Kryesore, Mapo Format

Flet për MAPO WEEKEND analisti Fitim Zekthi: Kosova është investim amerikan, nuk do ketë ndryshime

Diçka e re dhe me rëndësi vendimtare duket se po nis të ndodhë këtë gusht me Ballkanin. Duke filluar nga faza finale e dialogut Kosovë-Serbi. Nisma e presidentit Thaçi për ‘korrigjimin e kufijve’. Shumë debate dhe shumë lëvizje diplomatike krejt të reja për Ballkanin e veçanërisht për çështjen shqiptare. A po përvijohet një politike e re amerikane për Ballkanin? Flet analisti konservator, Fitim Zekthi

Pas një faze paqartësie dhe shtyrjesh të proceseve dhe agjendave lidhur me Ballkanin, duket se një sens i qasjes ‘finalizuese’, ‘zgjidhese’ të tipit ‘emri final i Maqedonisë’, ‘deti Greqi-Shqipëri’ apo gjëra në horizont: ‘korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi’ apo më larg, ‘statusi i republika Srpska’. Në parim pa hyrë në çështjet konkrete: a është një finale procesesh të gjata apo konturet e një gjendjeje të re për Ballkanin?



Në Ballkan është shumë e vështirë të emërtohet një moment që përfshin disa lëvizje si finalizim i një procesi të gjatë apo edhe si ndryshim që kërkon të sjellë një gjendje të re apo sendërtojë konturet e një gjendjeje të tillë. Ballkani ngërthen interesa, faktorë dhe identitete që janë në gjendje gjithmonë të prishin çdo përpjekje për t’i vënë emërues të përbashkët lëvizjeve të tilla. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë gjë stabiliteti në Ballkan është një konsideruar një shqetësim madhor për Bashkimin Europian dhe për SHBA-në. Për këtë arsye ai mbahet prej gati 30 vitesh nën joshjen për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Veta natyra e problemeve që ka Ballkani janë të tilla që nuk mund të zgjidhen kurrë thjesht duke i joshur ato me futjen në BE, dhe duke i lënë nën monitorimin apo kërkesat e burokracisë së BE-së. Madje mund të thuhet se dështimi i deritanishëm në Ballkan është pasojë e këtij “vëzhgimi të lirë” të burokracisë europiane. Vendet e Ballkanit e kanë të pamundur të demokratizohen, fuqizojnë institucionet dhe sundimin e ligjit vetvetiu apo së brendshmi. Është forca shtytëse apo shtrënguese e SHBA-së ajo që gjithsesi bën që ky proces të mbahet i gjallë, të ecë ndonëse ngadalë. Në këtë kuptim më shumë kemi të bëjmë me një proces që synon të përmbyllet ( nuk dihet kur) dhe jo me qasje të reja apo me konturim gjendjeje të re. Interesa që kërkojnë konturim të një gjendjeje të re ka patur gjithnjë por ato nuk kanë qenë vendimtare.

Marrëdhëniet transatlantike, ato Rusi-SHBA me impakt në rajone të tjera të botës etj., shumëçka po lëviz në politikën e Shtëpisë së Bardhë të erës Trump! A dalloni që diçka e re ndryshe po konturohet edhe për Ballkanin nga administrata e re amerikane?

Ish-kryetari i kongresit të SHBA-së dhe një nga figurat e rëndësishme të republikanëve sot, të cilët kanë ndikim te presidenti Trump, Newt Gingrich, e shpjegon politikën e presidentit Trump si diçka që ndryshon thelbësisht me administratat e mëparshme. Ai thotë se Trump është një “ndryshues” pra që bën ndryshime, është njeri që merr vendime të forta, që sheh përparësitë që ka vendi i tij në radhë të parë. Në një kuptim teorik, Trump nuk i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare si konstruktivist apo liberalist. Kemi një rikthim në realizëm. Rikthimi në realizëm do të thotë edhe një qasje më izolacioniste, pra një “mbledhje” e Amerikës në vete, jo një “përhapje” e madhe. Kjo vihet re nga objektivat e tij për të dalë nga Siria, për t’u tërhequr nga Afganistani. Sigurisht që edhe nga rajone të tjera të botës do të ketë një tërheqje të SHBA-së por kjo do të varet edhe nga pushteti që do të ketë presidenti Trump. Ai është në një “përballje” me departamentin e shtetit dhe me zyra të tjera sa i takon qasjes së tij. Për të thënë të vërtetën ishte presidenti Obama ai që i zhvendosi burimet kryesore amerikane në lindjen e largët, duke mos e cilësuar më Rusinë një aktor global dhe armikun kryesor gjeopolitik të SHBA. Kandidati republikan Romney këmbëngulte që Rusia ishte armiku numër një gjeopolitik. Qasja e re e Trump, duket se e sheh Rusinë si një armik gjeopolitik, por gjithsesi kjo qasje duke qenë realiste, beson se është e mundur që me presidentin Putin të ndërtohen marrëdhënie nga të cilat fitojnë amerikanët por edhe aleatët e saj në NATO. Kosova gjithsesi është një investim i drejtpërdrejtë amerikan dhe nuk ka mundësi të përmbyset kaq shpejt një investim dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me Kosovën. Në lidhje me Ballkanin, duhet thënë se Europa do të jetë gjithnjë e më shumë aktori bazë. Pra, thyerja e dukshme që e çon Amerikën drejt një qasjeje realiste do të synojë marrëveshje me Putin, zbutje të luftës së ftohtë apo ideologjike, do të synojë zgjidhje për Sirinë apo Iranin, Korenë e Veriut apo Ukrainën, por nuk do të prekë Kosovën. Kosova është çliruar dhe themeluar si shtete nga amerikanët.

Politika amerikane, krahas kancelarisë funksionon fort edhe si lobby, si kontakt personal. Kemi parë kohët e fundit lëvizjen në këtë drejtim: takimet e dhëndrit të Trump me politikanë ballkanikë, kemi parë strategun e Trump, Bannon nëpër Ballkan etj. lajme si këto. A kanë, a do të kenë këto elemente impakt në formësimin e një politike të re të SHBA për Ballkanin?

Dihet që lobimi është një praktikë e fuqishme në SHBA. Rasti i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Trump është disi më ndryshe, pasi ai është këshilltar i tij dhe jo lobist. Sigurisht që Kushner ka zhvilluar dhe zhvillon bisedime me aktorë botërorë dhe dihet se është një nga njerëzit e besuar të presidentit Trump. Besohet se Kushner është arkitekti i politikës së re amerikane në Lindjen e Mesme, duke qenë vazhdimisht në kontakte me princin Muhamed Bin Zayed e Emirateve, me kryeministrin e Izraelit Netanjahu, me presidentin e Egjiptit Al Fatah al Sisi etj. Por nuk ka asnjë të dhënë se Kushner ka lobuar, biseduar apo ideuar ndonjë gjë për rajone të tjera të botës veç lindjes së mesme. Ai duket se është i fokusuar më së shumti te një plan i ri paqeje mes Izraelit dhe Palestinës dhe te një qasje e re në këtë rajon. Ndërsa Steve Bannon është një gjë tjetër. Ai ishte ideologu i fushatës dhe i tërë asaj që paraqiti presidenti Trump. Ai është një njeri që mendon se e majta, liberalët etj., kanë shkatërruar parimet bazë të funksionimit të shoqërisë dhe të shtetit dhe kanë krijuar “përdhunshëm” një kulturë të re dhe establishment pushteti politik –ekonomik-kulturor që nuk lejon gjë tjetër veç asaj që prodhon dhe mbron vetë. Ai kërkon një përmbysje të establishmentit, kthim në vlera nacionaliste, konservatore, është kundër pushtetit të institucioneve ndërkombëtare etj. Sot ai nuk është në ekipin e Trump, por për shumëçka Trump vijon të udhëhiqet nga idetë e tij, ende siç është qasja ndaj establishmentit, ndaj emigrantëve, ndaj institucioneve ndërkombëtare, ndaj vlerave të të majtës dhe liberalëve tej. Bannon po përpiqet ta kthejë këtë në një lëvizje globale. Ai për disa kohë ishte në Europë ku mund të thuhet se tezat e tij kanë gjetur vend fort. Ato ishin aty edhe më parë por ai iu ka dhënë një shtysë më shumë. Ai ka kontakte dhe ka përkrahur politikanët antiestablishment në Itali, Angli etj. Ardhja e tij në Ballkan mund tu japë një shtysë këtyre ideve por le të shohim pasi Ballkani nuk është një terren aq i përshtatshëm. Megjithatë, duke u bërë më të pranishme në Ballkan dhe Europë, tezat e tij mund të bëjnë më të pranueshme politikat e Trump në Ballkan, duke prodhuar një frymë pro tyre. Pra ai dhe tezat e tij mund të jenë oksigjen për jetësimin më lehtë të politikave të Trump.

Kosova ka qenë një çështje ndërkombëtare e planit të parë, së paku nga 1974. ‘Njësi konstitutive e federatës jugosllave’, ‘Kosova, vija e kuqe për Ballkanin’, ‘rezoluta 1444 e Këshillit të Sigurimit’, ‘Pavarësia e kushtëzuar’, ‘dialogu Kosovë – Serbi’, ‘demarkacioni me Malin e Zi’, ‘Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare’. Por të gjitha duket se nuk mjaftojnë pa një finalizim Kosovë- Serbi. Në këtë kontekst propozimi i ri dhe i papritur i Thaçit çfarë përfaqëson sipas jush?

Propozimi i presidentit Thaçi nuk përfaqëson asgjë në këtë aspekt. Që të përfaqësonte diçka në këtë drejtim, ai duhet të ishte një propozim që kishte shtysë ndërkombëtare, që kishte pas zëra të fortë në BE apo SHBA. Ai duket një propozim vetjak në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq një propozim që shtyhet nga erëra që kanë prodhuar akull për shqiptarët. Propozimi i presidentit Thaçi nuk duket se do të shkojë gjëkund. Ai nuk duket një propozim që e çon Kosovën në një stad më të mirë. Gjithashtu ai është një propozim që kundërshtohet nga BE dhe vendet kryesore të saj. Deri më tani është mbrojtur me forcë vetëm nga Thaçi dhe Vuçiç. Duket më shumë një propozim që çon Serbinë në një stad më të mirë. Është e vërtetë që Kosova është një çështje e madhe prej vitesh dhe për të është bombarduar Serbia nga NATO. Një propozim të tillë Kosova duhet ta refuzojë edhe sikur ai të ketë pas mbështetjen e zërave të rëndësishëm në BE. Territori, Kosova është ajo për të cilën është bërë luftë dhe janë vrarë njerëz, është një aspiratë, është atdheu i cili nuk është çështje propozimesh si ky. Është shumë e habitshme se si një propozim vetjak që bëhet nga dashuria për Kosovën të bëhet nga presidenti Thaçi, i cili gjatë qeverisjes së tij ka bërë gjithçka që të mbajë pushtetin, ka qeverisur në mënyrë dramatike vendin, ka grumbulluar në qeveri dhe në partinë e tij njerëz që janë të njohur korrupsion apo krime të tjera. Një qeveritar kaq i keq, një qeveritar që bëri marrëveshje nga më skandalozet me partitë duke lënë vendin për 6 muaj pa qeveri vetëm që të bëhej zëvendës.kryeministër dhe pas president nuk mund të bëjë propozime vetjake që duan të zgjidhin një herë e përgjithnjë problemin e njohjes dhe kufijve të Kosovës.

Cilat janë garancitë që cilado marrëveshje për ‘korrigjim kufijsh’ Serbi- Kosovë nuk do të hapë precedentë për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do të ristartonin…..si gjithnjë luftërat e pafundme ballkanike?

Kosova edhe sot është një precedent në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ishte Gjykata Ndërkombëtare ajo që e quajti të dejtë pavarësinë. Probleme me kufijtë ka shumëkush në botë. Ballkani vlon nga problem të tilla. N.q.s. do të kishim një ndryshim kufijsh në Kosovë, pa diskutim që këtë gjë do ta kërkonin serbët e Bosnjës apo boshnjakët në Mal të Zi apo shqiptarët në Maqedoni etj. Nuk e di askush se ku mund të ndalet. Nuk ka pse luhet me gjëra të tilla dhe nuk ka pse lihet të kuptohet sikur presidenti Trump, administrata e SHBA apo dikush me fuqi ndërkombëtare, është pas propozimit të Thaçit. Nuk duket se është kështu.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas