Kryesore, Rajoni

Fëmijët invalidë, të kyçur në kafazë

femijet

Nga Chloe Hadjimatheou, BBC



 

Fëmijët invalidë në Greqi shpesh stigmatizohen dhe hasin pengesa në marrjen e ndihmës së nevojshme. Disa prej tyre që jetojnë në streha shtetërore, janë të mbyllur nëpër kafazë. Punonjësit thonë që duan të përmirësojnë kushtet, por nuk kanë burime financiare të duhura.

Nëntëvjeçarja Xheni vjen vërdallë, para dhe mbrapa, duke parë nëpërmjet shufrave të një kafazi të drunjtë.

Kur dera hapet, ajo vrapon të përqafojë infermieren e shërbimit. Por vetëm pas disa minutash “lirie” atë e rikthejnë sërish në kafaz.

Megjithatë Xheni është mësuar me kafazin. Ka qenë shtëpia e saj që prej moshës dyvjeçare.

Xheni është diagnostikuar me autizëm dhe jeton në një strehë shtetërore për fëmijët invalidë në një qytet të vogël të Greqisë të quajtur Lekaina, së bashku me 60 fëmijë të tjerë, shumica e të cilëve është e mbyllur në kafazë druri.

Fotis, i cili është 20 vjeç dhe vuan nga sindroma Daun, fle në një “qeli” të vogël të ndarë nga rezidentët e tjerë me një kafaz të drunjtë dhe një derë që rri gjithmonë e kyçur. Në dhomën e tij ndodhet vetëm një shtrat dhe pa asnjë mjet personal, ashtu sikurse është në gjithë qendrën.

“Do shkojmë në ndonjë udhëtim”?, ky është refreni i tij sa herë që shikon ndonjë person t’i afrohet dhomës së tij. Por qendra ka vetëm 6 punonjës, të cilët kujdesen për 65 veta dhe është shumë e vështirë që ndonjëri prej tyre të lërë qendrën.

Në dhomën e vogël të stafit, gjendet një televizor i përbashkët.

Kushtet e vështira në të cilat gjendej kjo qendër u vunë re 5 vjet më parë kur disa studentë të sapodiplomuar nga vendet evropiane kaluan disa muaj si vullnetarë pranë kësaj qendre.

“Dita e parë ka qenë vërtet shokuese. Asnjëherë nuk mund t’a kisha imagjinuar se mund të ekzistonte një siutuatë e tillë në një vend të Europës Moderne. Por gjëja që më shqetësoi më shumë ishte se stafi sillej sikur çdo gjë të ishte normale”, thotë Catarina Neves, një ish-studente që kishte qenë pjesë e grupit.

Vullnetarët shkruan eksperiencën e tyre mbi kohën e kaluar në këtë qendër në një dokument të cilin ja dërguan politikanëve, zyrtarëve të Bashkimit Europian, dhe shoqatave të të drejtave të njeriut dhe çdo shoqate mbi invalidët të cilët mund të kontaktonin.

Rastësisht ata morën disa përgjigje me premtime për t’i ndihmuar këta fëmijë dhë këtë qendër, por pjesa më e madhe e injoruan kërkesën e tyre.

Në 2010 dëshmia e këtyre studentëve gjeti vëmendjen e Avokatit të Popullit në Greqi për të Drejtat e Fëmijëve i cili vizitoi qendrën dhe shkruajti një raport ku e cilësonte situatën skandaloze, “me kushte degraduese, mungesë totale e përkujdesjes dhe suportit, përdorim të tepruar të qetësuesve mbi këta fëmijë, fëmijë që merreshin me dhunë nga shtretërit dhe gjëja më degraduese ishte përdorimi i kafazeve prej druri”.

Ai gjithashtu referoi se kishte patur disa vdekje si pasojë e mbikqyrjes së dobët nga ana e stafit. Një 15- vjeçar vdiq në vitin 2006 pasi u mbyt me një objekt që e kishte gëlltitur pa dashje. Dhjetë muaj më vonë një 16 vjeçar vdiq. Në stomakun e tij u gjetën fasho dhe pjesë të tjera plastike.

Pas këtyre aksidenteve drejtuesit e kësaj qendre vendosën se niveli i stafit ishte i pamjaftueshëm për të mbrojtur këta fëmijë. Vendimi i tyre ishte t’i mbyllnin fëmijët në kafazë prej druri.

Gjithsesi raporti i Avokatit të Popullit cilësoi si tërësisht joligjore dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut vendosjen e këtyre kafazëv dhe i kërkoi qeverisë greke që të merrte vendime të menjëhershme për zgjidhjen e kësaj situate.

Por edhe pas 5 vjetësh ndryshimet janë shumë sipërfaqësore.

Nuk ka një doktor të përhershëm dhe është vetëm një infermiere dhe një asistente për çdo kat i cili ka rreth 20 fëmijë.

Kur ndonjë prej fëmijëve dëshiron të shkojë në spital, duhet të shoqërohet nga një infermiere, kështu që pjesa tjetër është nën përkujdesjen e vetëm një personi.

“Në turnin e natës unë isha vetëm me tre asistentë, dhe nëse ndonjë prej fëmijëve do të kishte nevojë për ndihmë, duhet të ishte në mëshirën e Zotit”, thotë një ish-infermiere e kësaj qendre.

Ajo shton se kafazët ishin të domosdoshëm. “Ne luftuam që të kishim kafazët pasi fëmijët do të kishin më shumë liri. Para se të ndërtoheshin kafazët fëmijët lidheshin përkohësisht pas shtratit nga këmbët dhe duart”, thotë infermierja.

Mjeku lokal, George Gotis, i cili ka qenë vullnetar në këtë qendër për më shumë se dy dekada sheh te kafazët diçka pozitive.

“Unë besoj se kjo është një nga institucionet më të mira për fëmijët me aftësi të kufizuar, jo vetëm të Greqisë, por edhe të Evropës”, thotë ai.

“Shumë prej këtyre fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë zgjatur jetëgjatësinë e tyre mesatare dhe këta kafazë të shtrenjtë të cilët janë ndërtuar për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre nga dëmtimi i vetvetes”, thotë Gotis.

Drejtoresha e re e qendrës, Gina Tsoukala, e cila nuk paguhet prej më shumë se një viti thotë se nuk mund t’a braktisë qendrën pasi ajo dëshiron që të luftojë për çështjen e të drejtave të këtyre fëmijëve.

“Natyrisht, ne nuk duhet të kemi kafaze këtu, por është e pamundur për ne për të menaxhuar fëmijët pa to, kur ne kemi nivele të ulëta të personelit.”

“Disa prej banorëve kanë tendenca vetë-shkatërruese apo janë grindavecë dhe kështuqë ne duhet të përdorim këto ndarje druri. Por fëmijët janë ende të lirë për të komunikuar dhe për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin”, thotë Gina Tsoukala.

Në mesditë fëmijët të cilët janë pas hekurave ushqehen brenda kafazëve të tyre.

Drejtoresha thotë se vetëm nevojat e domosdoshme të fëmijëve mund të plotësohen nga stafi.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi, por ne nuk kemi burime për të dhënë ndonjë gjë tjetër,” thotë Tsoukala.

“Më shumë se dy të tretat e këtyre fëmijëve janë braktisur nga familjet e tyre dhe ne nuk kemi kohë për t’i dhënë atyre mbështetje emocionale. Ne do të dëshironim që t’u jepnin edhe kujdesin individual që ata meritojnë, por nuk mundemi”, thotë Tsoukala.

Argumentimi se këto kafazë janë për të mbrojtur fëmijët është gjithsesi i gabuar, thotë Steven Allen, i Avokaturës së Aftësisë së Kufizuar Mendore, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për personat me aftësi të kufizuara mendore.

“Kafazët janë aty për të mbrojtur personelin, jo fëmijët”, thotë ai. “Ata janë bazuar në një model të kujdesit që është gati-gati një model i detyrimit, kufizimit dhe marrjen e personave me aftësi të kufizuar me dhunë në dhoma duke të mos i trajtuar ata si qenie njerëzore me të drejta”.

“Duke qenë të mbajtur në një kafaz është seriozisht e dëmshme për shëndetin psikologjik të pacientëve, nuk ka asnjë vlerë terapeutike dhe përveç kësaj mund të jenë fizikisht të rrezikshëm” thotë Allen.

Sipas Allen të vetmet shtete në botë që përdorin kushte të ngjashme, por jo kaq të rënduara janë  Republika Çeke dhe Rumania.

Kreu i Shoqatës për Familjet e Personave me Aftësi të Kufizuara në Ilia, prefekturë lokale, Ioannis Papadatos, ka zyrën e tij në një gjendje shumë të mirë, dhe e dizajnuar për një kujdes cilësor për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Në të gjenden pishina, fizioterapi dhe kurse të ndryshme terapeutike. Një qendër e ndërtuar me fondet e BE-së. Por sot ajo është bosh, pasi shteti grek nuk mund të paguajë një staf dinjitoz.

Sipas Papadatos shumë prej këtyre fëmijëve do të jenë të lirë vetëm kur të ndërrojnë jetë. Ai vetë e ka shumë për zemër ndihmën ndaj këtyre fëmijëve pasi djali i tij i parë 24 vjeçar, Andonis, vuan nga sindroma Daun.

Andonis ka vizituar qendrën me babain e tij dhe i pa njerëzit të cilët jetojnë në  kushte të ngjashme me të. Kur u pyet në lidhje me ta, Papadatos tha se nuk mund të fliste për këtë gjë : “Më ngjethet mishi kur i shikoj”.

Gina Tsoukala thotë se nënat e disa prej fëmijëve nuk e dinë nëse fëmijët e tyre ende jetojnë. Sipas saj baballarët e këtyre fëmijëve në bashkëpunim me spitalet kanë njoftuar nënat e tyre që fëmijët kanë vdekur dhe i kanë braktisur në këto qendra.

Efi Bekou, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale Greke thotë se ka shpresa për përmirësimin e kushteve të këtyre qendrave.

Ajo thotë se si pasojë e krizës ekonomike shteti grek është i detyruar që të zbatojë rregullat e vëna nga Bashkimi Europian dhe moratoriumin mbi punonjësit socialë dhe nuk mund të bëjë një zgjerim të stafit.

“Megjithëse po punojmë për të përmirësuar kushtet, nuk mund t’iu japim një afat të caktuar se kur do të nxirren fëmijët nga këto qendra”, thotë Efi Bekou.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas