Sport

FSHF-Partizani: Inate të vjetra dhe akuza, prapaskenat e përplasjes

Panorama Sport

Nuk është rastësi që klubi i kuq dhe FSHF përfshihen në akuza dhe kundërakuza për mënyrën sesi po rrjedhin ngjarjet në futbollin shqiptar në tërësi dhe Partizanin në veçanti. Drejtues të Partizanit akuzuan publikisht në sezonin e kaluar kreun e institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka, si njeriun që pengoi të kuqtë përmes gjyqtarëve në mosshpalljen kampion.



Në garën e fituar në fund nga Kukësi, “demat” pretenduan se u vodhën pas vendimeve të njëanshme në ndeshje të caktuara të arbitrave. Më së shumti ka qenë ish-trajneri i “demave”, Sulejman Starova, ai që ka shigjetuar vazhdimisht FSHF-në, si një institucion që vendos në lojë mekanizma për të dëmtuar Partizanin në objektivat madhorë. Inatet e vjetra mes palëve rikthehen tashmë pas dy muajve nga zgjedhjet në FSHF, ku klubi i kuq u rreshtua hapur në mbështetje të kandidatit Bashkim Fino.

Për disa javë dhe si për koincidencë, menjëherë pas largimit të trajnerit Starova, nuk pati thuajse fare ankesa për gjykimin, në një kohë që edhe rezultatet pozitive të klubit të kuq sikur po fshihnin gjithçka. Mirëpo, një kërkesë e deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, drejtuar Tatimeve për kontroll të institucionit të futbollit, riktheu edhe një herë në qendër të vëmendjes inatet e vjetra mes palëve (FSHF dhe Partizan).

Edhe pse Braçe nuk ka një funksion në klubin e kuq, ai njihet si një fanatik i kësaj skuadre dhe thuajse në çdo qëndrim që ka mbajtur për fenomenet negative, ka akuzuar direkt kreun e FSHF-së, Duka.

Në këtë mes lidhja është e thjeshtë dhe çdo kush mund të mendojë se kemi të bëjmë me një hakmarrje karshi klubit. Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy, ka të bëjë me faktin se tashmë institucioni që organizon kampionatin shkon deri aty, sa të futet në anën teknike të një skuadre, madje duke ftuar edhe tifozët për lojën që ka bërë Partizani në Lushnjë.

Një situatë sa e çuditshme, por edhe jo rastësore. Në këtë krizë besimi, akuzat për gjyqtarët nga klubet nuk përbëjnë më lajm në Shqipëri, në një kohë që në rastin më të parë, kur një ekip i rëndësishëm si Partizani ngre zërin, FSHF mundohet të dalë në mbrojtje të “bluzave të zeza” për çorbën që ka gatuar këtë vit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas