Sport

Ferguson: Leo Mesi, i aftë të shkëlqejë në çdo epokë

Sër Aleks Ferguson, Pep Guardiola dhe Ksavi Hernandez janë të gjithë në një mendje, Lionel Mesi është një pasuri e futbollit botëror, dhe “Topi i Artë”, i treti radhazi për të, ishte më se i merituar. Xavi, kandidat gjithashtu në garën për trofeun më prestigjioz në planin individual uroi shokun e tij të skuadrës duke theksuar se është e vështirë të fitosh një trofe personal kur ke si rival argjentinasin: “Është e vështirë të fitosh kur në garë është dhe Mesi. Kur flet për të, flet për atë që mund të jetë lojtari më i madh i të gjitha kohërave. Ai është ende 24 vjeç dhe mendoj se në të ardhmen do të thyejë të gjitha rekordet e këtij sporti. Jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët që luajnë në epokën e Mesit është e vështirë që të krahasohen me të. Megjithatë te Barcelona mendoj se ne kemi shumë lojtarë të mëdhenj, si Injesta, Pujol apo Fabregas. Të gjithë këta futbollistë e ndihmojnë Mesin të jetë akoma më i madh”. Sër Aleks Ferguson thuri gjithashtu elozhe për Lionel Mesin, duke e cilësuar atë si një prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit botëror e duke shprehur bindjen se argjentinasi do të ishte i aftë të luante në çdo epokë: “Të gjithë përpiqen të krahasojnë lojtarët e epokave të ndryshme duke ngritur pyetje nëse lojtarë si Pele do të ishin të aftë të luanin në ditët e sotme. Përgjigja për këtë është se lojtarët e mëdhenj mund të luajnë në çdo periudhë. Lionel Mesi mund të luante mjaft mirë në vitet 50-të, ashtu si Di Stefano, Pele, Maradona apo Krujf mund të luanin në ditët e sotme. Lionel Mesi për mua është një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”. Në të njëjtin linjë me Ferguson qëndron dhe Guardiola, i cili thekson se lojtari që ai stërvit ka hyrë tashmë në historinë e futbollit: “Ferguson ka pasur fatin të shikojë lojtarë si Pele apo Di Stefano dhe në një pikë besoj se të gjithë jemi dakord me Sër Aleks kur ai thekson se Mesi e meriton të krahasohet me ta. Tani është në dorën e Mesit nëse do të vazhdojë të jetë ende mes më të mëdhenjve”. Me topin e tij të tretë të Artë, Mesi barazoi dhe rekordin e Mishel Platinisë, që ishte i vetmi që e kishte fituar këtë trofe tre herë radhazi në vitet 80-të.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas