Kryesore, Mapo Letrare

Festivali i Resë, Selami Xhepa: Libri sot, një kulturë e munguar

Selami Xhepa, dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, ishte një ndër të ftuarit në edicionin e dytë të Festivalit të Resë, që po mbahet në instalacionin pranë Galerisë Kombëtare të Arteve nën drejtimin e Edit Pulës.

Në një bisedë me Alda Bardhylin, Xhepa bëri një vështrim mbi rëndësinë që ka njohja mirë e ekonomisë në ndërtimin e një shteti.



Duke u ndalur tek zhvillimet e ekonomisë vitet e fundit, ai tha se ato kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemit tonë ekonomik nga njëra anë, dhe paaftësinë e politikës për të ndërmarrë politika që krijojnë dinamika pozitive dhe të qëndrueshme për ekonominë dhe progresin e shoqërisë në tërësi.

“Ekonomia e vendit ka përjetuar gjatë viteve të tranzicionit një ndryshim të thellë strukturor dhe rritje të mirëqenies. Por, menaxhimi i ekonomisë prej qeverive ka qenë dhe mbetet njësoj problematik. Nivelet e informalitetit vazhdojnë të jenë shumë serioze qoftë për konkurrencën e tregut, ashtu dhe për gjendjen e mjerueshme të të ardhurave buxhetore; shërbimet publike, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, arsimi dhe shëndetësia, mbeten sfiduese; menaxhimi i pasurisë publike vazhdon të vuajë nga mungesa e theksuar e transparencës ndaj publikut; raporti i politikës me qytetarin ruan akoma një sjellje që është shumë larg standardeve të një shoqërie me pretendime modeste demokratike”, tha ai.

Pyetjes se çfarë ka ndodhur në fakt në këto vite,  Xhepa iu përgjigj duke thënë se: “Projekte të rëndësishme infrastrukturore, që ishin nga qeveria e mëparshme vazhdojnë akoma të mbeten të pambyllura. Në veçanti, rrugët e rëndësishme që ishin në një fazë përmbyllëse, akoma janë kantiere ndërtimi – rruga e Elbasanit, by-pass i Fierit dhe Vlorës, edhe vetë Rruga e Kombit. Mospërfundimi i tyre i plotë, sigurisht që redukton eficiencën e tyre, e për pasojë kostot e transaksionit vazhdojnë të mbeten të larta. Alokimi i fondeve publike në mënyrë dërmuese drejt projektit më të madh të qeverisë, siç është Rilindja Urbane, ndërsa është i lavdërueshëm në qëllimet e veta, sa i takon dhënies së shpresës së ndryshimit në çdo qendër urbane apo rurale, fakti është që kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik kombëtar, apo dhe lokal, është shumë modest. Mënyra e realizimit të projekteve është gjithashtu edhe më problematike se më parë”.

Por ndërsa komentoi se qeveria duhet ta kishte menduar më mirë politikën e punësimit, Xhepa u ndal tek profili i ndërtimit të një ekonomisti sot, duke vënë theksin tek leximi.

Sipas tij, Shqipërisë i mungon një histori e ekonomisë. Njohja me autorë që kanë ndërtuar një histori si Dhimitër Pasko është ende e kufizuar. Duke u ndalur tek libri ai tha se: “Në botën e sotme të blogjeve, libri është bërë një kulturë e munguar. E vuaj personalisht, kur shkoj jashtë shtetit e shoh që sa shumë njerëzit lexojnë kudo, ndërsa këtu të rinjtë i shoh gjithnjë e më shumë të tërhequr nga teknologjia”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas