruar atë që për mua është Bibla dhe Kurani: Walden-in.

Pra, më pëlqen shkrimi i zhvilluar përtej poezisë. Jo se kjo e fundit s’më pëlqen, por s’më duket e mjaftueshme. Është si ata njerëzit që marrin qentë në makinë dhe i braktisin në mes të autostradës. Jo! Unë dua që shkrimi të më marrë dhe të më shpjerë aty ku kishte ndërmend të më çonte që në fillim kur më birësoi.

Për t’iu rikthyer tregimeve të mia të rinisë, kam nisur të bëj përpjekjet për botim. Këtë të fundit, e shoh më shumë si një detyrim tashmë që librin e kam shkruar. Është sikur duhet ta kem të botuar, “libri më thërret”. Kam vënë re që vitet e fundit nuk kanë nxjerrë shumë shkrimtarë. Shumë më pak se shekulli i kaluar. Nuk janë më kohërat kur qarkullonin fjalë si “Keni dëgjuar për një farë Great Gatsby? Thonë që po bën namin në Europë!”. Edhe ata pak libra që tani bëhet të shumëshitur, janë kryesisht limonadë. Të shkruar posaçërisht për të qenë të tillë. Nuk dua të fyej askënd, por limonada i përket televizionit, ndaj unë në televizion bëj humor. Letërsia nuk duhet ta humbasë qëllimin e saj: edukimin. Ne nuk duhet t’i shkojmë publikut pas fijes. Aq më pak ta përziejmë letërsinë dhe të konsiderojmë art disa fraza boshe nëpër rrjete sociale. Jo! Shkrimtari duhet të punojë. Të ketë disiplinë dhe kurajë të thotë sa më qartë, sa më shumë gjëra të mundet. Unë nuk dua që libri im të jetë i shumëshitur. Dua thjesht që, aq pak sa do e lexojnë, të gjejnë veten.

 

Sokol Thana: Historia e një dorëshkrimi

Shkrimi i një vepre vjen me një ndjesi të rrallë, e cila të jep impulse të reja jete dhe sheh të vërtetën se si rreh dhe djersit muskujt e saj për një të ardhme më të mirë. Nga ana tjetër sheh qartë se si paqëndrueshmëria e anës së errët të medaljes fillon dhe shkërmoq realitetin duke tradhtuar dhe veten për të qëndruar sa më gjatë në pushtetin e së parës (së vërtetës). Dorëshkrimi Guvernatori i shtëpisë së vogël erdhi në jetë si një proces natyrshëm duke goditur çdo manipulim dhe krijim përgjatë procesit të vjedhjes së historisë. E dija që historia dhe librat e historisë do të më ndihmonin të arrija në pikën kyçe ku unë desha ta çoja veprën: Të arrijmë të shohim atë çka shitet si diçka që është shitur 100 herë përgjatë historisë me çmime të ndryshme. Kur rashë në gjurmët e librit Uomini e Storia vol. 3, vërejta magjinë që historia shkruan përgjatë viteve. E drejta që ajo mbron është pikësynimi i gjithçkaje. Mirëpo të tregosh nëpërmjet historisë është njësoj sikur ta kopjosh. Më duhej diçka që ta bënte veprën ndryshe dhe të paparashikueshme. Fillova të shkruaja rreshtat e parë si të isha në një shfaqje Broduej apo teatër grek dhe aty kuptova që isha në gjurmët e duhura. Vendosa të studioja rreth të panjohurave shkencore dhe atyre të mbinatyrshme, pasi kuptova se nëse do të rrëfesh duhet ta bësh rrëfenjën intriguese dhe frymëmarrëse. Vendosa të rrëfej historinë e Guvernatorit të shtëpisë së vogël nëpërmjet tregimit të një profesori historie, i cili e vendos auditorin e tij në ngjarje historike duke u munduar të shpjegoj pse situata e tyre shoqërore, ekonomike, politike nuk ka ndryshuar përgjatë këtyre dy shekujve. Në atë auditor teatral vendoset në skenë shfaqja me aktorë, të cilët luajnë pjesët e tyre duke e lënë auditorin në suspancë të vazhdueshme dhe në kërkim të vazhdueshëm për të zbuluar se kush është fajtori për gjendjen që është krijuar. Investigimi i çështjes kthehet në çështjen kryesore, ku njeriu që përfaqëson auditorin vihet në kërkim të së vërtetës. Ne jemi qenie në nevojë për përkrahje, pasi ndryshe nuk jemi munduar të bëjmë. Ëndërrojmë të shohim majat e maleve pa e ngjitur malin. Dhe kjo është një ndër arsyet e pakta dhe të vërteta pse ne dështojmë në kërkimin tonë. I çfarëdollojshëm qoftë ai kërkim. Harrojmë se nuk është faji i të varfrit pse ngelet i varfër ashtu si besohej në kohën e Pierino Qelbanikut. Në kohën e tij besohej se të varfrit nuk i mposhtnin dot instinktet bazë, prandaj ishin të varfër. Harxhonin të gjitha “kursimet” që kishin. Gjithçka është në sinkron me të vërtetën. Gjithçka. Mjafton që ne të dimë të lexojmë historinë tonë. Personazhet, të cilët flasin në këtë vepër janë ndërtuar me qëllimin e vetëm për të ndalur duke mos zvogëluar shpejtësinë për asnjë çast. Për t’i kapur duhet të shtypni gazin deri në fund. Besoj se çasti i krijimit ndodh atëherë kur realiteti dhe imagjinata takohen. Merrni Big Bangun. Realiteti: Zbrazëtirë. Imagjinata: U bë dritë. Aty ku shkenca interpretohet nga letërsia ekziston një mundësi e rrallë për të parë në zgavrën e së vërtetës. Shkruaj, sepse besoj te letra. Është një ndjesi, e cila acaron gënjeshtrat e thëna kudo dhe fillon e sjell dhe nuk harron të vërtetën. Qëllimi i çdo vepre të mirë nuk duhet të jetë qëmtimi i fundit, por dërgimi drejt tij në mënyrën më elektrizuese dhe argëtuese është detyrim. Këtë jam munduar të bëj, pasi lexuesi nuk e ka marrë borxh kohën e tij për të lexuar veprën time. Mendoj se për të shkruar duhet të kesh lexuar shumë. Autorët, të cilët ndihmojnë shkrimin tim, janë Umberto Eco, Victor Hygo, Tolstoi apo Remark e Camy. Poezia e Maya Angalou është e një tjetër dimensioni, tek i cili shndrit ndjesitë më të mira. Megjithatë shkrimi im gjen vlera aty ku vlerat ndërtohen: në mishin, gjakun dhe ndjesitë e emocionet e njerëzve të vërtetë. Ata të cilët rëndom quhen njerëz të zakonshëm, për shkak të panevojës së tyre për të qenë në qendër të vëmendjes për gjëra të kota. Ata të cilët luftojnë për të mirën e të panjohurit janë për mua të denjë për të shkruar rreth dhe përqark tyre. Ata të cilët mbrojnë historinë dhe luftojnë për një histori më të mirë sociale ekonomike, politike apo çfarë do lloj qoftë janë të denjë për të qenë të ftuar në tempujt e historisë të shkrimit.

 

Rudina Çupi: Çmimi “Kadare”, sfida ime me prozën

E pakryera është kohë e poetëve. Ky varg, që e kam pikasur tani vonë, e shpreh më së miri ngucin prej shkrimtari për të shkruar. Fundja, a nuk janë njerëzit folje, që varen nga koha e vet(j)a?! Unë dhe letërsia kemi qenë gjithnjë dy format e një foljeje të parregullt, si vij dhe erdha, që shprehin të njëjtën gjë, por që nuk kanë të njëjtën rrënjë. Ndaj, për të rrokur përmbajtjen brenda meje, jam rrekur të shprehem në disa forma letrare, fillimisht me poezinë (janë katër libra: Mos ma kujtoni vdekjen, 1993; Shkopsitje 2006; ®, 2010 dhe © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara, 2017), e së fundmi me prozën, Shenjat e pikësimit (roman për lexuesin), me të cilën konkurrova sivjet në konkursin “Kadare”. Pjesëmarrja në këtë konkurs për mua ishte një sfidë për t’i pohuar vetes se mund ta lëvroja edhe prozën, e cila gjithnjë më është dukur një gjini e vështirë, për të cilën duhet të kesh aftësi prej minatori të gërryesh një mal për të përftuar fare pak mineral. Në fakt, prej punës së gjatë si redaktore, kam kuptuar se lexuesi i një dorëshkrimi është si “mamia” e veprës dhe është shumë i vyer për shkrimtarin (po aq dhe redaktori). Ndaj e vlerësoj shumë faktin që si kriter të këtij konkursi keni vënë pikërisht vlerësimin në dorëshkrim dhe jo të një vepre “të bërë” dhe, po ashtu, që këta lexues dorëshkrimesh janë profesionistë dhe me këndvështrim kritik, gjë që një shkrimtar nuk mund t’i sigurojë lehtë në rrugë të tjera.

Ajo që më shtyu drejt prozës ishte pikërisht poezia, pasi duke u zhvilluar nga libri në libër, vura re se sa m’i kishte ikur lirizmit të lulëzuar me metafora drejt lëvizjes dhe foljeve, pra, drejt rrëfimtarisë. Kështu, Shenjat e pikësimit (këto qenie të vogla frymimi) lindi si një sprovë në gjininë e shkurtër (madje tregimi me të njëjtin titull u botua në gazetën Mapo), por gjatë punës prej pesë vjetësh, tregimet e tjera ishin vijimësi e të parit, çka bëri që këto proza të shkurta të lidheshin për të ndërtuar një roman. Sidoqoftë, poezia është ende maja e rrumbullakët e stilolapsit, nga e cila nëpërkalon boja kur shkruaj, çdo gjë që shkruaj. Gjurmët e forta poetike e kanë ndikuar këtë prozë jo vetëm në gjuhë, por edhe në përmbajtje, pasi historia është në periferi (një histori ironie mes shkrimtares dhe personazhit-lexues, e cila, që të shkruhet, duhet të mbajë larg njërin prej tyre; histori reale që diktohet prej dinamikës letrare: zhvillimit, pikës kulmore dhe zgjidhjes); ndërsa në qendër vërtitet një tango mes reflektimit dhe meditimit, për dilemat, hamendjet, mëdyshjet, dyshimet, këndvështrimet dhe sidomos për sfidën e një gruaje për të bërë diçka, e të mos pranojë të qëndrojë në pozitat e pashmangshme të një Madamë Bovarie. Personazhet nuk kanë emra të përveçëm, janë thjesht përemra: ka një UNË, një TI, disa AI, disa AJO, një NE, JU e ATA/ATO … ashtu siç zakonisht i ka dhe poezia.

Sidoqoftë, çfarëdo forme të ketë krijimi letrar, mbetet një rrëfim i brendshëm, i tërhollur si një hardhi, që ka nevojë për hurin e ngulët të realitetit, por ama gjethet i harlis në ajër, në trillim, për të përthithur sa më mirë të gjitha rrezet e kënaqësisë, që vera që del prej vileve të saj të rrushit t’i ketë të gjitha shijet që i duhen një pijeje shpirti.

Aktualisht jam zhytur në letërsinë për fëmijë, lexoj libra bashkëkohorë dhe klasikë të dikurshëm, jam duke përkthyer disa prej tyre dhe uroj së shpejti të botoj librat për fëmijë që kam në sirtar … dhe them se kjo botë kaq e bukur plot fantazi, thjeshtësi, befasi dhe humor, është rritje për mua dhe e përmbush më së miri rrugëtimin tim letrar.

 

Loer Kume: Katër problemet e letërsisë shqipe

Letërsia shqipe vazhdon të zhvillohet çdo dite e çdo fletë më shumë nëpër betejat e xhunglës kur ne jetojmë, është sfidë padyshim të merresh me art të vërtetë në këtë kohë, por letërsia është një motor që nuk ndalon dot. Sidoqoftë është e vështirë në terrenin shqiptar e në sferat artistike shqiptare, ku gjithkush është armik me gjithkënd. Dhe ku unë edhe pas dy veprash si LUX në 2011, dhe Histori e shkurtër e rrëmujës në 2017, të botuara suksesshëm, të dashura për lexuesit, e gjej veten sërish nga fillimi në çdo gjë që sipërmarr. Një fillim që s’ka fund kurrë. Një gavetë e pafund në botën e xhunglës letrare shqiptare. Për të cilën për të qenë i vërtetë e besnik me veten duhen thënë dy fjalë. Letërsia shqiptare ka katër probleme kryesore.

1.Lexuesit. Në tre milionë shqiptare, janë treqind mijë që lexojnë më shumë se një faqe gazete. Janë tridhjetë mijë që lexojnë mbase pesë libra në vit. Janë tre mijë që lexojnë letërsi. Më së shumti rastësore. Janë në fund fare, treqind që lexojnë letërsi të mirëfilltë, janë të orientuar, e kanë kërkesa. Pra nuk kemi lexues. Dhe mos guxojë kush të thotë që leximi kalon krizë në tërë botën, sepse bota është aq e madhe, e duhet të jesh shumë injorant e mos kesh dalë kurrë nga kufijtë e vendit që të shohësh njerëz të çdo moshe që shëtisin me libra në duar, e lexojnë kudo në çdo cep ku ndihen rehat.

2. Nuk kemi lexues sepse shtëpitë botuese me përjashtim të dy a tre syresh, ndjekin parime mizerje të botimeve, e sidomos të përzgjedhjes së letërsisë shqiptare të botuar. Pra, paguaj, të botohesh. Kështu shtëpitë botuese e anojnë tregun e librit nga lekët e marra nga dhjetëra njerëz dhe dëshirat e tyre naive për të qenë të botuar, në vend që si në çdo biznes tjetër, të krijojnë linjë prodhim produkt shitje. Dhe të bazojnë fitimet në shitjen e librave. Në punën time si dentist, dhe në tërë biznesin tonë ndjek një parim thelbësor, për të qenë në treg duhet të jesh konkurues, shumë i mirë në atë që bën, dhe t’i vësh njerëzit në dije për shërbimet dhe të mirat që ti ofron. Shtëpitë botuese shqiptare kanë një aparat fare primitiv në qasjen e lexuesve me autorët shqiptarë. Pra produktin e tyre nuk dinë ta ofrojnë më së shumti kur e bëjnë në mënyra aq evazive dhe qesharake sa unë si lexues kam vetëm reagimin e lëkurës së patës dhe dëshirën për t’u ndenjur larg këtyre autorëve. Gjithashtu shtëpitë botuese nuk kanë as shërbimin e editimit të librit. Po sigurisht, pse ta kenë, kur burimi i të ardhurave është jo lexuesi por autori. Editimi i librit është procesi që farkëton ngrehinën letrare të çdo vendi. Është thuajse detyrim kombëtar te kujdesesh në të tillë mënyrë për letërsinë.

3. Konkurset letrare dhe kritika letrare. Personalisht nuk besoj që konkurset letrare me ndonjë përjashtim ekstremisht të rralle, janë meritative. Konkurset letrare janë pseudo mbledhje, shfaqje qesharake tashmë, ku veprat nuk lexohen, çmimet jepen në tavolina dy lekëshe, ku njerëzit e artit dhe të kulturës e të dijes intelektuale shiten shumë lirë. Shumica e tyre pa dinjitet. Këtë gjë e kam vërejtur nga afër. Kritika letrare, në më të shumtën e rasteve punon me njohje, miqësi, favore e shlyerje favoresh, hatëre të kryera, e hatëre të mbetura. Kjo sepse ne ende si shoqëri jemi të çoroditur në hibridizimin e ekonomisë nga konceptet komuniste në ato kapitaliste e nuk dimë si të sillemi. Nuk dimë të paguhemi dhe paguajmë për shkëmbimin e shërbimeve. Sfera letrare është shembulli më i mirë i këtij hibridizimi shterpë.

4.Kemi dhe problemin e vetë shkrimtarëve shqiptarë, që shkruajnë e s’dinë ç’të shkruajnë. Vuajnë nga izolimi shprehimor, mendojnë si do bëhen të lexueshëm për shumë njerëz, e nuk shkruajnë atë që u vjen, por shkruajnë atë që u dikton tregu. Po c’treg? Një treg inekzistent, dhe i sëmurë në atë fije ekzistence që ka. Shkrimtarët shqiptarë që shkruajnë si skllevër në gjendje lirie. Mbase te vetmit në botë. Me subjekte që fshehin thellë dëshira primitive e fetishe politike. Këto katër probleme ndjekin njëri tjetrin si gjarpri qe kafshon bishtin e tij, duke prodhuar asgjë veçse energji negative. Dhe këtu në këtë mes gjendemi ne të tërë, në anën e errët të forcës. Kemi shtëpi botuese që shesin botimin në vend të shesin librat, kemi kritikë që paguhen nga burime okulte, ose shiten për dy lekë në vend të shesin shtrenjtë aftësitë e tyre analitike. Kemi shkrimtarë që s’dinë ç’të shkruajnë e ç’të paguajnë më parë. Kemi lexues të çoroditur që të gënjyer nga letërsia komuniste e dogmat e trasha, të gënjyer nga letërsia postkomuniste me akuzat po ndaj komunizmit, shumë shpesh nga ish komuniste, të gënjyer nga botuesit, të gënjyer nga kritikët, të gënjyer nga konkurset, e kështu nuk duan t’i shohin surratin e as t’i dëgjojnë emrin letërsisë shqiptare. Po kush e krijon ketë energji të errët ku gjendemi të tërë të kapur brenda? Ne një biografi për Aleksandrin e Madh, është një kalim që tregon si Filipi i II, ndërsa festonin një fitore, i pirë, kap dhe përdhunon njërin nga shërbyesit aty mbi tavoline pa asnjë lloj problemi e pa habitur askënd. Dhe lind natyrshëm pyetja, ç’bëhet me shërbëtorin më pas? Si ndjehet ai? I cenohet dinjiteti atij? Si shkon jeta e tij më pas? Me shumë mundësi ai vazhdon jetën pa kokëçarje, me pak dhimbje, por gjithçka në rregull. Sepse është e zakonshme që të të kapë të ta mbështjellë mbreti, dhe koncepti i dinjitetit është shumë abstrakt dhe inekzistent. Me kalimin e 2000 viteve të fundit, dinjiteti i njeriut është bërë gjëja më e shenjtë që dikush ka. Më e shenjtë dhe se perëndia për besimtarët, sepse pa dinjitet nuk mund t’i shkosh as perëndisë para. Dinjiteti është thelbi më i thellë modern i njeriut. Kjo anë e errët e forcës ku ne gjendemi, vjen pikërisht nga mungesa e dinjitetit. Mercenaria intelektuale shitet e blihet shumë lirë (jo domosdoshmërisht me para) Filipët e çfarëdolloj forme zgjasin duart e kapin intelektualët shërbëtorë, i përdorin shumë lirë dhe i flakin. Por intelektualët, përfshirë këtu botues, kritikë, shkencëtarë të mendimit, qokaxhinj, ustallarë, finokë, sekserë, nuk kanë me as dhimbje. Sepse për të ndjerë dhimbje duhet të kesh dijeninë që ta kanë mbështjellë Filipët. Pra, në fund të tunelit, ana e errët e forcës, dhe humbja e dinjitetit vijnë pikërisht nga mosdija. Nga injoranca. Vetëm injoranca ekstreme mund të prodhojë të tillë situatë ku gjendemi ne sot. Është e vërtetë që jemi një vend i pasur plot me njerëz të varfër, por dinjiteti e tejkalon urinë kudo, përveçse në Shqipëri. Në vendin tonë dinjitetin e komandon buka. Kjo sepse gjithçka dirigjohet nga injoranca. Duhet vetëm pak sforco, për të lexuar pak më shumë, qoftë dhe duke ngrenë më pak.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas