Kryesore

Fevziu: Si e prita djegien e librit, kopertinën e zgjodha vetë të ngjashme me Stalinin

“Libri ka funksionuar, libri ka shqetësuar njerëz dhe kjo tregon se ka qenë një libër i mirë. Janë botuar 89 libra për Enver Hoxhën që nga viti 1991 e deri tani, por ndaj asnjë libri nuk është  reaguar kështu”, -shprehet ndër të tjera autori i librit “Enver Hoxha”, gazetari Blendi Fevziu, rreth asaj që ndodhi më 30 dhjetor në Ferizaj të Kosovës, ku disa njerëz dogjën librin e tij.  

Pse ky reagim?



Sepse ky libër u ka therur fort atyre njerëzve. Ky është reagimi që unë prisja dhe më shqetësonte që nuk po vinte.

Si ka mundësi që reagohet kështu? Dikush duhet t’i hapte arkivat. Blendi Fevziu e bëri këtë gjë, por kjo ishte diçka që do të ndodhte herët a vonë…?

E para, unë kam botuar një libër të bazuar në dokumentet e arkivat e shtetit. Mund të jetë dikush tjetër që mund të botojë një tjetër libër. Jam shumë i sigurt që librat që do të vijnë pas do jenë shumë më të mirë, sepse mund të ketë dokumente të tjera që mund të publikohen. Gjithmonë një libër që publikohet ka premisën të jetë më i mirë se libri paraardhës i tij. Por problemi i vetëm për të cilin unë u shqetësova ishte lënia në harresë që do ta vriste librin. Është një nga metodat që e rrënon librin në vetvete. Sulmi ndaj librit, goditja ndaj tij, i bëjnë mirë librit.

Ju kanë akuzuar dhe për plagjiaturë të kopertinës, duke e krahasuar me librin “Stalini” të Edvard Radzinsky-t ?

Po, është një kopertinë e stilizuar, e ngjashme me të. Në momentin që bëra librin doja një kopertinë që të ngjante me librat e shkruar për Stalinin, sepse personazhi Enver Hoxha ishte i ngjashëm me atë të Stalinit. Kemi marrë tri kopertina të Stalinit, botuar nga shtëpi botuese ruse dhe amerikane dhe një tjetër britanike, dhe kemi ndërtuar një kopertinë të stilizuar sipas tyre.

Duke dalë nga autori, i cili kënaqet që dhe publiciteti “i keq” kënaq në këtë rast. Si publicist, a ju vjen keq që diskutimi për librin ka ngecur te vija e verdhë e kopertinës apo dhe tek djegia?

Nuk më vjen keq, edhe pse do doja që të ishte një debat që përfshin më shumë dokumentet dhe brendinë e librit. Problemi është se brendia e librit nuk u prek. Po nuk është faji im që askush nuk kontestoi brendinë e librit. Por po të kishte pasur një debat për brendinë e librit, do të kishte qenë ndoshta më pozitive, sepse unë isha përgatitur të përfshihesha në një debat të tillë.

Por këto janë dokumente arkivore, si mund të hapin debat?

Padyshim që ka, sepse ka këndvështrime të ndryshme dhe kjo do të ishte më pozitive. Një debat të tillë e kam bërë me një marksist -leninist nga Kosova, që ishte shumë interesant sepse ai kishte këndvështrimin e tij të të parit të gjërave. Kishte versionin e tij të kënaqshëm. Dhe ky është në thelb një debat dhe unë isha përgatitur për këtë lloj debati, por ky debat nuk ndodhi. Megjithatë, ky debat i thelluar nuk mund të kishte kurrë jehonë dhe nuk mund t’i bënte kaq mirë librit si shitje, si staturë, sesa debati që po bëhet aktualisht: djegia, kontestimi, sherri, komentet në internet. Flitet mirë apo keq, ka rëndësi që flitet për ty – thotë dikush që nuk dua t’i referohem. Se në momentin që flitet, kupton se ti ke shqetësuar njerëzit, se ti je aty, që ti i ke trazuar në atë që quhet jeta apo stabiliteti i tyre, që ti ekziston dhe je i rëndësishëm për ta. Momenti që harrohesh, ti je askushi.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas