Kryesore, Politika

Flet eksperti i Venecias / Ja si mund të votojnë emigrantët me postë, por nuk shmanget…

Mundësia e votimit të shqiptarëve që janë jashtë vendit, sipas Komisionit të Venecias përmban rreziqe dhe kosto të larta për buxhetin e shtetit. Në raportin e hartuar nga eksperti zgjedhor i Komisionit të Venecias jepen katër opsione që mund të ndjekë Shqipëria për t’u mundësuar emigrantëve pjesëmarrjen në zgjedhje. Por secila prej tyre ka rrezikun që të manipulohet ose të mos jetë efektive.

Dy forcat kryesore, PS dhe PD, kanë shprehur dëshirën për të aplikuar votimin e emigrantëve nëpërmjet postës. Por, sipas ekspertit zgjedhor, Iurie Ciocan, votimi me postë aplikohet në disa vende të botës, por kjo metodë kërkon zgjatjen e periudhës zgjedhore nga 30 ditë që është aktualisht, në 90 ditë. Kjo zgjatje do të shkaktonte kosto të lartë për buxhetin e shtetit, por në të njëjtën kohë dhe për partitë politike.



Por rrezik kryesor është mosshmangia e mundësisë së votimit familjar. “Ekziston risku i shkeljes së fshehtësisë së votës ose risku i votimit nga një person vetëm për një familje të tërë. Disa shtete kanë vendosur një filtër, duke kufizuar numrin e aplikimeve për votim nga jashtë vendit, që mund të depozitohen nga një adresë e caktuar.

Vlen gjithashtu të theksohet, se zarfet që mbërrijnë në qendrën e nxjerrjes së rezultateve pas mbarimit të afatit nuk merren parasysh, gjë që kërkon kontroll shtesë nga institucionet shtetërore dhe vëzhguesit zgjedhorë, lidhur me cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve postare”, thuhet në raportin e Komisionit të Venecias.

AMBASADAT

Një ndër mundësitë është dhe ngritja e qendrave të votimit në selitë diplomatike apo në konsullatat jashtë vendit. Por edhe ky variant ka pengesa serioze, pasi në çdo qendër votimi duhen 12 kuti votimi dhe fletë të ndryshme për çdo qark.

Në rast se edhe kjo mundësohet teknikisht, rreziku është që shumë votues të mbeten pa shprehur vullnetin e tyre. “Kapaciteti thithës i një qendre votimi prej 7-9 zyrtarësh është maksimumi 3-3.5 mijë zgjedhës për ditën e votimit, që mund të jetë e pamjaftueshme në rastet kur përqendrimi i zgjedhjeve në një zonë të caktuar është më i madh sesa aftësia e shtetit për të menaxhuar në mënyrë efikase një numër të madh qendrash votimi nga jashtë vendit. Raste kur jo të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në qendër votimi nuk do të kenë mundësi të votojnë, mund të degjenerojnë në akte të padëshiruara”, thekson eksperti. Por edhe shtrirja e votimit në dy ditë të ndryshme shton rrezikun e cenimit të procesit. “Shtrirja e votimit nga jashtë vendit në dy ditë i dyfishin koston dhe risqet e larta të integritetit të materialeve dhe pajisjeve zgjedhore, si dhe të sigurisë së votave të hedhura ditën e parë. Në të njëjtën kohë, numri i votave mund të rritet ndjeshëm”, shkruhet në raport.

DELEGIMI DHE VOTIMI ME FAKS

Dy variantet e tjera janë votimi nëpërmjet faksit, i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Por kjo krijon mundësinë e dekonspirimit të votës dhe konsiderohet nga Komisioni Venecias si metodë e dështuar. Kurse varianti i katërt është delegimi i votës. “Aplikimi i kësaj procedure kërkon një nivel të avancuar besimi dhe kulture politike në mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore. Me këtë model, qytetari i delegon një qytetari tjetër përmes një akti zyrtar të drejtën për të marrë pjesë në votim në emrin e tij/saj”, thuhet në raport, por në rastin e Shqipërisë kjo nuk rekomandohet, pasi “risqet e kësaj procedure janë më të mëdha sesa përfitimet e dukshme”.

MODELET E VOTIMIT PËR EMIGRANTËT

VOTIMI ME POSTË

Periudha e zgjedhjeve duhet të jetë minimalisht 90 ditë.

Zgjatja e periudhës zgjedhore, e cila do të paraqesë kosto shtesë, si për buxhetin e shtetit ashtu dhe për garuesit në zgjedhje.

-Ekziston risku i shkeljes së fshehtësisë së votës ose risku i votimit nga një person vetëm për një familje të tërë. Disa shtete kanë vendosur një filtër, duke kufizuar numrin e aplikimeve për votim nga jashtë vendit që mund të depozitohen nga një adresë e caktuar. Vlen gjithashtu të theksohet, se zarfet që mbërrijnë në qendrën e nxjerrjes së rezultateve pas mbarimit të afatit nuk merren parasysh, gjë që kërkon kontroll shtesë nga institucionet shtetërore dhe vëzhguesit zgjedhorë, lidhur me cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve postare.

VOTIMI NË MISIONET DIPLOMATIKE

Kapaciteti thithës i një qendre votimi prej 7-9 zyrtarësh është maksimumi 3-3.5 mijë zgjedhës për ditën e votimit, që mund të jetë e pamjaftueshme në rastet kur përqendrimi i zgjedhjeve në një zonë të caktuar është më i madh sesa aftësia e shtetit për të menaxhuar në mënyrë efikase një numër të madh qendrash votimi nga jashtë vendit. Raste kur jo të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në qendër votimi nuk do të kenë mundësi të votojnë mund të degjenerojnë në akte të padëshiruara. Shtrirja e votimit nga jashtë vendit në dy ditë i dyfishon koston dhe risqet e larta të integritetit të materialeve dhe pajisjeve zgjedhore, si dhe të sigurisë së votave të hedhura ditën e parë. Në të njëjtën kohë, numri i votave mund të rritet ndjeshëm.

VOTIMI NGA JASHTË VENDIT ME FAKS

Praktika e votimit, duke përdorur pajisjet e transmetimit të të dhënave përmes faksit është moralisht dhe teknologjikisht mjaft e vjetër dhe nuk vlen të trajtohet në kontekstin e këtij studimi. Në 100% të rasteve, ajo përfshin nxjerrjen e sekretit të votimit, për shkak se zgjedhësi duhet ta dërgojë opsionin e tij zgjedhor të shfaqur në një fletë të thjeshtë, në një numër të caktuar telefoni/faksi brenda një periudhë të kufizuar kohe.

VOTIMI PËRMES PËRFAQËSUESIT LIGJOR

Aplikimi i kësaj procedure kërkon një nivel të avancuar besimi dhe kulture politike në mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore. Me këtë model, qytetari i delegon një qytetari tjetër përmes një akti zyrtar të drejtën për të marrë pjesë në votim në emrin e tij/saj. Në vendet, ku kultura politike është në fazë rritjeje dhe ku po lindin e zhvillohen tradita të reja politike, risqet e kësaj procedure janë më të mëdha sesa përfitimet e dukshme. / Panorama

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas