Kryesore, Rusi 2018, Sport

Europa “pushton” Botërorin, Belgjika mund Brazilin dhe kalon në gjysmëfinale

Stadiumi i Kazan është kthyer në makthin e ekipeve të mëdha. Pas Gjermanisë dhe Argjentinës, sot në këtë stadium i ka dhënë lamtumirën Rusi 2018 edhe Brazili pretendent. “Seleçao” është mundur 2-1 nga Belgjika, e cila është konfirmuar si një nga skuadrat më interesante në panoramën ndërkombëtare.

Pjesa e parë e lojës ishte sipas manualit për Belgjikën. Mbrojtje e hekurt ndaj tentativave braziliane dhe më pas kundërsulme vdekjeprurëse. Pasi i mbijetoi një episodi të rrezikshëm para portës kur Tiago Silva goditi shtyllën, Belgjika filloi edhe të sulmonte dhe me të parën gjeti rrugën e rrjetës. Ishte Kompani ai i cili me një devijim të befasishëm në shtyllën e parë pas një goditje nga këndi, solli autogolin e Fernandinjos.



Brazili u hodh në sulm, por la shumë hapësira prapa, me prapavijën që u gjend e pavendosur në një kundërsulm të finalizuar saktësisht nga De Bryjn që dyfishoi shifrat, duke çuar ekipin e tij në pushimin e ndeshjes me një rezultat të pastër e të merituar 2-0.

Pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe, me Brazilin që dukej shumë më ngulmues, ndërsa edhe Belgjika humbi freski në kundërsulmet e saj, duke humbur shpejtësi e saktësi. Kësisoj, porta e Kurtua u kthye në një objekt gjuajtjesh të njëpasnjëshme të brazilianëve të cilët kërkonin me çdo kusht golin dhe ia arritën të hapnin ndeshjen me Renato Auguston. Por pavarësisht një furie sulmesh të njëpasnjëshme para portës belge, brazilianët nuk arritën më të gjenin rrjetën dhe u larguan kokulur e mes lotësh nga stadiumi pasi mbyllën një tjetër turne pa iu afruar ëndrrës së fitores së Kupës së Botës, të cilën tashmë mund ta bëjë realitet Belgjika. /vipsport.al/

Brazil-Belgjikë 1-2 (R. Augusto 76′ / Fernandinjo 13′ aut, De Bryjn 31′)

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas