Mapo Letrare

Fevziu merr mijëra lexues e disa kritika

fevLibrat që tërhoqën vëmendjen në panair dhe akuzat për komercializëm, në mungesë të një kritike mbi përmbajtjen dhe në kundërshti me ankesën për mungesë lexuesish

 



I gjithë debati rreth panairit duket sikur përmblidhet në komercializimin e tij. Radhët e gjata për “Ahmet Zogun” e Blendi Fevziut, apo libra të tjerë që tërhoqën vëmendjen, janë bërë motiv ironie virtuale, po aq saç janë për lexuesit apo ndjekësit e tyre momente të gëzuara. Në fakt ka pasur vetëm dy mënyra sesi është parë i gjithë Panairi i Librit, o përmes syrit të cinizmit të diçkaje pa ndonjë vlerë por komerciale, me njerëz që presin në radhë për autografe, o përmes syrit të pesimizmit për varfëri titujsh dhe mungesë të lexuesve. Të dyja nuk shkojnë fort mirë me njëra- tjetrën. Pasi, nëse ka lexues qoftë edhe për tre libra, atëherë lexues ka edhe pse nuk po blejnë të gjithë panairin.

Librat në modë dhe kritika

Cinikët, tallësit janë më të ashpër. Njëfarësoj ata mund të kenë të drejtë. Librat për të cilat mbahet radhë për t’u blerë apo autorët tek të cilët kërkohen më shumë autografe mund mos jenë më e mira e krijimit në vend, mund të mos jenë as siç vihej në dukje në një video me protagonist historianin dhe akademikun Kristo Frashëri ku flitet për librin e Fevziut, më e mira e studimit në vend, por janë ato që po lexohen. Askush që nuk i ka lexuar nuk mund t’i “shpallë fajtorë” për shije të keqe lexuesit.

Arsyet në fakt nuk janë aq shqiptare dhe as për faj të autorit apo ndonjë tjetri që ka dorë në këto libra. Komercializmi në letërsi dhe libra nuk është fenomen shqiptarë i ditëve apo viteve të fundit, është një gjë që ka jetuar me librin. Mijëra janë groposur të harruar në biblioteka edhe pse mund të kenë qenë shumë më të mirë se sa sivëllezërit që ia kanë dalë të zënë një vend nderi. Ashtu siç në mijëra raste ka ndodhur krejt e kundërta dhe të ‘gropëzuarit’ janë aty ku janë me meritë të plotë të tyre.

Në botë ka dhe ka pasur më shumë kopje të shitura të romancave rozë se sa librave që mund të ndryshonin jetën e lexuesit apo edhe botëkuptimin e tij. Ashtu siç ka shumë libra që janë përfshirë në memorien e përgjithshme të njerëzimit dhe kanë një gjurmë në qindra gjuhë. Dallimin mes të dobëtit dhe librit të mirë në fakt nuk e ka bërë asnjëherë vala e lexuesve por fakti se sa ai ka mundur t’i qëndrojë kohës, qoftë edhe nëse si në rastin e Kafkës është botuar pas vdekjes së autorit. Fama apo komercializmi i një libri nuk është diçka që fitohet përdhunshëm, me gjasë më shumë u përket rastësive.

Ajo që duhet të kuptohet në këto raste është që askush nuk mund të gjykojë shijet dhe askush nuk mund të paracaktojë se çfarë duhet të lexojnë me shumicë ata që dynden në panair dhe ata që nesër do t’u bjerë rruga në librari. Kur revista “Mapo” që nuk është fort komerciale, botoi muaj më parë një cover me “Librat që duheshin djegur”, një ndër kritikat që patëm ishte se nuk duhej të ishin përfshirë librat rozë. Kjo shihej prej shkrimtarëve si një nga portat prej nga lexuesit mund të futeshin në botën e pafund të librit. Në fakt pak kush i ka shpëtuar “budallallikut” nëse mund ta quajmë kështu të rendë pas librave në modën e momentit. Ajo që do ta përcaktojë vërtetë fati e tyre do të jetë koha.

Kritikë pa lexuar

Nga ana tjetër problemi i kritikës cinike mbi komercializmin e një libri apo një autori bëhet kryesisht, siç edhe rëndom mbi paragjykim. Rrallë mund të gjesh kritika mbi librat që u diskutuan. Edhe nëse bëhet fjalë për një libër të shumëpërfolur si ai i Blendi Fevziut, gjykimet janë në përgjithësi pa e lexuar. Nuk është hera e parë.

Libri i Blendi Fevziut, botuar nga UET Press ndërsa është ndër më të tërhequrit në Panair deri dhe me radhë pritjeje për autografe, është njëkohësisht një nga më të kritikuarit. Një pjesë e shohin atë një produkt të dalë brenda një kohe të pamjaftueshme dhe të reklamuar së tepërmi. Të tjerë mund të bazohen mbi pjesë të librit në gazeta apo thjeshtë në paragjykimin për autorin. Numri i kritikave mbi librin edhe të ashpra qofshin mungon prej atyre që e kanë lexuar, qoftë edhe me mundim.

Një pjesë mund të kenë të drejtë. Reklamimi i librit ka qenë jo i vogël dhe ajo është bazuar jo pak, ndoshta edhe pa vullnetin e autorit,  në ato pjesë që tërheqin vëmendje më së shumti. Shtypi, që shkroi kryesisht në pjesët që i kushtohen jetës rozë të Ahmet Zogut, e ka bërë edhe më të fortë tundimin. Por kjo nuk mund të kritikohet. Joshja e lexuesit prej lakuriqësisë dhe intimitetit, kjo edhe kur bëhet fjalë për monarkun e vdekur, nuk është ndonjë gjë as e re as unike dhe as surprizuese. Nga ana tjetër bashkimi i personazheve, ish-monarkut me plot mister në jetë i cili është parë prej studiuesve o me adhurim duke i lënë jashtë elementë jete që mund ta “turpëronin”, o me urrejtje duke u kujdesur më shumë për “tradhtinë” apo “dështimet politike” dhe emri i gazetarit të njohur që ka autorësinë mbi librin ku mungojnë këto lloj kriteresh gjykimi, kanë qenë padyshim një plus i fortë për famë të menjëhershme. Gjasat janë që kritikët e hedhin atë poshtë më shumë për shkak të famës, ashtu siç pikërisht për shkak të kësaj mjaft kanë pritur në radhë ta blejnë. Nëse për një palë përfolja dhe paragjykimi kanë qenë të mjaftueshme për t’i qëndruar larg apo për ta “sharë” librin, për pjesën tjetër ka ndodhur e kundërta. E sigurt është që komercializimi dhe leximi i librave në modë dhe të famshëm apo të përfolur nuk do ta pengojë librin. E kundërta me gjasë ka për të ndodhur. Kështu lexuesit e “Ahmet Zogut” të Blendi Fevziu, të kënaqur apo jo prej tij, do të kërkojnë medoemos të nesërmen e mbarimit një libër tjetër për të konfirmuar kënaqësinë apo pakënaqësinë prej tij.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas