Kryesore, Mapo Format

Flet Dekania e Studentëve në UET: Sugjerime për të mos u humbur për të sapodiplomuarit

Erdhi dita e shumëpritur, festa e madhe e diplomimit në UET. Në orën 19:30 do të jenë të pranishëm  studentë të ciklit Bachelor, Master Profesional dhe Master Shkencor, familjarë të tyre dhe pedagogë në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, për të mbështetur “kapelat e reja që do të hidhen”, e që do t’i japin ngjyrën e kaltër sot vendit. Për të na folur rreth këtij çasti mjaft të rëndësishëm si për shkollën, si për studentët dhe familjarët e tyre, kush mund të na përgjigjej më mirë sesa profesoreshë Odeta Cacaj, Dekane e Studentëve, që i gjendet pranë më shumë se kushdo tjetër studentëve në kërkesat dhe paqartësitë e tyre. 

Biseduan: Ada Kacmoli dhe Nikollaq Zhezha



Çfarë pritet sot në ditën e diplomimit të studentëve  si nga ana organizative ashtu dhe nga pjesëmarrja e figurave të rëndësishme që do të referojnë me fjalime hyrëse para spektatorëve? 

Në fakt ajri i festës ndihet që prej dy- tre ditësh. Shikoj studentë që marrin veshjet, i provojnë ato, bëjnë foto përpara banerave të ceremonisë së diplomimit. Ky event nuk është vetëm një event diplomimi për universitetin në lidhje me stafin akademik dhe studentin në vetvete, por është një event komunitar. Familja është e para që kontribuon në arsimimin e studentit, thjesht për faktin që na beson fëmijën e vet në udhëtimin drejt karrierës së tij në momentin që ai studion, shkon drejt tregut të punës. Kur kemi prindërit dhe studentët në ambientet tona është një kënaqësi sepse diplomimi është një status, një background, një identitet. UET do shndërrohet në një ambient shumë të  bukur sot, përveç faktit që do të flasin dhe tre personazhe që kanë bërë histori në fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe mediatike në Shqipëri si Grigor Joti, një nga biznesmenët më të njohur e më të fuqishëm në vend, gazetari i mirënjohur Filip Çakuli, i cili mbush plot 40 vite të plota në jetën e tij në media si profesionist si dhe guvernatori aktual i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Pra janë përfaqësues të tre fushave të ndryshme që do t’u japin mesazhe shumë të rëndësishme studentëve, sepse ata sot kanë nevojë për fjale që përcjellin, godasin dhe lënë shenjë, që motivojnë dhe u japin një kuptim ideve apo ambicieve të tyre. Studenti sot me marrjen e diplomës dhe me festimin e arritjes së suksesit ka arritur një sukses në komunitetin tonë.

Çfarë do t’i sugjeronit një studenti të sapodiplomuar që përballet me tregun e punës?

Ajo çfarë është e nevojshme sot për një fillestar në tregun e punës lidhet me internshipet e shumta, eksperiencat e marra në institucione apo kompani të ndryshme në varësi të profilit të studentit. Unë do të këshilloja që të bëjnë sa më shumë trajnime, sepse sot profesionalizmi është një çështje kryesore. Nëqoftëse flasim për një diplomë Bachelor-i, i duhen sa më shumë trajnime për të hyrë në treg. Sot tregu i punës ta kërkon patjetër një diplomim apo cikël të dytë të studimeve , për të plotësuar sa më shumë kërkesat e tij. Kjo është një mënyrë për t’u formuar individi si nga ana personale, akademike dhe shoqërore. Masteri i jep një kornizë më të plotë studentit, dijes apo përgatitjes së tij për të arritur në tregun e punës. Ambicia dhe vullneti nuk të lënë asnjëherë mbrapa.

Si ndikon marrëdhënia pedagog –student në produktivitetin e tij në të ardhmen?

Kjo lloj marrëdhënie nuk do të thotë që humbet etika, por hiqen barrierat e forta midis atij që e përcjell dijen dhe atij që e mirëpret atë. Duhet një kanal komunikimi shumë i afërt, profesional dhe me etikë normalisht. Por ky interaktivitet jep më shumë mundësi për përpunim të mendimit kritik të studentit  dhe në të njëjtën kohë studenti shprehet, dhe duke u shprehur normalisht formohet dhe kupton që gjërat janë shumë herë më të  thjeshta kur komunikon dhe kuptohen më mirë konceptet dhe përcillen nëpër aulat e universitetit.

Si ndikon interaktiviteti në përcjelljen e dijes dhe mendimit?

Që një leksion të jetë sa më interaktiv dhe dinamik, atëherë pedagogu duhet t’i aktivizojë sa më shumë studentët në orët mësimore, përveçse seminarit në vetvete, sepse shikohet që në të vërtetë dija nuk jepet, por ajo përcillet, përpunohet, interpretohet sipas mendimit të lirë. Interaktiviteti është gjithmonë stimulimi, hapja e diskutimeve, koncepteve,  temave duke i  lidhur dhe me çështjet aktuale, që vijnë nga ana ekonomike, psikologjike, sociale dhe juridike që të bëhen sa më të prekshme dhe të kuptueshme nga studentët.

Sa është numri i të diplomuarve dhe çfarë tregojnë këto shifra?

Rreth 680 studentë, duke përfshirë ciklin Bachelor, Masterin Profesional dhe atë Shkencor, diplomohen sot në UET. Kjo shënon një arritje shumë të madhe si për studentët dhe për universitetin. Është gjithmonë  një kënaqësi kur hidhen kapelet e diplomimit. Dhe sa më shumë kapele të hidhen aq më shumë sukses pasqyrohet për këtë universitet.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas