Kryesore, Mapo Format

Flet për MAPO WEEKEND profesori i sigurisë në UET, Kristaq Xharo: Rikthimi i SHBA në rajon do rigjenerojë aksionin gjeopolitik

Diçka e re dhe me rëndësi vendimtare duket se po nis të ndodhë këtë gusht me Ballkanin. Duke filluar nga faza finale e dialogut Kosovë-Serbi. Nisma e presidentit Thaçi për ‘korrigjimin e kufijve’. Shumë debate dhe shumë lëvizje diplomatike krejt të reja për Ballkanin e veçanërisht për çështjen shqiptare. A po përvijohet një politike e re amerikane për Ballkanin? Flet profesori i sigurisë në UET, Kristaq Xharo.

Pas një faze paqartësie dhe shtyrjesh të proceseve dhe agjendave lidhur me Ballkanin, duket se një sens i qasjes ‘finalizuese’, ‘zgjidhëse’ të tipit ‘emri final i Maqedonisë’, ‘deti Greqi-Shqipëri’ apo gjëra në horizont: ‘korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi’ apo me larg, ‘statusi i republika Srpska’. Në parim pa hyrë në çështjet konkrete: a është një finale procesesh të gjata apo konturet e një gjendjeje të re për Ballkanin?



Ballkani perëndimor brenda këtij viti arriti ta kthejë drejt vetes vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare, veçanërisht atë të fuqive të mëdha botërore. Megjithëse për çfarë ju përmendni më lart janë ende në fazën finale ato ende janë në dilemën e zgjidhjes. Ato janë vendosur në tavolinë, por është ende herët për të folur për një zgjidhje përfundimtare. Nuk është vetëm negocimi midis palëve zyrtare, por edhe vetë palët që kanë brenda vetes diferenca të mëdha. Kështu si në Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, finalja e negocimit midis palëve zyrtare do të duhet në të njëjtën kohë të kapërcej edhe diferencat e mëdha brenda vetes. Në të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor, opozitat politike në kundërshtimin e tyre ndaj pozicionit zyrtar dinë dhe do të shfrytëzojnë edhe ndjeshmërinë e madhe të opinionit ndaj çështjeve që diskutohen. Procesi i negocimit ka kaluar dekada dhe ndërmjetësia ndërkombëtare ka qenë faktor shumë i rëndësishëm. Duket se procesi për t’u afruar zgjidhjeve ka hyrë në një fazë të re ku problemet po hidhen mbi tavolinë pa dorashka. Në këtë status negocimi ka ndihmuar fakti që vendet e rajonit, në këtë periudhë, ndjehen më pranë, strukturave euro-atlantike, me distance të ndryshme në NATO apo BE, megjithëse përsëri me diferenca të mëdha. Këto vende pak janë shmangur nga tradita më e hershme për sa iu përket aleatëve, aleancave dhe pozicioneve gjeopolitike. Shqipëria, Kroacia e Mali i Zi janë bërë anëtare të NATO-s, ku Maqedonia ndodhet e ndërvarur vetëm nga referendumi për emrin. Ndërkohë Serbia e lidhur dhe jo më pak e afruar ndaj Rusisë e Bosnja e mbërthyer në ‘ngrirjen’ e vet. Të afruar më shumë nga orientimi drejt Bashkimit Evropian, por me sfida që vijnë më tepër nga vetë kjo organizatë. Ndoshta në këtë fazë po evidentohet më qartë dhe bindshëm ndërgjegjësimi i vendeve të Ballkanit në seriozitetin e proceseve që kanë nisur.

Marrëdhëniet transatlantike, ato Rusi-SHBA me impakt në rajone të tjera të botës etj., shumëçka po lëviz në politikën e Shtëpisë së Bardhë të erës Trump! A dalloni që diçka e re ndryshe po konturohet edhe për Ballkanin nga administrata e re amerikane?

Ka kaluar një kohë e gjatë, që kur një president i SHBA e shpalli Ballkanin si prioritet. Kjo u pasua në dy ndërhyrje ushtarake amerikane (NATO-s) në Bosnjë dhe Kosovë. Më pas u duk se dislokimi i NATO-s e zhvendosi më poshtë Ballkanin në listën e prioriteteve të SHBA. Ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës ju kalua më tepër Bashkimit Europian, që pavarësisht rolit të tij nuk arriti ta mbush zbrazëtinë që krijoi zhvendosja gjeopolitike e SHBA. Aktorë të tjerë anti- NATO e BE me në krye Rusinë, rritën ndikimin e tyre në rajon. Fakti që të gjitha vendet e Ballkanit kanë të njëjtin orientim për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian është pozitiv si për ekonominë edhe sigurinë. Dhe kjo lëvizje ka shumë pak gjasa të ndryshojë kursin për më tepër që edhe është inkurajuar nga administrata e presidentit Trump. U ngritën mjaft dilema për vendin që do të merrte Ballkani në erën Trump, e veçanërisht në raportet SHBA-Rusi. Në këtë kontekst Ballkani që nuk përjashtohej të shërbente si një “shesh lojërash”. Serbia, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, më shumë se të tjerët në rajon janë objekt i përpjekjeve të ndërhyrjes ruse, qoftë edhe në idenë për të konsumuar energjitë dhe kapacitetet e BE dhe NATO-s dhe për t’i penguar këto vende drejt objektivit për t’u përafruar apo integruar në këto dy organizata me frymë dhe inspirim perëndimor. Kjo, padyshim shfaqej si çështje komplekse – por të gjithë në rajon shpejt e kuptuan që roli i SHBA jo vetëm që nuk do të zbehej, por mund të flitet për një ‘rikthim’ në rajon. Roli që luajti në krizën maqedonase dhe më pas anëtarësimi i Malit të Zi, në NATO tregoi që SHBA shumë shpejt do ta rigjeneronte aksionin gjeopolitik. Me ngritjen e Bazës Ajrore në Shqipëri dhe me një më të hershme në Kosovë, siguria në Ballkanin Perëndimor fiton një standard të ri.

Politika amerikane, krahas kancelarisë funksionon fort edhe si lobby, si kontakt personal. Kemi parë kohët e fundit lëvizjen në këtë drejtim: takimet e dhëndrit të Trump me politikanë ballkanikë, kemi parë strategun e Trump, Bannon nëpër Ballkan etj. lajme si këto. A kanë, a do të kenë këto elemente impakt në formësimin e një politike të re të SHBA për Ballkanin?

Unë besoj te roli i lobeve apo kontakteve personale, por kur ato vijnë në funksion të strategjisë së përgjithshme. Sigurisht që politika e jashtme merr shpesh edhe nuancat e personaliteteve që e përfaqësojnë. Askush nuk mund të mos kujtojë rolin e sekretarëve të shtetit të SHBA në Kemp Dejvid gjatë krizës së Bosnjës apo të Rambujesë për ndërhyrjen në Kosovë. Por, ato i shfaqin nuancat brenda ngjyrës duke e theksuar, por pa e ndryshuar dhe as më shumë e as më pak janë element taktik brenda strategjisë madhore. Edhe pse paraqet sfida të mëdha për partnerët kryesorë në Evropë, administrata Trump ka treguar gatishmëri për t’u dhënë përparësi marrëdhënieve të saj me Ballkanin. Në një vizitë në rajon nënpresidenti amerikan Mike Pence u tha prerë krerëve të tetë vendeve të Ballkanit “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë “të gatshme të lënë një vakum në Ballkanin Perëndimor”. Interesat amerikanë në rajon nuk janë të motivuara, vizioni europian i këtyre vendeve, por nga fakti se një angazhim i tillë është gjithashtu në interesat e Shteteve të Bashkuara. Administrata amerikane ka shkuar deri atje sa t’i bëjë thirrje Europës për të krijuar një strategji të përbashkët kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor “..duke koordinuar mesazhet, qëllimet e taktikat …”. Janë një numër deklarimesh, por edhe qëndrimesh nga senati dhe kongresi që shprehin pozicionin dhe rëndësinë që SHBA i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndoshta angazhimi aktual i administratës amerikane krijon perceptimin e ‘rikthimit’ të SHBA në Ballkanin Perëndimor.

Kosova ka qenë një çështje ndërkombëtare e planit të parë, së paku nga 1974. ‘Njësi konstitutive e federatës jugosllave’, ‘Kosova, vija e kuqe për Ballkanin’, ‘rezoluta 1444 e Këshillit të Sigurimit’, ‘Pavarësia e kushtëzuar’, ‘dialogu Kosovë – Serbi’, ‘demarkacioni me Malin e Zi’, ‘Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare’. Por të gjitha duket se nuk mjaftojnë pa një finalizim Kosovë- Serbi. Në këtë kontekst propozimi i ri dhe i papritur i Thaçit çfarë përfaqëson sipas jush?

Duke ditur jo mjaftueshëm për kontekstin dhe objektivat e propozimit të ri të Thaçit, nuk mund të themi më shumë se është shkruar gjatë gjithë kësaj kohe në media. Por, më së paku ky propozim arriti më së paku tre objektiva. Së pari propozimi i Thaçit riktheu gjithë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar se zgjidhja nuk mund të lihet vetëm në dorë të Mogherinit (BE) e ndoshta ka nevojë të thirren aktorë të tjerë, fuqi të mëdha, në tavolinë. Së dyti, tregoi se palët (Kosova dhe Serbia) nuk kanë se çfarë t’i afrojnë njëra-tjetrës nga vetja pa sfiduar normat ndërkombëtare. ‘Mesazhi’ është i qartë që bisedimet të përfundojnë me sukses është Europa që duhet të shkundet. Samiti i fundit nuk afroi asgjë për të dy vendet. Së treti propozimi i Thaçit, që sigurisht e ngriti shumë lart stekën e bisedimeve, do të ketë efekt edhe në mjedisin e brendshëm duke e faktorizuar atë. E lidhur edhe me dy të parat, rezultati që do të pritet nga bisedimet do të jetë më i pranueshëm dhe i detyrueshëm për faktorin e brendshëm. Edhe sikur vetëm një prej këtyre objektivave të arrihej do ta quaja propozimin e Thaçit të mjaftueshëm. Në kohën që negociatat në Bruksel po hynin në një fazë aspak premtuese, Thaçi pati meritën që të shkundte në pluhuri i indiferencës kancelaritë perëndimore. Thaçi më mirë se kushdo e di mirë mundësinë e propozimit. Tashmë kur në Kosovë është i pranishëm faktori ndërkombëtar, NATO dhe vetë SHBA, në kuadër të aleancës dhe në mënyrë direkt, çdo propozim do të ‘peshohet’ e do të mund të marrë jetë vetëm pasi të konsiderohet i pranueshëm nga fuqitë e mëdha. Nga ana tjetër Kosova, Serbia janë juridikisht vende demokratike dhe çdo propozim, qoftë edhe nga Thaçi apo Vuçiç nuk do të mund t’iu shmanget gjithë niveleve të tjera, padyshim edhe referendumeve. Propozimi në vlerësimin fillestar përbën një paradigmë, që përmban shumë të panjohura. Vërtetë që bisedimet zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë, por si deri tani ato kanë prezencën edhe të Bashkimit Europian. Propozimi e ngre ‘stekën’ e bisedimeve aq lart sa ajo duket se është një ‘ftesë’ që në lojë të hyjë edhe SHBA apo edhe tjerë, ndoshta edhe një model Ahtisari-2. Koha do ta tregojë.

Cilat janë garancitë që cilado marrëveshje për ‘korrigjim kufijsh’ Serbi- Kosovë nuk do të hapë precedentë për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do të ristartonin…..si gjithnjë luftërat e pafundme ballkanike?

Marrëveshjet ndërkombëtare nuk arrihen pa një palë të tretë që mund të jetë një fuqi e madhe apo disa të tilla të sjella së bashku. Palët vetë nuk mund të jenë garant për aq kohë sa janë në konflikt interesi. Pra garanti do të jetë ndërkombëtar që afrohet me të gjithë elementet e fuqisë: diplomatike, ekonomike e ushtarake. Historinë e Ballkanit nuk e njohin vetëm ballkanasit, fuqitë e mëdha ca më shumë. Ballkanasit kanë aftësi ta ndezin zjarrin, por jo ta mbajnë atë ndezur e ca më pak ta shuajnë atë. Shumica e lojërave me zjarrin që kanë filluar në Ballkan janë ushqyer nga të tretët. Në situatën aktuale me potencialet që zotërojnë shtetet e Ballkanit perëndimor nuk janë në gjendje të nisin një konflikt e aq më pak luftëra e t’i mbajnë ndezur ato. Të gjithë besojnë dhe e kanë të varur mbijetesën në aleatë të mëdhenj apo aleanca. Është interesant që debati i hapur në mediat tona merakun më të madh e kanë pasur se çdo të ndodh me Ballkanin duke i dhënë edhe këshilla komunitetit ndërkombëtar se si të ndalin premisat e konfliktit. Aq të merakosur janë për fatet e Ballkanit sa nuk ndalen ti venë autorit të propozimit etiketime nga më vrastaret. Të tjerët na kanë zili që merremi kaq shumë me veten, por jo për vete. Nuk do të ketë luftë për aq kohë se bisedimet nuk po zhvillohen si të shmangin luftën por si të sigurojnë një paqe afatgjatë. Faktori ndërkombëtar, tashmë pas propozimit do të jetë më prezent dhe ndoshta edhe me mundësi më të mira zgjidhje. Ambasadori amerikan në Kosovë u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë tyre ndërsa ata diskutojnë për këto gjëra.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas