Kryesore

Frederik Stamati: Flamuri që ka prekjen e fundit të Ismail Qemalit


Aida TUCI



Flamuri që Ismail Qemali mori si kujtim nga Shqipëria pas largimit dhe me të cilin i biri E’them Bej Vlora mbuloi arkivolin e të atit natën e 10 shkurtit 1919, ku luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës trupin e pajetë të Babait të Kombit, u ekspozua dje për herë të parë në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Flamuri ndodhej në fondin Etnografik që prej vitit 1957 dhe u zbulua vetëm pak javë më parë nga restauruesi Frederik Stamati dhe historiania Ariola Prifti, të cilët pas disa kërkimeve dhe verifikimeve dolën në konkluzionin se ai ishte flamuri me të cilin ishte mbuluar arkivoli i Ismail Qemalit, në varrimin e parë në shkurt të 1919-ës dhe në rivarrimin e tij në vitin 1932, në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Skeptikët që hedhin dyshime për faktin se përse flamuri u zbulua pikërisht tani në 100-vjetorin e Pavarësisë, nuk kanë munguar as në këtë ekspoze të parë. Por restauruesi Frederik Stamati, në intervistën e tij për “Mapo”-n na rrëfen sesi krejt rastësisht ata ranë në gjurmët e këtij flamuri. Madje na zbulon edhe më shumë se kaq. Restaurimi i flamurit që duket një nevojë emergjente për ta ruajtur atë, do të fshinte përgjithmonë prekjen e fundit të plakut të Vlorës. Një dilemë që restauruesi Frederik Stamati nuk di si t’i japë zgjidhje.

Zoti Stamati, sot (dje) për herë të parë u ekspozua flamuri me të cilin është mbuluar arkivoli i Ismail Qemalit. Ky flamur ndodhej në Fondin Etnografik që prej vitit 1957 dhe ka shumë skeptikë që pyesin se përse ky flamur u zbulua pikërisht tani, me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë dhe jo më parë?

Gjetja e flamurit ndodhi jo se ishte 100-vjetori i Pavarësisë, por se ashtu erdhën rrethanat. Fondet ose arkivat kanë si detyrë të mbledhin materiale dhe vjen një ditë që ato studiohen dhe zbulohen, por që të zbulosh diçka për të cilën nuk disponon asnjë të dhënë dhe të arrish në një konkluzion të saktë nuk është e lehtë. Me flamujt që ndodhen në Fondin Etnografik unë kam 10 vjet që jam marrë. Janë 18 flamuj që fillimisht kanë qenë në fondin e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në vitin 1946, materialet e Muzeut Kombëtar i kaluan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i Histori-Gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun Arkeologjik-Etnografik, si dhe Fondin Etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamuj. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre dhe ata qëndruan për një kohë të gjatë aty pa e ditur se kujt periudhe apo kujt ngjarjeje i përkisnin. Siç na tregoi punonjësja më e vjetër e Fondit Etnografik, Znj. Pandora Plaku, themeluesi i këtij Fondi, Rrok Zojsi e kishte porositur që t’i ruante me kujdes këta flamuj nga dëmtimi, sepse kishte dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar në Fondin Etnografik, por pa i shoqëruar me dokumentin identifikues. Këta 18 flamuj janë ruajtur me shumë kujdes nga punonjësit e Fondit Etnografik, por pa e ditur se çfarë janë apo çfarë përfaqësojnë.

Po si arritët ju ta identifikonit këtë flamur mes 18 të tjerëve?

Para 11 vjetëve unë nisa punën me këta flamuj për t’i identifikuar. Arrita të identifikoj 14 prej tyre. Kishin mbetur edhe katër flamuj të tjerë, ekzistencën e të cilëve në fakt unë nuk e dija deri 2 muaj më parë. kur përgjegjësja e re e Fondit Etnografik, Ariola Prifti më kontaktoi. Teksa ajo po merrej me inventarizimin e Fondit Etnografik, gjen mes shumë objekteve edhe katër flamuj. Meqenëse unë isha marrë për 11 vjet me identifikimin e 14 syresh, më tregon për ato që kishte gjetur. Duke i parë na lindi menjëherë dyshimi. Dhe filluam punën për identifikimin e tyre. Përveç flamurit të Lushnjës që e kishim zbuluar, ndërkohë dhe flamurin e Shoqërisë Drita të Bukureshtit, na mbeteshin edhe 2 flamuj, për të cilët kisha dyshimet e mia. Në arkivin e shtetit kisha gërmuar prej gati 2 vjetësh dhe kisha gjetur dokumente të Muzeut Kombëtar, ku ndër të tjera flitej edhe për flamurin që konsiderohej si flamuri i Pavarësisë, që e kishte dorëzuar i biri i Ismail Qemalit, E’them Bej Vlora në vitin 1932, pas rivarrimit të Ismail Qemalit në Vlorë. Në dokumentacionin e parë që gjetëm kur e ka dorëzuar, aludonte se ai ishte edhe flamuri i Pavarësisë. Por e kanë kundërshtuar me fakte dhe dokumente të kohës duke e hedhur poshtë tezën e tij. Kështu, E’them Bej Vlora është thirrur sërish nga autoritetet dhe me anë të një procesverbali sqaron se flamuri me të cilin është mbuluar arkivoli i Ismail Qemalit nuk është ai i ngritur në ditën e Pavarësisë në Vlorë. Ai flamur i është dhuruar Ismail Qemalit nga Duka i Monpansierit në vitin 1913, dhe është vendosur në doganën e Vlorës. Kur Ismail Qemali iku, kërkoi të merrte një kujtim me vete dhe i dhanë pikërisht këtë flamur që e mbante kudo me vete, në çdo vend të Europës ku ka qenë. Kur vdiq në Peruxha në vitin 1919, arkivoli i tij që mbërriti me anije në Skelë ishte mbuluar pikërisht me këtë flamur. Në rivarrimin e vitit 1932, në Sheshin e Flamurit, përsëri arkivolin i tij u mbulua me këtë flamur.

Ju jeni i bindur se ky është flamuri?

Ka dhe të dhëna të tjera. Në dokumentacionin e Muzeut Kombëtar të vitit 1932 bëhet kështu  përshkrimi i flamurit: një flamur i trajtuar prej dy fijesh pëlhure të leshta, 1.45m i gjatë dhe 0.95m i gjerë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë. Pra të gjitha detajet që përshkruheshin në dokumentacionin që gjetëm në arkiv përputheshin me këtë flamur. Por kemi gjetur dhe fotografi të varrimit të Ismail Qemalit, ku duket qartë flamuri dhe detajet e tij. Po ta shohësh, ky flamur ka anash litarin që është përdorur për ta ngritur në shtizë dhe në fund është nyja, që duket edhe në fotografitë e arkivit. Kështu që nuk ka asnjë dyshim që ai është flamuri me të cilin është varrosur Ismail Qemali. Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që ai është.

Si do të realizohet restaurimi i flamurit, duke qenë se është një material pak specifik?

Çështja e restaurimit ka në fakt disa probleme. Copa në radhë të parë është e brishdëzuar, sepse është prishur nga koha, ekspozimi në diell etj. Dhe një nga problemet është se fijet e tekstilit bëhen lehtësisht të këputshme. Pastaj flamuri duket që është shumë pis, pra nuk është larë  kurrë, por këtë prapë nuk e dimë saktësisht. Por ka dhe një problem tjetër që unë e kam shtruar e që është akoma më i madh. Duke qenë se ky flamur është ai që i është dhuruar Ismail Qemalit dhe është mbuluar trupi i tij, e duke qenë se ky flamur duket se nuk është larë kurrë, atëherë ai ruan edhe prekjen e fundit të Ismail Qemalit. Nëse ne do ta lajmë, sepse teoria e restaurimit thotë se nëse një objekt të tillë duam ta ruajmë të sigurt, së pari duhet ta lajmë me kimikate siç procedohet zakonisht, atëherë do të fshijmë përgjithmonë prekjen e fundit të plakut të urtë të Vlorës.

Po si mendoni ta ruani atëherë? Duket se jeni mes dy “zjarreve”?

Kjo është problemi që unë shtroj: nëse do ta lajmë, do të heqim kështu prekjen e fundit të Ismail Qemalit, nëse jo dhe do ta lëmë kështu siç është, atëherë duhet ta ruajmë në kushte shumë të rrepta. Kjo është një dilemë për të cilën, pasi të merren të gjitha të dhënat nga Instituti Botëror i Trashëgimisë, me të cilin jemi lidhur për të analizuar copën, bojën dhe gjithçka që do të ndihmonte restaurimin, do të vendosë një komision i posaçëm sesi do të veprohet.

Nëse vendoset që të mos restaurohet sipas teorisë së larjes së flamurit, në mënyrë që të ruhet prekja e fundit e Ismail Qemalit, mos rrezikojmë të humbasim edhe flamurin, edhe prekjen bashkë me të?

Nëse ky komision vendos se nuk do të lahet dhe kësisoj do të ruajmë edhe prekjen e fundit të Ismail Qemalit, ka ndërhyrje të tjera që mund t’i bëhen, ka procedura të tjera ruajtjeje. Flamuri lihet ashtu siç është, por kërkon kushte të tjera ekspozimi që janë shumë më të rrepta. Por kjo siç të thashë, është një çështje shumë teknike që do të vendoset nga ekspertë të tekstilit, gjeologjisë etj., që besoj se do të jenë pjesë e këtij komisioni të posaçëm.

Ka flamuj të tjerë të paidentifikuar?

Po ka, por është shumë e vështirë të gjesh dokumente historike që mund t’i identifikojnë. Janë rreth 2-3 flamuj të tjerë që nuk janë identifikuar akoma, por kemi dyshime për ta që mund t’i përkasin kësaj shoqate apo kësaj ngjarjeje, por që nuk kemi si t’i japim nëse nuk arrijmë të jemi tërësisht të bindur. Ne po punojmë edhe për identifikimin e tyre. Por ndërkohë kemi ekspozuar edhe një flamur tjetër, që është përdorur në ndërtesën e qeverisë së Vlorës në vitin 1913. Ky flamur është identifikuar nga fotografitë e kohës. Edhe ky është pjesë e 18 flamujve dhe është zbuluar 1 vit e gjysmë përpara, por për herë të parë e kemi ekspozuar sot (dje) me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas