Kryesore, Mapo Format

“Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në UET është i mirëpritur”, mjeku i njohur Fedhon Meksi tregon arsyen dhe jep shifra tronditëse

Shqipërisë po i mbarojnë mjekët dhe infermierët. Të dhënat e rënda u publikuan në forumin e parë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin Europian të Tiranës. Mjeku i njohur Fedhon Meksi shpjegoi se përse një fakultet i ri është i mirëpritur

Thuajse të gjithë e dimë historinë e hemorragjisë së mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria drejt vendeve të Perëndimit. Por shifrat janë vërtet tronditëse. Shqipëria ka një numër mjekësh për 10 mijë banorë që do të trondiste këdo. Pikërisht në këtë kohë vjen një lajm i mirë: Një universitet privat si Universiteti Europian i Tiranës do të ketë një Fakultet të Shkencave Mjekësore. I ftuari i parë i dekanit Isuf Kalo, ishte mjeku dhe miku i tij, Fedhon Meksi, Doktor i Shkencave Mjekësore. Rrëfimi i tij ofron të dhëna interesante për situatën e shëndetësisë në vend. Ai përshëndet lindjen e këtij fakulteti të ri në UET.



“Ne si Shqipëri kemi 1.1 ose 2 mjekë për 10 mijë banorë, ndërkohë që në vende të tjera, në Mal të Zi për shembull kanë 28, kurse në Greqi kanë 36, në Serbi kanë 26. Edhe infermierët janë pak, se infermierët ikin, por nuk është puna se ikin të gjithë. Siç kemi biseduar edhe bashkë, numri i mjekëve ka rënë nga më përpara. Kanë qenë 1.5-1.6, ka shkuar tani 1.2-1.1, ngaqë fatkeqësisht pa e studiuar problemin në Shqipëri në vitet 70’-80 dhe në fillim të viteve 90’ pranoheshin në Fakultetin e Mjekësisë më shumë se 500 studentë, studentë që tashmë janë plakur dhe po dalin në pension të gjithë dhe po zëvendësohen vetëm nga 200 studentë që nxjerr Fakulteti i Mjekësisë, këtu është potenciali. Kështu që detyrimisht duhet edhe një fakultet tjetër privat apo shtetëror, nuk ka rëndësi pasi do të ndodhi një katastrofë me Shqipërinë, me mjekësinë shqiptare”, tha Meksi.

Ai shpjegon edhe një tjetër term të rëndësishëm, por që nuk po zë asfare vend në Shqipëri: Atë të mjekut të familjes.

“Në Fakultetin e Mjekësisë kur shkova unë në 1992, kishte francezë ose italianë nga Bolonja. Pata mundësinë që nëpërmjet shokëve tanë, në një spital bëmë ose pamë mënyrat e mësimdhënies. Mënyrat e mësimdhënies në një grup të madh pedagogësh. Mjekët e përgjithshëm në ditët e sotme rrinë në zyrën e tyre dhe s’dinë se ç’bëhet në familjen e një të sëmuri. Mjek familje është ai që shikon që në nivelin ekonomik të familjes etj. Në 90% të rasteve shoqëruesi i të sëmurëve ose avokati i të sëmurëve në sistemin shëndetësor në Angli i zgjidh problemet shëndetësore në shtëpi e pjesën tjetër e dërgon te specialisti dhe është gjithmonë në kontakt me spitalin”.

“Mjeku i familjes duhet të dalë nga Fakulteti i Mjekësisë. Ai duhet të nxjerrë të gjithë ata që fitojnë konkursin. Problemi është se ç’do të bëhet me mjekët e sotshëm që janë mjekë në ambulancë. Duhet që t’i mbushet mendja shtetit që të nxjerrë mjekë familje nga Fakulteti i Mjekësisë, dhe të riciklojë këta që janë të tanishëm. Duhet të jetë qeveria që ta marrë këtë flamur në dorë dhe ta çojë përpara”.

I pyetur se cilat janë lidhjet me mjekësinë e jashtme sot, ai tha: “Di të them që ne kemi lidhje të ngushta me jashtë. Këtu vijnë dhe operojnë nën praninë e mjekëve tanë, mjekë nga Xhenova, mjekë të cilët janë mjekë të jashtëzakonshëm. Në Shqipëri, mungon mjekësia e nivelit primar, që ju nëse i jepni një dorë kësaj nëpërmjet fakultetit tuaj të ardhshëm do të ishte një lajm i mirë kombëtar”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas