Dikur

Flet i arratisuri në vitin ‘71: Si e njoha Aleksandër Kondon në Amerikë, aksidenti fatal që i mori jetën

akimi i parë me Aleksandër Kondon, kampionin e peshëngritjes që u arratis në 25 maj të vitit 1985 dhe përjetimet nga çasti i aksidentit fatal, që i mori jetën atij në 1 maj të vitit 1987, kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e Kujtim Kallaxhiut. Nga mënyra si u kthehet këtyre dy ngjarjeve të pazakonta, i arratisuri i vitit ’71, të krijon përshtypjen se bën fjalë për një të afërt të tij, paçka se është njohur rastësisht dhe është ndarë me të papritur ditën e tragjedisë. Kallaxhiut i ka mbetur në mendje kontakti i parë me Kondon te piceria e Ramiz Danit në New York, ku është interesuar për të mësuar prej tij diçka mbi fatin e familjarëve, me të cilët kishte humbur lidhjet prej 20 vitesh.

 



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

(Ne foto, Kujtim Kallajxhi)


“Më erdhi keq që nuk kishte ndonjë njohje me ta, kujton ai, por prej tij mësova shumë për situatën në Shqipëri”. Nga ky çast, i mbërrituri rishtas në SHBA, ngeli miku i tij dhe, pavarësisht që s’i lidhte puna, gjenin kohë të ndanin me njëritjetrin, veç të tjerave, edhe mallin për vendlindjen. Aleksandri ishte djalë i shkathët, shprehet Kallaxhiu, po në SHBA nuk i priu fati; nuk pati një punë stabël, madje kohët e fundit jetonte me ndihmat e kishës Ortodokse Shqiptare në Queens, ku kryente edhe ndonjë punë të rëndomtë.

Përtej detajeve nga shoqëria me të, i arratisuri i vitit ’71 ka koleksionuar në memorie çastet e aksidentit fatal, për të cilat dëshmon me dhimbje, por edhe me një revoltë të brendshme që lidhet me zërat që vazhdojnë ta quajnë një vrasje të ish-Sigurimit të Shtetit. Po çfarë tregon tjetër për këtë histori Kujtim Kallaxhi…

Përveç Xhevdet Mustafës, keni njohur të tjerë shqiptarë të arratisur në SHBA?

Xhevdet Mustafa ishte shqiptari i parë që takuam në SHBA. Gjatë qëndrimit aty jam takuar me dhjetëra të tillë. Shqiptarët e Amerikës në përgjithësi bëjnë shumë për njëri-tjetrin. Edhe tani që kam vite i larguar, ruaj lidhje e miqësi me mjaft prej tyre. Ndër shqiptarët e fundit, që kam takuar, ka qenë Aleksandër Kondo, ai kampioni i peshëngritjes që u arratis në vitin 1985. Ishte djalë i veçantë ai, po vdiq aksidentalisht…

Në çfarë rrethanash jeni njohur me Aleksandër Kondon?

Aleksandrin e kam njohur porsa erdhi në Amerikë. Sa mora vesh për të, kërkova ta takoj. Në atë kohë takoja të gjithë të arratisurit që vinin ne New York, se doja të mësoja për familjen që kisha lënë në Shqipëri. Ca më tepër në rastin e tij, si një i arratisur që vinte nga Tirana. Kjo më jepte një lloj shprese se mund të mësoja ndonjë gjë për fatin e familjarëve, me të cilët kisha 20 vite që s’kisha asnjë komunikim…

Ku jeni takuar për herë të parë me Aleksandrin?

Takimi i parë ka qenë te piceria e shqiptarit Ramiz Dani, një ish-i arratisur nga Kruja në vitin 1944. Ai ishte nipi i Abaz Kupit dhe e kishe kthyer picerinë në një qendër takimi për të arratisurit nga Shqipëria. Piceria ishte në New York në lagjen Queens, periferia Kew Garden. Aty më ka prezantuar me të Ramiz Dani dhe kemi biseduar për orë të tëra. Më erdhi keq që nuk kishte ndonjë njohje me familjarët e mi, por mësova shumë për situatën në Shqipëri.

Ju tregoi Aleksandri si ishte arratisur nga Shqipëria?

Në fakt, Aleksandri nuk vinte në Amerikë nga Shqipëria. Me sa më tregoi atë natë, ai kishte qenë në një turne sportiv në Europë dhe që aty kishte shfrytëzuar rastin dhe ishte arratisur bashkë me shokun e tij, Xhelal Sukniqi. Ai më tregoi se gjatë kthimit në Shqipëri pas garave që kishin bërë në Poloni a Bullgari, nuk më kujtohet me saktësi, kishin qëndruar për të pushuar në Mal të Zi dhe që aty ishin shkëputur nga grupi dhe kishin përfunduar në Amerikë. Përveç kësaj, e kam pyetur atë natë edhe për motivin e arratisë, gjithnjë duke menduar për ndonjë histori represioni, por Aleksandri më ka befasuar duke më thënë që jo vetëm nuk i përkiste familjeve të goditura nga regjimi, por ai ishte djalë i një oficeri komunist që punonte në Gardën e Republikës. Ai nuk dinte t’i dredhonte të vërtetës…

E dinit ju që Aleksandri në atë kohë ishte kampion në peshëngritje?

Unë isha larguar nga Shqipëria që në vitin ’71 dhe nuk bëhej fjalë ta dija. Me historinë e tij si sportist kampion jam njohur te piceria e Ramiz Danit. Bisedat për sportin dhe shokët e tij, që kishte lënë në Tiranë, ishin nga më të preferuarat e Aleksandrit. Kishte një dashuri të jashtëzakonshme për sportin. Ishte rritur me të. Bile sportit ia dedikonte dhe trupin e bukur që kishte…

E ushtroi sportin e peshëngritjes në SHBA?

Në Amerikë nuk e ushtroi sportin, bile nuk bëri as përpjekjen më të vogël t’i rikthehej atij. U fut në punë, fillimisht në punë të rëndomta, që i ndërronte shpesh. Fati, me sa dukej, s’ishte me të. Po edhe ai vetë ishte i papërgatitur t’i vinte shpatullat punës. Jetesa në Tiranë dhe privilegjet si sportist, kishin bërë të vetën. Mbaj mend që me të ardhurat e para që siguroi bleu një makinë të përdorur të tipit “Nissan”. Atë e kishte pasion, po njëherazi kishte pasion shpejtësinë në udhëtimin me të. Po makina donte shërbime, që do të thoshte shpenzime ekstra. Të hollat, që kishte, nuk i mjaftonin. Ca më tepër që kohët e fundit mbeti dhe pa punë. Ishte kjo arsyeja që makinës ia kishte varur, aq sa shpesh udhëtonte vetëm me frenat e dorës. Të tjerat i kishin shkuar në disk. Këtë e shikoja me sytë e mi, sa herë hipja në makinën e tij…

Ju thoni se kohët e fundit mbeti pa punë. Me se jetonte ai?

Aleksandri, së fundi, kishte humbur vendin e punës dhe jetonte me të ardhurat modeste të kishës. Ai çdo të mërkurë dhe të diel shkonte në kishën Ortodokse Shqiptare në Queens dhe merrej me pastrime të ndryshme. Aty hante e flinte. Prej andej u nis edhe ditën kur bëri aksidentin…

Si ndodhi aksidenti?

Ka qenë ditë e diel, mëngjes. Dy shokë të Aleksandrit, shqiptarë dhe ata, të ardhur në Amerikë para gjashtë muajsh, erdhën në kishën ku rrinte Aleksandri dhe, pasi ndenjën me të pak minuta, dolën bashkë. Te rruga në hyrje të kishës hipën në makina dhe u nisën. Ata të dy në makinën e tyre, Aleksandri në “Nissan”-in e vet. Të vendosur në krahë të njëri-tjetrit, nisën të garojnë. Rruga ishte bosh (për ditë të diel aty s’kishte qarkullim). Aleksandri, si gjithnjë kishte maninë të ecte shpejt dhe që në start u shkëput me shpejtësi. Kur po ecte me furi, papritmas i doli para një makinë që u fut në korsinë e tij nga një kryqëzim dytësor pallogaritur shpejtësinë e tjetrit. Aty për aty Aleksandri i preu rrugën dhe ngaqë s’frenonte dot, për mos ta goditur, e hipi makinën në trotuar nga ana e vet. Në trotuar, për fatin e keq të tij, ishte një pemë shumë e trashë, me të cilën u përplas furishëm. Nga forca e goditjes, u thye xhami përpara dhe dera e krahut të majtë u shkatërrua plotësisht. Ishte një përplasje fatale…

Që do të thotë se vdekja ishte e pashmangshme…

Ndoshta s’do të ishte e tillë nëse Aleksandri do të kishte vendosur rripin e sigurimit. Në rrethana të tjera, siç pohonin ekspertët, mund të evitohej përplasja e kokës me hekurat e derës. Pikërisht nga kjo goditje, Aleksandri ra në gjendje kome…

Aleksandri ndërroi jetë që aty apo në spital?

Mbas aksidentit, shokët, me të cilët garonte, e morën ashtu gjysmë të vdekur e të mbytur në gjak dhe e transportuan në spital me makinën e tyre. Diçka e tillë, në të tilla rrethana, në Amerikë është krejtësisht e ndaluar. Mjekët e urgjencës që e pritën në spital, fillimisht pyetën se çfarë kishte ndodhur. Shokët e Aleksandrit që s’dinin anglisht, nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin. Si gjithnjë në kësi rastesh, u thirr Policia. Ekspertët e saj, për disa çaste, u munduan të mësonin nga dëshmitarët për rrethanat e aksidentit. Nga që s’po kuptoheshin, kërkuan një përkthyes. Ky ishte momenti kur unë u bëra pjesë e asaj historie të dhimbshme…

Pra, ju ndërmjetësuat midis Policisë amerikane dhe dëshmitarëve shqiptarë…

Thjesht bëra përkthyesin. Autoritet policore, që kërkonin dikë për t’u marrë vesh me dëshmitarët e aksidentit, erdhën te pizza e Ramiz Danit, që frekuentohej nga shqiptarët dhe aty, pas rekomandimit të pronarit, më besuan të bëja ndërmjetësimin me shokët e Aleksandrit. Shkova pa hezitim. Para se të filloja punë, hetuesit amerikanë më kërkuan kartën e identitetit dhe më vunë të bëja betimin. Në fund, me orientimin e tyre, firmosa gjithë tekstin e përkthyer në anglisht…

E gjetët gjallë Aleksandrin kur shkuat?

Ai kishte ndërruar jetë menjëherë pas aksidentit. Kur shkova unë, trupi i tij ishte në morg. Shokët që e kishin sjellë aty, më treguan se pas përplasjes nuk kishte folur më. Ndërkaq, mjekët që e kishin pritur, thanë se kishte ardhur pa jetë në spital…

Kush ishin dy shokët e tij, me të cilët bëri gara atë ditë?

Njërin e quanin Petrit Aruçi dhe tjetrin Bashkim Kulla. Me sa di, Petriti ndodhet akoma në Amerikë, ndërsa Bashkimin më kanë thënë se e deportuan nga SHBA-ja mbasi doli nga burgu. Nuk më kujtohet pse e kishin dënuar. Të dy ishin arratisur nga Shqipëria dhe ishin vendosur aty para gjashtë muajsh…

Në Tiranë, në atë kohë flitej se Aleksandrin e varrosën pa ceremoni mortore…

Kjo nuk është e vërtetë. Për përcjelljen e tij u organizua një ceremoni model me të gjitha ritet e zakonshme. Në të morën pjesë rreth 300 emigrantë shqiptarë. U varros në varrezat publike në Queens, “Cyprus Cementery Hills”. Ishte një fatkeqësi që na tronditi të gjithëve. Aleksandri, në pak kohë në SHBA, kishte krijuar një emër të mirë, se ishte vërtet një djalë i shkëlqyer, i komunikueshëm dhe i përkushtuar në shoqëri…

A është e vërtetë se shokët e tij bënë përpjekje për ta sjellë në Shqipëri trupin e Aleksandrit?

Diçka më ka zënë veshi për këtë, por të mendoje të sillje në Tiranë trupin e një të arratisuri në regjimin e Enverit, ishte herezi. E dinin këtë të gjithë shokët e Aleksandrit, por dhimbja e momentit i rrëmbente dhe aty për aty nuk dinin ç’të bënin. Dikush ndër ta orientoi të shkonim në ambasadën shqiptare për çështje procedurash. Një tjetër propozoi të kërkonim ndërmjetësimin e autoriteteve amerikane. Përfundimisht u vendos ta varrosnim aty. Dhe ashtu u bë…

Prej shumë kohësh, në Shqipëri kanë qarkulluar zëra, sipas të cilëve aksidenti ka qenë një operacion i fshehtë i Sigurimit të Shtetit. Ju keni qenë dëshmitar i ngjarjes, a të linte të dyshoje mënyra si kishte ndodhur ajo?

Më kanë pyetur për këtë edhe shumë të tjerë kur kam ardhur për herë të parë në Tiranë. Ndër ta, edhe familjarë e të njohur të Sandrit. Unë, në të gjitha rastet, jam përgjigjur me logjikën e faktit. Ai ishte një aksident, siç jua përshkrova. Një aksident fatal që i mori jetën atij…

Një aksident nga shpejtësia, nga mungesa e frenave dhe rripit të sigurimit…

Unë s’jam ekspert. Ekspertët dolën në këto përfundime. Kjo ishte edhe bindja ime, si shofer i vjetër dhe mekanik me përvojë. Sigurimi i Shtetit vërtet ka bërë shumë marrëzira, qoftë edhe të këtij lloji, por jo çdo fatkeqësi, jo çdo aksident, mund t’i faturohet atij.
Burimi: http://www.panorama.com.al/ekskluzive-i-arratisuri-i-vitit-71-si-u-njoha-me-aleksander-kondon-ne-amerike-aksidenti-fatal-qe-i-mori-jeten-pjesa-iii-e-plote/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas