Kryesore, Sport

Europa League, rezultate surprizë në fazën e “play off”-eve

Faza e “play off”-eve të Europa League ka dhuruar rezultate surprizë, në pjesën më të madhe, ndërkohë që disa prej pretendentëve për të kaluar në ndalesën e radhës, atë të grupeve, mund të thuhet se kanë hedhur një hap drejt objektivit të tyre sezonal.

Nga rezultatet e kësaj të enjteje bien në sy fitorja e Zenitit, 3-1 ndaj Moldes që eliminoi Laçin, ndërsa Ludogoretsi triumfoi 1-0 në transfertën gjeorgjiane ndaj Torpedo Kutaisit, një ekip që eliminoi nënkampionët e Shqipërisë, Kukësin.



Biletën për në fazën e grupeve duket se e kanë prerë Sevilla, që fitoi 1-0 ndaj Sigma Olomouç në Çeki, apo Olympiakosi i Pireut, që mposhti në Greqi anglezët e Burnleyt 3-1. Fitore regjistroi edhe Genku ndaj danezëve të Brondbyt, 5-2, dhe Bazeli i Taulant Xhakës, 3-2 me qipriotët e Apollon Limasolit. Me rezultat minimal ka arritur të dalë triumfues edhe Glasgow Rangers i drejtuar tashmë nga ish-kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, përballë rusëve të Ufas.

Por, nuk ia doli dot të triumfojë një ekip me pretendime, si Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit, që u ndalën në “Mapei Stadium” në barazim pa gola nga Kopenhageni, sikurse edhe gjermanët e Leipzigut, përballë ukrainasve të Zoryas, edhe pse këta të fundit ishin në inferioritet numerik prej minutës së 17. Një tjetër takim me rrjeta të paprekura ishte ai mes belgëve të Gentit dhe francezëve të Bordeaux.

As skocezët e Celtic nuk mundën të bënin më shumë përballë lituanezëve të Suduvas, me të cilët barazuan 1-1 në transfertë, e me të njëjtin rezultat u mbyll edhe sfida më e zjarrtë mes Partizanit të Beogradit dhe turqve të Besiktasit.

Një humbje e turpshme ishte ajo e kampionëve të Rumanisë, CFR Cluj, në transfertën luksemburgase përballë Dudelanges. Edhe nënkampionët e Rumanisë të Steauas së Bukureshtit patën të njëjtin fat, teksa u mposhtën nga Rapidi i Vjenës me rezultatin 3-1. Të humbur nga 90-minutëshi i parë i kësaj faze kanë dalë edhe azerët e Qarabagut, ku aktivizohet Ansi Agolli.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas