Aktualitet

Falsifikimi i tokave në Kashar, 4 ish-zyrtarë i dërgohen gjyqit

Tiranë Katër ish-zyrtarë të komunës Kashar, mes të cilëve edhe  ish-kryetari Naim Karaj, do të përballen në gjykatë për akuzën e falsifikimit të dokumenteve për një sipërfaqe të konsiderueshme toke. “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen me katër të pandehur, të cilët dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrës si punonjës të Komunës Kashar kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës për një sipërfaqe prej 22 mijë metër katrorë. Naim Karaj, ish-kryetar i komunës Kashar; Islam Shera, ish-kryeplaku i fshatit Katund i Ri; dhe dy ish-shefat e bujqësisë në këtë komunë, Shefqet Alikaj dhe Petrit Loçka, akuzohen nga prokuroria për falsifikim të dokumenteve nga persona që kanë detyrë t’i lëshojnë ato në të paktën 7 raste. Hetimet për këtë çështje kanë nisur nga një tjetër dosje pronësie që ka pasur në dorë prokuroria, ku janë evidentuar falsifikim të dokumenteve për ndarjen e tokave sipas ligjit 7051. Edhe pse ligji në fjalë është miratuar në vitin 1991, nga dokumentet e sekuestruara në zyrat e Komunës Kashar ka rezultuar se ndarje e pronës për disa familje kanë vazhduar edhe përgjatë viteve kur zyrtarët e marrë të pandehur ushtronin detyrën e tyre në këtë komunë. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Tiranës, mësohet se hetimet kanë nisur pas ndarjes së akteve nga procedimi penal nr.771 në datën 15 prill të vitit 2010. Për më shumë se një vit, ‘Task Forcë’ ka verifikuar me mijëra dokumente pronësie të sekuestruara për llogari të këtij hetimit, duke arritur që nëpërmjet akt-ekspertimeve të provojë se të gjitha këto dokumente janë firmosur nga ish-kryekomunari i Kasharit, Naim Karaj, kryeplaku i fshatit Katundi i Ri, pjesë e kësaj komune dhe dy ish-punonjësit e zyrës së Bujqësisë. Konkretisht, sipas hetimeve, rezulton se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar aktet përbërëse të praktikës së pronësisë në emër të shtetasit Pëllumb B. për sipërfaqen 10 mijë m2, Festim M. për sipërfaqen 2 mijë m2, Festim M. për sipërfaqen 2 mijë m2, Pranvera M. për përfaqen 2 mijë m2, Kujtim B. për sipërfaqen 2 mijë m2, dhe Fatos Gj. për sipërfaqen 2 mijë m2. “Të pandehurit Naim Karaj, Islam Shera, Shefqet Alikaj dhe Petrit Loçka, në kuadër të detyrave të ushtruara në komunën Kashar, përkatësisht kryetar i komunës, kryetar fshati dhe punonjës të zyrës së bujqësisë, kanë prodhuar dokumente pronësie të falsifikuara, si pjesë e praktikave të pronësisë të hartuara”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Nga hetimet është provuar se procedura e ndarjes së tokës me ligjin 7501 nuk mbahej nga Komuna. Procedura, sipas hetimit, parashikonte që akti i marrjes në pronësi të hartohej në dy kopje origjinale, ku një i dorëzohej kryefamiljarit, ndërsa kopja tjetër dërgohej nga komuna në kadastrën e rrethit, ndërsa komuna nuk kishte të drejtë të mbante kopje të këtij akti. Sipas prokurorisë, hetimet kanë provuar se zyrtarët e komunës kanë falsifikuar aktet e marrjes së pronësisë për persona që në kohën kur është bërë ndarja e tokës nuk kanë qenë kryefamiljarë, sikundër parashikohej në ligj. Personat që kanë përfituar tokë kanë deklaruar se ata kanë bërë kërkesë në Komunë dhe pas miratimit të kërkesës sipërfaqja që ata kanë përfituar është regjistruar në Hipotekë në emrin e tyre. Dy prej ish-zyrtarëve të pandehur në këtë dosje janë arrestuar në kuadër të operacionit “Kashari 2”, ku përfunduan gjithashtu në pranga ish-drejtuesit e kësaj komune, ndër vite si të akuzuar për abuzime me tokat.

 



Të pandehur

Naim Karaj, ish-kryetar i komunës Kashar

Islam Shera, ish-kryeplaku i fshatit Katund i Ri

Shefqet Alikaj, ish-punonjës në zyrën e Bujqësisë

Petrit Loçka, punonjës në zyrën e Bujqësisë

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas