Kryesore, Mapo Format

Fituesja e Bursës Pashko në UET, Xhena Vrapi: Zgjodha psikologjinë jo vetëm prej pasionit, por për të ndihmuar vëllanë tim autik

Xhena Vrapi është maturantja e parë që shpallet fituese e bursës “Pashko”, për vitin akademik 2018-2019 për të kryer studimet e saj pranë Universitetit Europian të Tiranës. Historia e saj është një histori këmbënguljeje dhe sakrifice, por mbi të gjitha një histori ku dashuria triumfon mbi çdo pengesë që jeta të vë përpara në rrugën drejt lumturisë.

Që prej diagnostikimit në moshën 18 muajsh të vëllait të saj Lorencos, me autizëm, e deri më tani, jeta e familjes së Xhenës ka ndryshuar thellësisht. Të gjendur përballë një situate të vështirë, me një gjendje shëndetësore për të cilën fillimisht nuk kishin njohuri, përpjekjet për të përmirësuar shëndetin e Lorencos kanë qenë të pafundme dhe me një kosto jo të vogël.



Ndonëse ende fëmijë kur u prezantua me një realitet të ri, Xhena, gjeti në vete një forcë të rrallë. Ajo u bë pjesë e pandarë e përkujdesit që familja i dedikonte çdo ditë vëllait të saj, mësonte me të, e çonte çdo ditë në qendrën e trajtimit, kujdesej për të ndërkohë që prindërit punonin për të fituar paratë e nevojshme, tashmë jo vetëm për të jetuar por për t’i “dhënë jetë” sërish Lorencos.

“Unë jam kujdesur për vëllanë tim Lorencon që e vogël, që kur mësuam se kishte çrregullimin e autizmit. Unë pavarësisht se isha e vogël, rreth shtatë vjeç e gjysmë, fillova ta kuptoj mirë se çfarë problemi kishte, sepse edhe në familje u krijua njëfarë çrregullimi. Vështirësitë kanë qenë të shumta. Lorenco ishte në të njëjtën shkollë me mua dhe e kishte mësimin pasdreke, ndërsa unë paradite. Sapo mbaroja mësim, shoqëroja vëllain deri në klasë, i jepja çantën dhe shpesh qëndroja në mësim me të. Madje edhe mësueset edhe nxënësit e tjerë, më shihnin si pjesë të klasës së tij, për shkak të pranisë sime aty. Unë shkoja në shkollë në mëngjes dhe dilja në orën pesë pasdite bashkë me vëllanë. Patjetër që edhe mamaja qëndronte aty në shkollë dhe më ndihmonte”.

Mamaja e Xhenës tregon se vështirësitë kanë qenë të shumta, që nga ato ekonomike, pasi trajtimi i një fëmije autik ka nevojë për shumë shpenzime, deri tek ato sociale, që kishin të bënin me refuzimin e shoqërisë ndaj gjendjes së Lorencos e më pas përkundrejt përpjekjeve të familjes për ta përmirësuar atë. Megjithatë Xhena sot, pas përfundimit të shkollës së mesme profesionale, Hoteleri-Turizëm, me nota shumë të mira, e gjen veten përballë një realiteti të ri. Ashtu siç e kishte përfytyruar vetëm në dëshirat e saj më pasionante, e ardhmja e saj profesionale i përket fushës së Psikologjisë.

Ky ndryshim 180 gradë në perspektivën e së ardhmes, vjen falë bursës që ajo ka fituar, për studimin e plotë trevjeçar, falas, në Universitetin Europian të Tiranës, në degën Psikologji. Kjo bursë krahas tarifës 0 shoqërohet me 250 mijë lekë çdo muaj, për 36 muaj rresht, në mënyrë që Xhena krahas shkollimit të mund të përballojë shpenzimet e jetesës.

“Psikologjia ka qenë qysh herët pasioni im. Gjithnjë kam patur ëndërr të studioj për këtë degë. Lidhja ime me psikologjinë forcohet edhe më tepër për shkak të dëshirës që unë kam për të ndihmuar Lorencon me anë të saj. Duke qenë se e kam frekuentuar qendrën e Lorencos që e vogël, jam përshtatur disi me këtë fushë ende pa nisur studimet. Unë hyja bashkë me të gjatë orarit të terapisë, mësoja mbi funksionimin e saj dhe tërhiqesha akoma më shumë nga fëmijët dhe bashkëbisedimi me ta. Vëllai më dha një shtysë të fortë që ma bëri më të plotë këtë mendim. Ndonjëherë njerëzit thonë që mua më ka shtyrë mami në këtë zgjedhje, por kjo ka qenë edhe dëshira ime”.

Xhena tregon se për shkak të vështirësive ekonomike që janë të shumta, shpesh i ka shkuar në mendje edhe fakti se mund të mos e vazhdonte arsimin e lartë.

“Unë e dija që do ta kisha të vështirë për të vazhduar shkollën, madje edhe të mesmen. Por me shtysën e mamit dhe përmirësimin e Lorencos, mendova pse mos të kërkoj një ndihmë kur e kemi të nevojshme. Kështu që erdhëm në UET dhe aplikova për bursën ‘Pashko’ pasi e mendova si mundësinë më të mirë që kisha për t’u shkolluar në degën që dua”.

Lajmin e bukur se është fituese e bursës “Pashko” Xhena e mori në emisionin “E diela Shqiptare” në rubrikën “Ka një mesazh për ty” ku administratori i UET, prof. asoc. dr. Arbi Agalliu, i komunikoi rezultatin e shumëpritur të aplikimit të saj. Kjo ishte një surprizë e bukur si për Xhenën ashtu edhe për mamanë e saj e cila e kishte ftuar në këtë emision.

“Unë kur mësova lajmin se isha fituese e bursës u emocionova shumë. Kur pashë profesorin, u shtanga në vend. Neve nuk na shkonte mendja kurrsesi të merrnim atë lajm në mënyrë të tillë, sepse qëllimi i mamasë sime ishte thjesht të përcillte një mesazh ndaj meje dhe publikut. Ishte një surprizë e paimagjinueshme. Nuk e prisja dhe jam shumë e gëzuar. Mendoj se kjo arritje është shpërblim i një lufte që kemi bërë tre veta, unë, mamaja dhe Lorenco”.

Ndërkohë edhe mamaja e Xhenës, Edlira Vrapi, krenare për arritjen e vajzës së saj, shprehet shpresëplotë për të ardhmen.

“Vështirësitë kanë qenë gjithmonë. Në një anë të luftosh për të përmirësuar gjendjen e djalit, dhe nga ana tjetër të durosh fjalët e njerëzve mbi shpatulla, nuk është e lehtë. Megjithatë sakrificat tona kanë filluar të shpërblehen. Me këtë bursë Universiteti Europian i Tiranës nuk i ndryshon jetën vetëm Xhenës, por edhe Lorencos. Të paktën tani jam e qetë se Xhena do të bëhet dikush në jetë dhe që do të vazhdojë të jetë mbështetje për vëllanë e saj”, rrëfen ajo.

Xhena do të fillojë studimet e saj në degën psikologji në këtë vit akademik 2018-2019 dhe shprehet e entuziazmuar për momentin kur do të bëhet për herë të parë pjesë e auditorëve të UET.

“Më duket si ëndërr. Mezi po e pres momentin kur do të shkel për herë të parë në auditorët e UET si studente e tij dhe atëherë sigurisht do të jetë realizuar gjithçka. Një sfidë e re më pret përpara dhe unë jam e bindur se edhe këtë herë, me përkushtim, do arrij të realizoj objektivat e mi”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas