Aktualitet

Facebook tradhton bandën e grabitësve, tre në pranga

 



Grabisnin pika karburanti, dyqane e biznese të tjera, ndërsa trofetë e “punës” së tyre i nxirrnin në Facebook. Në profilet e anëtarëve të bandës shqiptare të grabitjeve gjen me shumicë foto me armë apo euro në duar, të cilat postoheshin aty pa e menduar gjatë se do të ishte publiciteti i tepërt që po i bënin vetes, ai që do t’i çonte në pranga. Policia e Athinës pohoi se nuk kishte shumë shpresa të kapte autorët e grabitjeve të vazhdueshme që po ndodhnin në kryeqytetin grek, ku brenda një nate plaçkiteshin me armë deri disa dyqane dhe pika karburanti. Por nxjerrja e fotove në rrjetin social Facebook i ka tradhtuar shqiptarët. Policia greke ka arrestuar tre të rinj shqiptarë për grabitjen e 17 pikave të karburanteve dhe disa dyqaneve, ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tyre në grabitje. Në pranga ranë Marjan Ndoci, 23 vjeç, Krisard Pusi, 19 vjeç dhe Eduard Ulndreaj, 29 vjeç. Kurse në kërkim është shpallur vëllai i Krisardit, Pëllumb Pusi, 26 vjeç, si dhe dy shqiptarë të tjerë që mendohet se janë arratisur drejt Shqipërisë. Policia greke e ka pasur të thjeshtë të binte në gjurmët e tyre, duke u nisur nga profilet në Facebook. Krisardi pozonte në foto duke bërë qitje me pistoletë në Shqipëri, apo simuluar veprime me dy pistoleta në duar, në shtëpinë e tij në Athinë. Në fotot e tjera të nxjerra në Facebook dalin një mori armësh, si dhe një moment teksa mban qindra euro në duar si trofe. Zyrtarisht, policia e Athinës tha se përmes një operacioni të kryer njëkohësisht në disa lagje të kryeqytetit grek u arrit të shkatërrohej një organizatë kriminale që merrej me grabitje të dhunshme. Grabitjet bëheshin kryesisht në veri të Athinës, në pika shitjeje karburanti, kioska dhe dyqane të tjera, përmes kërcënimit me armë zjarri të llojit kallashnikov. Të gjitha grabitjet janë kryer në periudhën janar-dhjetor 2011, në Nea Halkidhona dhe Sepoli, ku banonin të rinjtë shqiptarë. Policia tha se i publikoi fotot e të arrestuarve dhe njërit prej të kërkuarve, në përpjekje për të nxitur qytetarë dhe biznese të grabitura që të denoncojnë duke identifikuar autorët. Të arrestuarve iu gjetën disa lloj armatimesh, mes tyre automatikë, pistoleta, bomba, si dhe mjetet e “punës”, maska të llojeve të ndryshme, të cilat u sekuestruan si prova. Po ashtu u janë sekuestruar dhe tri makina, dy prej të cilave rezultuan të vjedhura. Hetimi në rrjetin social Facebook është bërë nga ekipi i policisë greke të Athinës, në sektorin e krimit elektronik. Ata zbuluan se Krisard Pusi kishte hapur një profil me emër të rremë, Kristos Gabi. Në faqen që kish hapur, ai kishte futur me dhjetëra fotografi ku mes tyre gjendeshin dhe ato “pikante” për hetuesit. Po ashtu gjendeshin dhe foto të disa makinave luksoze, mjete që në fakt u përkisnin personave konkretë në Athinë. Që këtu nisi hetimi që çoi në pranga shqiptarët grabitës, të cilët u tradhtuan nga profilet e tyre në Facebook. Marrë nga NOA

 

Të arrestuarit

Marjan Ndoci, 23 vjeç

Krisard Pusi, 19 vjeç

Eduard Ulndreaj, 29 vjeç

Në kërkim

Pëllumb Pusi, 26 vjeç

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas