Aktualitet, Kryesore

Fundi i biznesit “skllavërues”: Kompanitë shqiptare, që paguajnë pak, nuk po gjejnë më punonjës

Fabrikat e tekstileve dhe këpucëve po përballen me një hendek të fuqisë punëtore. Numri i kontratave të reja po rritet, por gjetja e punonjësve të rinj është vështirësuar. “Dembelizmi” i kompanive që nuk kanë tentuar të mbyllin ciklin dhe të rrisin vlerën e fitimeve bashkë me mungesën e politikave lehtësuese qeveritare do të kushtëzojë rritjen e qëndrueshme të sektorit. Konkurrenca brenda vendit nga call center dhe emigracioni kanë ndryshuar preferencat e të rinjve shqiptarë per fabrikat. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të konkurrojë më me avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore. Nevoja për të kaluar në një fazë tjetër…

Nga Blerina Hoxha, Monitor



Epokës së “skllavërimit” në fabrikat e fasonit, të njohura si rrobaqepësitë që mbarojnë porositë për të huajt, duket se i ka ardhur fundi. Bizneset shqiptare të fushës, nuk e kanë shfrytëzuar përvojën e tre dekadave për të mbyllur ciklin dhe për të rritur vlerën e fitimeve, teksa pretendimet e të rinjve shqiptarë shkojnë përtej një page mujore 25 mijë lekëshe dhe një pune stërmunduese në fabrika.
Bizneset e sektorit në të gjithë vendin nga Shkodra në Gjirokastër kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi. Këtë e ka treguar edhe rritja e eksporteve në sektor, me 16 dhe 10% në dy vitet e fundit, por nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë.

Jozef Bazhdari, drejtori i prodhimit në Bella Confex në Shkodër, një ndërmarrje me traditë në sektor, pohon se po has vështirësi për të gjetur punonjës. Zoti Bazhdari thotë se ka nisur kërkimet deri në rrethinat e Lezhës, edhe pse fabrika është në mes të qytetit të Shkodrës. “Po i mbuloj kostot e transportit. Edhe pagat i kam rritur. Jap pagesë minimale 1200 lekë në ditë, ndërsa maksimalja i kalon 1700 lekët. Megjithatë, interesi për të punuar ka rënë”, pohoi ai.

Të njëjtën situatë referojnë edhe rreth 20 fabrika të pyetura në qarqet kryesore të vendit, Korçë, Tiranë dhe Durrës, Berat, Shkodër, Fier etj., duke dhënë alarmin se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon të zgjerohen dhe po rrezikon qëndrueshmërinë e aktivitetit në të ardhmen.
Sipas të dhënave nga anketa strukturore e ndërmarrjeve, fabrikat e tekstilit dhe këpucëve punësuan 46 mijë persona gjatë vitit 2016 me një rritje vjetore 14%.

Po nga ana tjetër sektori ka kapacitete të zgjerohet gati me 50% në numër punonjësish. Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2017 grumbulloi nga bizneset rreth 48 mijë oferta për punë. Gjysma e tyre, më shumë se 25 mijë, u përkasin fabrikave të fasonit. Mirëpo nëse fasonët nuk synojnë të diversifikohen dhe të mbyllin ciklin, do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përmbushin nevojat me kushtet që ofrojnë sot, teksa lëvizja e lirë dhe konkurrenca që po krijohet brenda vendit nga Call Center do ta shterojnë fuqinë punëtore për fabrikat. Me këto zhvillime, Shqipëria po humb konkurrueshmërinë, ku fasoni u zhvillua për shkak të kostove të lira të fuqisë punëtore, kundrejt një pune artizanale për të cilën sot vendet e zhvilluara paguajnë shumë.

Flamur Hoxha, i cili për shumë vite ka drejtuar Shoqatën e Prodhuesve të Veshjeve, pohoi se mosmirëmbajtja e fuqisë punëtore është sfida më e madhe me të cilën do të përballen bizneset. Vite më parë, fasonët duhet të kishin menduar të krijonin ciklin e mbyllur për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës me pagat. Zoti Hoxha thotë se ka ardhur koha për ridimensionim të pagesave në sektor edhe pse, nga ana tjetër, vendi humb konkurrueshmërinë në këtë pikë, e cila deri më tani ka ndikuar në zhvillimin e tij.

Të dhënat e përpunuara nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve tregojnë se të ardhurat nga shitjet e njësive të tekstilit dhe këpucëve janë rritur me rreth 60% nga viti 2010 deri më 2016, ndërsa pagat vetëm me 20%. Paga mesatare në sektorin e fasonit ishte 30.5 mijë lekë, ose 230 euro në vitin 2016, nga rreth 20 mijë lekë që ishin në vitin 2010. Sipas të dhënave zyrtare, kostot e punës zënë rreth 35% të shpenzimeve të fasonit, edhe pse shoqatat kanë artikuluar se ato zënë mbi 70% të tyre. Shpenzimet për pagat në sektorin e industrisë zënë mesatarisht 10% të totalit të shpenzimeve.

Por industria shqiptare e fasonit ka mbetur për tre dekada me radhë nën frenat e dembelizmit, duke bërë vetëm disa procese pune që kërkojnë italianët, duke mos tentuar të mbyllin ciklin e të dalin në tregje të pavarur, sikurse po bëjnë Maqedonia dhe Serbia. Pagat mesatare në sektorin e tekstilit në Serbi dhe Maqedoni janë 350-500 euro, ndërsa në Shqipëri, paga mesatare është vetëm 230 euro.

Fasoni zgjerohet me 60% në 5 vjet, pagat më pak

Sektori i fasonit është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Në vitin 2010, të ardhurat nga shitjet në total, sipas raportimeve zyrtare në INSTAT, ishin 26,6 miliardë lekë. Gjashtë vite më pas, në fund të vitit 2016, xhiroja e sektorit arriti në më shumë se 44 miliardë lekë, me një rritje gati 60%.

Po në këto shina ka ecur dhe rritja e numrit të punonjësve. Në vitin 2010, në fason ishin të punësuar zyrtarisht rreth 25 mijë persona, ndërsa në vitin 2016 ishin të aktivizuar rreth 46 mijë persona, me një rritje më shumë se 62%. Rritja e shitjeve ka shkuar në proporcion të drejtë me rritjen e numrit të të punësuarve por, nga ana tjetër, rritja e pagave ka ecur me ritëm më të ngadaltë.

Në vitin 2016, shpenzimet mesatare neto në sektorin e fasonit ishte rreth 25 mijë lekë, ose gati 72% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi që, në vitin 2016, arriti në 45 mijë lekë.
Në industrinë shqiptare të fasonit, pagat janë më të ulëta se fqinjët, gati sa gjysma e atyre që ofrohen në Mal të Zi dhe Serbi, dy vende ballkanike që kanë aplikuar një strategji të mirëmenduar për zhvillimin e sektorit, duke pranuar vetë investime me ciklin e mbyllur dhe për marka të njohura si Pompea dhe Geox. Ne Maqedoni paga mesatare ne sektor shkon ne mbi 500 euro sipas te dhënave te agjencisë së statistikave në Maqedoni. Ndërsa sipas te dhënave zyrtare ne Serbi paga mujore per nje punonjës ne fason shkon 300-500 euro.

Biznesmeni Hoxha, i cili drejton kompaninë e prodhimit të veshjeve KLER, thotë se jemi ende në kohë për përmirësim. Ai pohoi se Shqipëria e ka të lidhur tregtinë e fasonit me vendet e zhvilluara të BE-së që janë një burim i besueshëm për të bërë shitje me vlerë të shtuar. Zoti Hoxha tha se, ka krijuar ciklin e mbyllur të prodhimit të këmishave për tregjet e Europës, çka i ka dhënë mundësi atij të gjenerojë paga më të larta për të mirëmbajtur dhe për të shtuar fuqinë punëtore.

Konkurrenca nga Call Center

Para një dekade, në dyert e rrobaqepësive kishte gjithmonë gra që interesoheshin për punë, edhe pse paga, sot e asaj dite, siguron vetëm mbijetesën. Për të femrat e viteve 1990, të mësuara me kulturën skllavëruese të kooperativave bujqësore të monizmit, zhvendosja në fabrika ishte një zgjidhje e mirë, sidomos për ato që u zhvendosen nga rrethet drejt Tiranës. Migrimet masive trefishuan popullsinë në rajonin Tiranë-Durrës, duke krijuar një mbiofertë për punë, duke bërë që industria e fasonit të lulëzojë kundrejt pagesave të ulëta.

Pas vitit 2000, kushtet ndryshuan. Ekonomia kaotike e tregut nisi të strukturohej, kur në Shqipëri filluan zhvillimet e vrullshme në sistemin bankar dhe telekomunikacione. Nga gjeneratat e lindura pas viteve 1990, të rinjtë e sotëm kanë pretendime të tjera, që tejkalojnë pagesat dhe kushtet që ofrojnë rrobaqepësitë. Teksa një lloj fasoni tjetër, Call Center, ofrimi i shërbimeve dhe konsulenca për kompani të huaja ka orientuar forcën e punës drejt tij, duke u shndërruar një konkurrent i fortë ndaj fabrikave. Në sektorin e Call Center, aktualisht janë të punësuar mbi 25 mijë persona. Falë zotërimit të një gjuhe të huaj dhe aftësive komunikuese, të rinjtë e sotëm janë punësuar masivisht në Call Center. Paga mesatare në këtë sektor, sipas INSTAT, është 70 mijë lekë në muaj, më shumë se dyfishi i pagës mesatare në fason.

Administratorët e kompanisë Naber në Durrës, pohuan se janë në vështirësi për të gjetur punonjës dhe se po përjetojnë një hendek në forcën e punës. Nazmi Grori, i cili zotëron tre kompani të mëdha që ofrojnë shërbimet e rrobaqepësisë në Durrës, thotë se ka 300 vende pune të paplotësuara. Ai pohon se ka vështirësi për gjetjen e punonjësve, teksa kontratat e shitjes janë shtuar. Z. Grori tha se të rinjtë që jetojnë në qytet e kanë për fyerje të punojnë në fason, edhe përkundrejt një page më të mirë, ndryshe nga një dekadë më parë, ndërsa të rinjtë e fshatit parapëlqejnë të merren me bujqësi dhe me detyrimet në shtëpi në vend të punës në fabrikë.

Emigracioni

Administratori i kompanisë Naber pohon se vitin e kaluar, rreth 100 punonjës të fabrikës ikën në emigracion. Ai thotë se me heqjen e vizave, shumë të rinj po ikin jashtë vendit. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Thoma Marku, administrator i kompanisë Marku Konfeksion nga Korça. Ai tha se dekurajimi për të punuar në fabrika dhe emigracioni i lartë, janë shkaqet që po pakësojnë punonjësit në fabrika. Marku pohoi se të gjitha bizneset e fasonit në Rrethin e Korçës janë në vështirësi. Në Korçë janë dhjetëra biznese tekstili dhe këpucësh që punojnë kryesisht me Greqinë.

Sipas tij, kontratat për punë po rriten, por zgjerimi i mëtejshëm nuk mund të bëhet pa shtuar punonjësit. Ai e përjashtoi faktin e pagave të ulëta, pasi sipas tij, pagat në sektor janë më të larta se paga minimale e qeverisë. Punonjësit profesionistë marrin deri në 16-17 mijë lekë në ditë, pohoi ai.
Statistikat e sakta mbi efektin në popullsi të emigracionit gjatë kësaj dekade do t’i mësojmë në Censusin e vitit 2021. Megjithatë, të dhënat nga INSTAT mbi hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, tregojnë se gjatë viteve 2014-2016, tendencë që ka vijuar edhe për 2017, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit nga pikat e kalimit kufitar është shumë më i lartë se kthimet e tyre në këto pika.

Diferenca ndërmjet hyrje-daljeve tregon se një numër i madh shtetasish shqiptarë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer më. Gjatë vitit 2014, udhëtuan jashtë vendit më shumë se 4 milionë shqiptarë, teksa për të njëjtin vit janë kthyer në vendin tonë 3 milionë e 872 mijë shtetas shqiptarë. Flukset e emigracionit u zbutën disi më 2016, teksa diferenca mes hyrje-daljeve ishte 259 mijë persona, por në 2017-n u rrit sërish në 373 mijë persona.

Industria e vonuar në mbylljen e ciklit

Biznesmeni Flamur Hoxha, me përvojë shumëvjeçare në sektorin e fasonit, thotë se industria është vonë, pasi që para një dekade duhej të kishte menduar për mbylljen e ciklit që do të sillte rritjen e vlerës së fitimeve. Hoxha, i cili ka drejtuar Shoqatën e Prodhuesve të Veshjeve për shumë vite, thotë se vështirësitë e sektorit fason apo ndërmarrjeve që eksportojnë prodhim “made in Albania” nisin që prej shumë vitesh nga mungesa e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

“E kam thënë para disa vitesh se kjo industri manifakturë, nga vetë fjala, ekziston dhe zhvillohet me sukses në Europë në sajë të punës së dorës që ka shumë vlerë dhe për këtë, duhej që politikat lehtësuese të krijonin barrë më të ulët fiskale (mundësisht zero taksa e tatime) dhe njëkohësisht, sipërmarrja të shpërblente më mirë punonjësit prej të cilëve varet ky biznes”, pohoi ai.

Hoxha thotë se aktualisht ka shumë probleme për të përmbushur nevojat me punonjës si në Tiranë. Aktualisht, mundësitë për punësimin janë më të mëdha dhe punonjësit lëvizin në punë më të lehta apo braktisin në çdo moment këtë sektor, duke krijuar barrë të rëndë kostoje kualifikimi apo falimentimi. “Këtë situatë e kam paralajmëruar para disa vitesh, ku kam kërkuar që të gjithë të kërkonim lehtësi fiskale, prodhim me cikël të mbyllur ‘made in Albania’, investime në teknologji dhe tregje europiane cilësore. E vetmja që duhej të mbrohej ishte krahu i punës të cilin vetë sipërmarrësit duhej ta bënin nëse do të mendonin për këtë sektor”, – tha Hoxha. Bizneset dhe shoqatat nuk po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në këtë drejtim.

Megjithatë, biznesmeni Hoxha thotë se ka ende shpresë, pasi shitja e produktit në BE krijon mundësitë financiare për paga më të larta, investime dhe garanci në të ardhmen. Hoxha tha se me kompaninë KLER ka realizuar ciklin e mbyllur dhe ka shitje 100% në tregjet e BE-së. Hoxha tha se kompanitë shqiptare duhet të unifikojnë çmimet e shërbimeve në mënyrë që të përfitojnë më shumë të ardhura, që të mbyllin ciklin.

Këpuca, shembulli që duhet ndjekur

Brenda sektorit fason, fabrikat e këpucës kanë përjetuar rritje më të shpejtë si në eksporte dhe në të ardhura, për shkak se shumë prej tyre kanë mbyllur ciklin. Në vitin 2016, prodhuesit e këpucëve mbizotërojnë nga numri i punonjësve dhe qarkullimi vjetor. Nga përpunimi i të dhënave të INSTAT shihet se, fabrikat e prodhimit të këpucës ofrojnë paga 6% më të larta se fabrikat e tekstilit.
Në sektorin e lëkurëve dhe prodhimit të këpucëve operuan 301 kompani, të cilat punësuan 22,069 persona, sipas INSTAT. Në sektorin e tekstilit dhe të veshjeve në vitin 2016 operuan 888 kompani, të cilat punësuan 24,773 persona. Siç shihet, sektori i këpucës ka më pak kompani dhe punëson më shumë punonjës, pasi duke mbyllur ciklin ato kanë arritur të konsolidohen.

Prodhimi i këpucëve ka përparuar në raport me tekstilet. Donika Mici, administratore e kompanisë Donianna, pohoi se rritja e kompanisë po vijon edhe më 2018. Ajo tha se kërkesa për punonjës është në rritje, por nga ana tjetër ka pak ofertë për punëtore. “Ne nuk kërkojmë fuqi punëtore me arsim të lartë, por konstatojmë mungesë interesi për të punuar”, – shtoi ajo. Zgjerimi i mëtejshëm po kufizohet nga mungesa e fuqisë punëtore edhe për kompanitë që kanë realizuar ciklin e mbyllur.
Donianna ka kaluar në 2016-n në eksportuesen më të madhe të këpucëve në Shqipëri, me shitje jashtë vendit prej rreth 1.7 miliardë lekësh, duke u renditur për herë të parë si eksportuesja e 11 më e madhe në vend. Jemi shumë afër me Europën sa i përket prodhimit të produkteve me cilësi. Unë njoh këpucën dhe mund të them që kërkesa këtë vit për këtë produkt është në rritje”, – thotë Mici.

Eksportet u rritën me 10% në vitin 2017

Gjergj Liqejza, i cili zotëron kompaninë e tekstilit Madish në Shkodër, tha se kompanitë e mëdha europiane të veshjeve kanë rritur interesin për të bashkëpunuar me Shqipërinë, Çmimet konkurruese dhe cilësia e prodhimit të veshjeve po e bëjnë Shqipërinë një treg të lakmueshëm. Liqejza tha se ka nënshkruar kontrata të reja me kompanitë e njohura Triumph dhe Benetton, por si kompanitë e tjera në sektor ka vështirësi në gjetjen e punonjësve. Në vitin 2017, eksportet e tekstilit arritën në 60 miliardë lekë, me një rritje vjetore 11% në raport, duke zënë 42% të totalit të eksporteve. Rreth 80% e eksportit u krye në Itali, sipas të dhënave të INSTAT. Ritmet e rritjes në sektorin e këpucëve ishin më të ulëta. Në vitin 2017, vlera e eksportit në këtë artikull arriti në 57 miliardë lekë, me një rritje vjetore 9.1%.

Nga kompanitë që veprojnë në fushën e prodhimit të veshjeve, eksportuesi më i madh është Shqipëria Tricot, me shitje jashtë vendit 605 milionë lekë në 2016-n, me rritje prej gati 25% me bazë vjetore. Blue Sky ka parë një rënie të xhiros me 23%, në 530 milionë lekë.
Ecuri të mirë ka shënuar Arisa Konfeksion, që ka rritur shitjet jashtë vendit me 54%, në rreth 460 milionë lekë. Edhe për KLER ka qenë një vit pozitiv, me zgjerim të shitjeve prej gati 30%. Të dhënat tregojnë se 2016-a ka qenë shumë më i mbarë për industrinë e veshjeve, me një rritje mbi 18%.

Zhvlerësimi i euros përkeqëson fitimet e sektorit

Duket se më të humburit prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët europiane janë eksportuesit, kryesisht operatorët në sektorin fason, që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve. Në harkun kohor të një viti (mars 2017- mars 2018), euro është zhvlerësuar me rreth 5 për qind. Vetëm gjatë marsit monedha e përbashkët ka humbur mbi 3 pikë përkundrejt lekut vendas, kurse nga viti në vit humbja ka qenë 6.4 pikë. Aktualisht euro ka zbritur në kuotën e 129 lekëve, ndërsa deri dy vjet më parë, monedha e përbashkët këmbehej mesatarisht me 140 lekë.
E ndërsa me zhvlerësimin e euros, mallrat e importit, pushimet jashtë, këstet e kredisë po bëhen më të lira, duket se për fasonët “po kthehet në dhimbje koke”.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë fasone Kler, tha për Monitor se humbja prej kursit të këmbimit, deri më tani shkon nga 5 deri në 7 për qind xhiros. Shitjet e sektorit, në 2017-n, përllogariten të jenë rreth 50 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Anketa e Strukturore e Ndërmarrjes 2016 dhe operatorëve për normën e rritjes në 2017. Ndërsa humbjet për shkak të zhvlerësimit të euros me 5% arrijnë deri në 3.5 miliardë lekë, apo 27 milionë euro.
Këto humbje sipas zotit Hoxha do të amortizohen duke ulur fitimet dhe investimet e kompanive fason.
Çdo pikë zhvlerësim i euros përkthehet në po kaq pikë minus të ardhura në sektorin e fasonit shprehet biznesmeni Gjergj Liqejza, administrator i kompanisë Madish. Ai pohoi se gjatë vitit 2017 euro është nënçmuar me rreth 4 pikë ndaj lekut dhe po në këtë masë kanë rënë edhe të ardhurat e eksportuesve.

Eksportuesit i kanë kontratat e shitjes në euro teksa shpenzimet i kanë lekë. Rënia e vlerave të euros ka frenuar ritmet e rritjes së eksporteve të cilat do të ishin edhe më të lartë në vlerë nëse euro nuk do nënçmohej në nivelet aktuale. Rënia e mëtejshme edhe saj gjatë viti, lajmëron frenim të të rritjes së industrisë edhe këtë vit.
Në një prononcim të mëparshëm për Monitor, “Albaco Shoes” një nga kompanitë më të mëdha të eksportit në sektorin fason, konkretisht ne prodhimin e këpucës, pa një rënie të dukshme të fitimeve prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët euro me rreth 4 pikë në vitin 2016. Ekonomistja e Albaco pohoi se nëse kursi i këmbimit do të vijonte nënçmimin për euron, siç ka ndodhur së fundmi, rënia e të ardhurave do të krijonte vështirësi. Volumi i këmbimeve të kompanisë në një ditë arrin mesatarisht 50-60 mijë euro.

Në një muaj sipërmarrja e fasonit këmben rreth 1 milion euro. Duke qenë se euro u zhvlerësua me 3.5 për qind në 2016, humbjet e kompanisë nga kursi i këmbimit llogariteshin 35 mijë euro në vetëm një muaj. Kjo shumë e konvertuar në 12 muaj i çon humbjet nga kursi i këmbimit në një vit në rreth 450 mijë euro.

Lehtësitë, gjigantët italianë të veshjeve zgjedhin Serbinë

Qeveria e Serbisë është interesuar për të zhvilluar ciklin e mbyllur për markat e njohura globale. Agjencia për Zhvillim e Serbisë rendit markat e mëposhtme si përfitues të subvencioneve për fabrikat prodhuese në Serbi për marka të tilla: GEOX, Benetton, Calzedonia, Pompea, Golden Lady (të gjitha me qendër në Itali) dhe Falke (me seli në Gjermani) si dhe kompaninë turke Aster.

Përveç kësaj, fabrikat e prodhimit të markave kanë furnizues në Serbi ose furnizuesit kanë nënkontraktorë aty pranë. Ekspertët vlerësojnë se rreth pesë nënkontraktorë prodhojnë për fabrikën GEOX në Vranjë, rreth 20 të tjerë për furnizuesit e Benetton në Nish mbështeten në nënkontraktuesit që ndodhen ndonjëherë në të njëjtin ambient.
Serbia, jo vetëm që ofron një forcë të lirë pune, për shkak të pagës së ulët minimale, por është edhe një shtet, qeveria e të cilit ofron përfitime bujare financiare për investitorët e huaj. Lehtësitë që qeveria serbe ofron përfshijnë grante për investitorët në formën e financimeve cash. Komunave u lejohet të shesin tokën me çmime më të ulëta se tregu, ose ofrohet edhe falas.

Në zonat e lira tregtare ka përfitime të tjera si ofrimi i materialeve të ndërtimit, energjisë, transportit, kostot e karburantit pa TVSH, heqja e detyrimeve doganore për lëndët e para, pajisjet dhe materialet e ndërtimit. Përveç kësaj, ekziston një ofertë tatimore 10-vjeçare për investime me mbi 100 punonjës dhe më shumë se 8.5 milionë euro. Gjithashtu, Serbia ka hapur rreth 30 shkolla profesionale për sektorin e tekstilit. Për rrjedhojë, gjatë 10 viteve të fundit, industria e modës serbe ka evoluar nga një prodhim vendas, i bazuar në prodhim, në një sektor që po orientohet nga dizajni për tregun global. Shumë studentë serbë dizajnues tashmë punojnë në shtëpitë e modës nëpër botë, të cilat promovojnë industrinë e modës serbe jashtë vendit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas