Mapo Format, Mapo Letrare

Fjalori politik i Berishës/ Lela promovon doktoraturën e mbrojtur në UET

Gazetari dhe publicisti Alfred Lela ka promovuar dje, librin “Ut heri dicebamus”, Fjalori politik i Berishës, ’90-92, me pasthënie të Besnik Mustafajt. Lela kurorëzon në një botim punimin e tij doktoral pranë Universitetit Europian të Tiranës

Si mund të lexohet në një distancë kohe lideri historik shqiptar, Sali Berisha, dhe pas tij një histori politike e Shqipërisë së pas ’90-ës?! Pa ndjenjën e patetikës, por referuar një raporti mbi teoritë e komunikimit politik libri i gazetarit dhe publicistit Alfred Lela, “Ut heri dicebamus”, Fjalori politik i Berishës, ’90-92, është vlerësuar dje në promovimin e tij, si një nga librat më të mirë të shkruar për politikën shqiptare bashkëkohore.



Në fakt, Lela kurorëzon në libër doktoraturën e tij të mbrojtur në Universitetin Europian të Tiranës. “Në raport me Sali Berishën është i pari libër profesional, si metodologji dhe cilësi shkrimi. Në të mungon zelli i servilizmit dhe shërbestarisë së llogaritur; po ashtu gjuha e tharë e patetikës ideologjike e fermentuar nga urrejtja.

E sheh atë në distancë, pa interes, por me respekt, pa anësinë e së mirës apo të keqes, por me racionalitetin e konstatimit! Alfred Lela ka krijuar modelin se si mund të lexohet një burrë shteti shqiptar i bashkohësisë. Këtë shërbim është nisur t’ja bëjë shoqërisë, anipse i shërbyer del edhe Sali Berisha. Dhe, në fakt, pas leximit, personazhi objekt studimi për ligjërimin e tij të viteve ’90 -’92, mirëkuptohet më tepër, paditet më shumë, fshihet më pak. Një kapërcyell historik nga më të rëndësishmit e kombit tonë, shefi i opozitës në ditët e para të saj shfaqet më shumë si prijës sesa politikan dhe, sa më tepër i përshtatet politikës dhe ligjësive të saj gjithaq humbet gravitetin e Prijësit për petkun e politikanit.

Por, Sali Berisha ka synuar pushtetin, jo vetëm lëvizjen përmbysëse, dhe për atë ka ndërtuar ligjërimin që ia mundëson atë, një ligjërim që ndan duke tentuar shumicën elektorale me strukturimin e diskurseve. Lela na e rrëfen këtë metamorfozë ditë pas dite.

Me një metodologji e cila mbledh disa nga figurat kryesore të komunikimit politik, por edhe të studiuesve të ideologjisë, të shekullit 20, ai vërteton e ndërton saktësisht, atë që Besnik Mustafaj ka parë nga afër, pothuaj prekur me dorë, e shprehur në parathënie, që “Sali Berisha ndihej shpirtërisht dhe me arsye i djathtë, jo deomos si rrjedhim i formimit kulturor dhe ideologjik gradual, por si rrjedhim i qëllimit që i kishte vënë vetes dhe misionit të madh që kishte marrë përsipër, në përgjigje të nevojës urgjente që kishte shoqëria shqiptare dhe kombi për çmontimin e sistemit stalinist, sistem ky që përfaqësohej nga e majta, e strehuar ende te Partia e Punës më pas Partia Socialiste”.”, është shprehur studiuesi Agron Gjokmarkaj.

Më tej Gjokmarkaj thotë se “Alfred Lela tenton ta tërheqë drejt historisë vetëm me dy vitet e tij të para, paçka se, me nderim studiuesi dhe pa emfazë militanti a hallexhiu që kërkon diçka në këmbim. Por, Sali Berisha përpiqet ende të mos joshet nga streha e re, edhe pse tundimet i shfaq herë pas here në forma të ndryshme. Lela i ka hapur derën dy kanatësh duke e vënë në krye të odës së burrave të djathtë të këtij vendi. Mënyrën dhe kohën e zgjedh vetë; me vrik a dalngadalë, me sokëllimë a në majë të gishtave në muzg…”

Vetë Lela u shpreh se libri i tij sjell një fotografim të një periudhe historike të gjenezës së asaj që mund të quhet pluripartizmi, demokracia apo tranzicioni në Shqipëri, dhe si e ndikon atë një protagonist kryesor si Sali Berisha. “Arsyeja se pse zgjodha këtë periudhë ka të bëjë me ngushtin e fokusit të studimit. Umberto Eco sugjeron: Mos bëni studime mbi natyrën e gjithësisë, ngushtojeni rrezen e asaj që analizoni”.

Në pasthënien e tij, shkrimtari e politikani Besnik Mustafaj, duke ftuar lexuesit drejt librit të Lelës, shprehet se Lela “ka rigorozitetin e shkencëtarit në kërkimin e fakteve, që do të analizohen, ka metodologjinë e qartë për parashtrimin e lëndës, ka rrjedhimisht edhe neutralitetin e dobishëm në nxjerrjen e përfundimeve”. Më tej Mustafaj si njohës i politikës ndalet në faktin se duke qenë “një dëshmitar i brendshëm në historinë e zhvilluar tashmë, njohës i afërt i Sali Berishës kohë para se të fillonte përmbysja, me të qysh në ditën e parë të historisë e në vazhdim dhe për më tepër shkrimtar, pra, njeri i prirur natyrshëm për të mbajtur shënime në fund të ditës.

Me këto kushte, dashje pa dashje unë jam një lexues i veçantë i këtij punimi dhe mund të shërbejë, në njëfarë mënyre, si një pasqyrë konkave për projeksionin e autorit, ku ne, në sjelljen dhe në komunikimin tonë publik, një çerek shekulli më vonë, dukemi më të mirë nga ç’kemi qenë, në kuptimin që ngjajmë shumë më të qartë për rrugën që po ndiqnim për arritjen e qëllimit tonë politik dhe më të strukturuar në ligjërimin tonë publik. Në të vërtetë, e them pa modesti, sidomos në fillim, ne ishim shumë më intuitivë në reagimet tona se sa logjikë”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas