Kronika, Kryesore

‘Të tradhtuar’ nga Edi Rama

rama ne gerdNë opozitë, Rama e quante shpërthimin e Gërdecit një ‘krim shtetëror,’ ndërsa sot në pushtet, Kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes po luajnë pingpong me kërkesat për dëmshpërblim, kjo e fundit madje i referohet qëndrimit të qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha: Ministria “nuk është përgjegjëse për shkaktimin e këtij aksidenti”

Nga Aleksandra Bogdani



 

Zamira Durda është një grua që ka humbur shumë beteja në gjashtë vitet e fundit, që kur shpërthimi i depos së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec i mori jetën djalit të saj 6-vjeçar.

Pas një kalvari prej 300 seancash gjyqësore dhe një vendimi penal që liroi shumicën e të akuzuarve si përgjegjës për vdekjen e të birit, ajo ka ende forcë për të luftuar, megjithëse shpresa se drejtësia do të vihet në vend i venitet çdo ditë që kalon.

“Qeveria e kaluar na vrau pa dashje, [ndërsa] prokurorët dhe gjyqtarët na vranë me dashje duke mos bërë drejtësi,” thotë Zamira. “Shpresa na mbeti gjallë, por edhe ajo po na shuhet,” shton ajo.

Shpërthimi i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 të vrarë, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre.  Procesi penal ndaj 28 të pandehurve, drejtues të kompanisë Albademil dhe ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes u mbyll me dënime minimale.

Gjashtë vjet më pas, vetëm dy prej tyre ndodhen ende në qeli. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i shpëtoi procesit falë imunitetit si deputet.

E kur parlamenti vendosi heqjen e imunitetit për të zgjedhurit e tij, Prokuroria nuk e rihapi më çështjen. Paralel më çështjen penale, Zamira dhe familjarët e tjerë të viktimave prej vitesh kanë hapur një çështje civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ndërmarrjes së Import-Eksportit të Armëve, MEICO, e cila po ndjek të njëjtën rrugë plot pengesa si çështja penale. Mbas shtyrjeve të panumërta të procesit dhe në pamundësi për të përballuar kostot e larta të çështjes civile, më 15 Mars 2014 shumica e familjarëve të viktimave të Gërdecit iu drejtuan nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryeministrit Edi Rama, për të arritur një zgjidhje të ndërmjetësuar të padive.

Megjithatë, dokumentet e siguruara nga BIRN, tregojnë që për më shumë se shtatë muaj, kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes kanë luajtur pingpong me shkresa zyrtare me njëra-tjetrën, duke shmangur përgjegjësitë shtetërore për shpërthimin.

Qeveria e djathtë e ish kryeministrit Sali Berisha e konsideronte shpërthimin e Gërdecit një aksident teknologjik. Ndërsa ishte në pushtet deri në vitin 2013, ajo vendosi të dëmshpërblejë banorët e Gërdecit për çdo derë e dritare të shkatërruar, por jo për jetët njerëzore që u shuan me shpërthimin.

Gjatë kohës që ishte në opozitë, kryeministri Edi Rama e kishte cilësuar shpërthimin e Gërdecit një krim shtetëror, duke e kthyer në një kauzë politike. Pas vizitës së tij të fundit në Gërdec në 5-vjetorin e tragjedisë, më 15 Mars 2013, Rama shkroi në blogun e tij se qeveria Berisha e kishte përdorur mandatin e saj të fundit, “për të shkatërruar procesin gjyqësor dhe varrosur çdo shpresë të familjeve të viktimave për drejtësi,” ndërkohë që premtonte se ardhja e së majtës në pushtet do të “sjellë rilindjen e shpresës tek drejtësia.”

Me gjithë premtimin e bërë në atë përvjetor solemn, një vit më vonë tashmë kryeministër, Edi Rama nuk do ta vizitonte më Gërdecin siç kishte bërë për vite me radhë. Kryeministri i ri mungoi për herë të parë në ceremoninë që zhvillohet çdo mesditë të 15 marsit, në memorialin e ngritur për nder të të vdekurve.

“U ndjemë të tradhtuar,” thotë Zamira Durda. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte e vetmja zyrtare që vazhdoi traditën e kohës së opozitës dhe vizitoi Gërdecin më 15 mars, por familjarët e viktimave nuk patën mundësi ta takonin. “Homazhet zhvillohen çdo vit në orën 12, por zonja Kodheli kishte ardhur në 10,” kujton Zamira. “Nuk e caktuam ne orën e ceremonisë por shpërthimi që na rrënoi jetët,” shtoi ajo.

Në të njëjtën ditë që zonja Kodheli vizitoi Gërdecin, avokati që përfaqëson familjarët e viktimave iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes për zgjidhje me marrëveshje të çështjes civile që ata kishin ngritur. Familjarët e 26 viktimave të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008 kërkojnë një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Këshillin e Ministrave për dëmshpërblimin e çdo jete të humbur në Gërdec.

Kërkesa e 181 trashëgimtarëve dhe familjarëve të tragjedisë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Këshillit të Ministrave dhe ndërmarrjes “MEICO”, përmes së cilës ata pretendojnë të dëmshpërblehen me 1.9 miliardë lekë në total për 26 jetët e humbura. Një kërkesë të ngjashme, të dëmtuarit e kishin dorëzuar në Ministrinë e Mbrojtjes edhe në kohën kur ajo drejtohej nga Arben Imami i Partisë Demokratike, por ish-ministri qe i prerë në përgjigjen e tij se institucioni që drejtonte, nuk kishte asnjë përgjegjësi për Gërdecin.

“Ne iu drejtuam qeverisë Rama për zgjidhje, pasi qëndrimi i saj [në opozitë] ka qenë i qartë që tragjedia e 15 marsit 2008 ishte një krim shtetëror dhe faji nisi nga Ministria e Mbrojtjes,” shpjegon Dorian Matlija, përfaqësuesi ligjor i disa prej familjeve të viktimave.

Për tre muaj, kërkesa e nisur nga Matlija në emër të familjarëve të viktimave nuk mori asnjë përgjigje. Përpjekjet vazhduan me të tjera kërkesa, derisa në 31 tetor, familjarët e viktimave në Gërdec marrin një letër nga Këshilli i Ministrave. Përmes saj, qeveria po u përcillte qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes për kërkesën e tyre të dorëzuar që në mars.

Në shkresën e siguruar nga BIRN, Ministria e Mbrojtjes nuk refuzon mundësinë e një marrëveshjeje, por lë pak shpresë për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së dëmshpërblimeve, duke mbajtur një qëndrim të ngjashëm me qeverinë e ish-kryeministrit Berisha.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Arian Kraja në të vërtetë informon Kryeministrinë se familjarët e pretendojnë dëmshpërblimin nga Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO, “duke mos e përmendur fare faktin se kjo veprimtari është kryer nga disa shoqëri private dhe se një pjesë e viktimave punonin realisht atje”.

Më tej shtohet se Ministria e Mbrojtjes, në vazhdimësi ka mbajtur qëndrimin se “nuk është përgjegjëse për shkaktimin e këtij aksidenti”.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes sugjeron ngritjen e një grupi ekspertësh nga fusha të ndryshme për përcaktimin e dëmit dhe masën e dëmshpërblimit në këtë rast. E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Mbrojtjes shmangu komentin nëse ky komision është ngritur tashmë apo jo.

Marrë me shkurtime nga reporter.al/BIRN

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas