Kryesore, Mapo Format

Flet dekani i Fakultetit Juridik në UET, Ferit Duka: Si do e marrë në duar sistemin e drejtësisë brezi i ri i studentëve

Reforma në drejtësi ka krijuar kushte e mundësi të reja për punësimin e studentëve të Fakultetit Juridik të UET. Për të folur rreth formimit etik dhe profesional, aftësitë dhe përgatitja e studentëve të sapodiplomuar të Fakultetit Juridik në UET, si dhe për sfidat me të cilat ata do të përballen në procesin e reformimit të drejtësisë shqiptare, ne i morëm këtë intervistë të shkurtër Prof. Dr. Ferit Dukës, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës.

Biseduan: Ada Kacmoli dhe Niko Zhezha



Në ceremoninë e diplomimit në UET ju u shprehët se brezi i ri i sapodiplomuar në Fakultetin Juridik në UET, do të kontribuojë fuqishëm në përtëritjen e drejtësisë në Shqipëri. A mendoni se ata do t’ia dalin mbanë?

Brezi i ri i studentëve të sapodiplomuar të Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës është një brez i mirëshkolluar, një brez i cili ka mbaruar një universitet me kërkesa të rrepta për cilësinë e përgatitjes së studentëve. Unë mendoj që ky kontigjent i studentëve, të cilët mbaruan tani  studimet e niveleve Bachelor dhe Master, do të përballen me një treg pune, i cili siç e dini edhe ju, është bërë sot shumë dinamik, për arsye se në vendin tonë është në zhvillim e sipër reforma në drejtësi. Unë kam shprehur bindjen edhe në fjalimin që mbajta në Ceremoninë e Diplomimit, se brezi i ri i studentëve është ai i cili do të marrë në duar administrimin e sistemit të drejtësisë, do t’i japin impulse të reja funksionimit të tij mbi bazën e parimeve dhe normave në të cilat mbështetet sot drejtësia në vendet demokratike të Perëndimit.

Unë shpresoj shumë që ky brez i ri studentësh të diplomuar nga universiteti ynë do të përballojnë me sukses nevojat dhe kërkesat që ka sistemi i drejtësisë sot në Shqipëri, do të tejkalojnë me sukses sfidat që i paraqiten këtij sistemi në transformim e sipër. Diplomat tona do të jenë në gjendje që të demonstrojnë jo vetëm nivelin e duhur të dijeve që kërkon puna në këtë sektor sa delikat aq edhe jetik për shoqërinë, por do të demonstrojnë edhe një etikë të re për të cilën ka nevojë figura e gjyqtarit apo e prokurorit në ditët e sotme, do të vendosin një standard të ri në komunikimin me qytetarët, do të kenë një marrëdhënie të shëndoshë me ligjin, pra shkurt, do të jenë të aftë që ta mbajnë gjithnjë drejt dhe të “kalibruar” si duhet peshoren e drejtësisë në vendin tonë.

Reforma në drejtësi po i zbraz gjykatat. A mendoni që ky brez i ri i sapodiplomuar do të jenë të aftë të zëvëndësojnë denjësisht të larguarit nga reforma në drejtësi?

Një pjesë të mirë të përgjigjes e parashtrova edhe më sipër, por dua të shtoj që brezi i ri i studentëve mund të japë kontribut cilësor, mund të japë kontribut real në shëndoshjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nëse është në nivelin e përgjëgjësive që i kërkohen, nëse nuk e mbyll të mësuarit me marrjen e diplomës. Ata duhet të punojnë pa pushim për të mësuar sa më shumë nga eksperienca pozitive shqiptare dhe ajo e huaj, të ngrenë pareshtur nivelin kulturor dhe profesional, shkurt, duhet të kualifikohen gjithnjë e më shumë, sepse vetëm kështu do të mund t’i përballojnë kërkesat që shtron koha.

Çfarë roli luan etika në punë dhe si mund t’i ndihmojë studentët në të ardhmen?

Etika është një nga cilësitë kryesore të një njeriu që vendos të punojë në sistemin e drejtësisë. Historia e sistemit të drejtësisë në Shqipëri ka treguar qartë defekte serioze të etikës së njerëzve që kanë punuar brenda këtij sistemi. Prandaj jam i bindur, siç e thashë edhe më sipër, se formimi i shëndoshë kulturor dhe profesional, pa etikën e duhur është krejtësisht i pamjaftueshëm për ushtrimin e profesionit fisnik të gjyqtarit, të prokurorit, pra të njeriut të drejtësisë. Kështu që mendoj se etika ka një rol të madh në figurën e këtyre individëve që nesër do të jenë punonjës të sistemit të drejtësisë dhe që është përcaktuese jo vetëm në zbatimin e saktë dhe pa hezitim të ligjit, por edhe në vendosjen e një standardi të ri në marrëdhëniet e tyre me qytetarët, me njerëzit të cilët kanë nevojë për drejtësinë e vërtetë.

Çfarë mendoni për punësimin e studentëve, në kushtet kur tregu i punës në vend dhe përfshirja në të, bëhet gjithnjë e më e vështirë?

Unë jam i ndërgjegjshëm që brezi i ri, studentët që mbarojnë  universitetin, kanë një numër vështirësish për të përballuar në gjetjen e punës, dhe padyshim që Shqipëria ka nevojë akoma që të rregullojë e të përsosë të gjithë mekanizmat që kanë të bëjnë me tërheqjen e të rinjve në punë, me punësimin e tyre, përfshirë këtu edhe punësimin e studentëve që mbarojnë Fakultetin Juridik. Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti që duhet të hiqet dorë nga qëndrimet partiake, politike, në çështjet e punësimit dhe kam përshtypjen se nëqoftëse ne vendosim standarte europiane në lidhje me tërheqjen e studentëve në tregun e punës, në punësimin e studentëve që mbarojnë edhe Fakultetin Juridik, por edhe fakultetet e tjera, padyshim që punësimi i tyre do të jetë një gjë më e lehtë, do të jetë një gjë më e garantuar dhe do të kënaqë më mirë kërkesat e studentëve për të gjetur një punë të përshtatshme. Natyrisht kjo lidhet në radhë të parë me formimin dhe cilësitë që ka studenti, me nivelin e njohurive që posedon dhe gjithçka tjetër që duhet për t’u punësuar në këtë sistem.

Si paraqitet volumi i dijeve që merr studenti sot në krahasim me kërkesat e kohës?

Sot ne jemi para një “oqeani” informacioni, jemi “të bombarduar” nga një fluks i jashtëzakonshëm informacioni që vjen nga interneti, librat, media e shkruar dhe ajo vizive. Ajo që ka rëndësi është që natyrisht studentit të sotëm i duhet një volum i konsiderueshëm dijesh për të përballuar sfidat e reja që ka tregu i punës. Por mbi të gjitha unë theksoj një gjë, është me rëndësi që dijet të jenë të shëndosha e të qëndrueshme. Dijet që kanë lidhje sidomos me fushën për të cilën studenti diplomohet, padyshim që kanë rëndësi themelore. Nuk mund t’i dish të gjitha, nuk mund t’i mësosh të gjitha, por ama ti duhet të jesh i orientuar saktë në atë që duhet të përvetësosh, në atë që duhet të mësosh, që të jesh i zoti për të përballuar një punë të caktuar që të jepet në rastin konkret, brenda sistemit të drejtësisë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas