Op Ed

Europa e pasigurt në krizën e refugjatëve

Nga Reti Azemi (Duka)*

Gjatë muajve të fundit, politikanët, gazetarët dhe njerëzit e zakonshëm anembanë Europës kanë debatuar me pasion atë që konsiderohet si kriza e refugjatëve ose emigrantëve. Kaq e ndjeshme është kthyer kjo temë sa ka ndryshuar hartat e zgjedhjeve politike, ka mbajtur pezull qeveri apo i ka rrëzuar ato, ka ngritur nga bodrumet forca politike të ekstremit duke i vendosur në nivelin e qeverive.



Duke përdorur shprehje si “përmbytje”, “pushtim” ose “tufë të njerëzve” për të cilësuar ato mijëra që janë nisur drejt Europës në kërkim të një jete më të mirë, të sigurisë dhe stabilitetit.

Ekziston shqetësimi se emigrantët apo refugjatët do të përfitojnë mbështetje sociale në një kohë të pasigurisë së vazhdueshme ekonomike. Nuk mungojnë edhe zërat e kërcënimit të përbërjes kulturore të Europës për shkak të idesë së supozuar ‘përjashtuese’ të besimit islam në shumicën e të sapoardhurve.

Kriza e emigrimit ka tensionuar unitetin e Bashkimit Europian, ka nxitur jo vetëm debatin por edhe dallimin midis Europës Perëndimore dhe Lindore. Në të vërtetë ndërsa këto zhvillime paraqiten si të paprecedentë, nuk është hera e parë që Europa përballet me sfida të tilla.

Ballkani – Europa Lindore dhe Perëndimore: dallime të thella. Shumica e refugjatëve të rinj që hyjnë në Ballkan vijnë përmes Greqisë. Më tej ata dëshirojnë të vazhdojnë në Gjermani, Austri, Suedi ose Norvegji. Janë shtete të Europës Perëndimore me politika më liberale të emigrimit, por edhe me mbështetje sociale. Por, për të arritur atje, ata duhet të kalojnë një sërë shtetesh të varfra në “Ballkanin Perëndimor”, si Shqipëria apo Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Serbia. Media ka paraqitur skena kaotike të refugjatëve duke pritur në stacionet e trenave në Maqedoni ose duke fjetur në çadra në qendër të Beogradit. Krizave të vazhdueshme kufitare midis këtyre vendeve ju është shtuar edhe kriza e refugjatëve. Por pavarësisht ndaj refugjatëve janë zbatuar normat ndërkombëtare të trajtimit të tyre. Përvojat shumëvjeçare të konflikteve duket që kanë lënë ndjesinë e sensibilitetit ndaj njerëzve në nevojë. Duket se pavarësisht kritikave për çështje të tjera, që Bashkimi Europian nuk heziton t’i radhisë, bile edhe ti amplifikojë ka një moment që Ballkani ndodhet përpara Europës: gara e vlerave njerëzore. Të paktën deri në këto momente ndihet e fituar. Edhe zhvillimet më të fundit, lidhur me valën e refugjatëve duket se nuk kanë prekur Ballkanin (Perëndimor) nga respektimi i vlerave morale aq sa kanë tronditur pjesët e tjera të Europës.

Në vendet e Europës Juglindore edhe pse pjesë e Bashkimit Europian situata paraqitet shumë më dramatike. Për refugjatët kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika vendet e Europës Juglindore janë kthyer në mur dhe në gardh me tela që nga Kroacia, Sllovenia, Rumania në vijën e parë e deri te Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Polonia. Situata është më dramatike në Hungari, ku kryeministri Viktor Orban, një udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë nacionaliste Fidesz, ka miratuar një pozitë të pakompromis anti-refugjatësh. Hungaria doli si destinacion i dëshiruar për refugjatët sepse është një anëtar i zonës së ashtuquajtur Shengen, që nuk kërkon kontrolle të pasaportave dhe vendeve kufitare mes vendeve anëtare. Por edhe Hungaria nuk duket se do të mbesë e vetme. Metodat e Orban po duken mjaft të pëlqyeshme e po përqafohen edhe nga vende të tjera. Për të ndalur vërshimin e refugjatëve gjatë verës së vitit 2015 qeveria e Orbanit ndërtoi një gardh me gjemba teli prej 3 m në kufirin e saj me Serbinë; por edhe më çuditëse, qeveria përfundoi ndërtimin edhe të një gardhi tjetër në kufirin me Kroacinë, një vend tjetër anëtar i BE. Tabloja bëhet pesimiste kur për ironi vëren që edhe liderët e shteteve të tjera të Europës Lindore-Qendrore – të cilët nuk janë prekur nga kriza aq thellë sa Ballkani – përsëri kanë bërë zgjedhje ekstreme për temën e refugjatëve. Krerët sllovakë deklaruan se refugjatët myslimanë nuk do të ishin të mirëpritur në vendin e tyre dhe vetëm me gjysmë zemre pranuan një numër të kufizuar të krishterëve. Në Republikën Çeke, shfaqen policët duke shkruar në qytat e armëve emra të refugjatëve që të kujtojnë vite të shkuara për Holokaustin. Sistemi i vlerave, edhe pse këto vende konsiderohen nga të vuajturat vite më parë në një sistem tjetër politik, është rrëzuar përtokë përballë thirrjeve dhe veprimeve ekstremiste. Këto masa njëkohësisht i kanë ndihmuar partitë e ekstremit të djathtë të gjejnë më tepër mbështetës e të zgjerojnë përqindjet e elektoratit të lodhur nga kriza dhe që përgjegjësinë e kërkojnë jashtë sistemit dhe gjeografisë së tyre. A janë vendet e Europës Lindore më ksenofobike se pjesa tjetër e Europës? A janë ish-vendet e bllokut sovjetik të paaftë apo më pak të gatshëm për t’u përballur me dallimet etnike, gjuhësore dhe fetare? E vërteta qëndron se ka pak studime të mirëfillta që të krahasojë qëndrimet e Lindjes dhe Perëndimit ndaj të huajve.

Në Europën Perëndimore situata gjithashtu duket e zymtë. Si rrallëherë ka pasur një rigjallërim të partive të ekstremit të djathtë, aq sa mjaft analistë e krahasojnë me periudhën midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Janë dy faktorë që ata po i shfrytëzojnë mjeshtërisht: kriza ekonomike dhe kriza e refugjatëve. Duke mbështetur agjendat kundër emigrantëve, në shumë shtete të Europës Perëndimore, si në Gjermani, Francë, Holandë e së fundi edhe në Suedi ekstremi i djathtë ka thithur në anën e vet pjesë të elektoratit të zhgënjyer, që nuk është pak. Ajo që shihet është se Europa Perëndimore, nëpërmjet refugjatëve po goditet në themelet e saj, në parimet bazë të vlerave morale. Godina europiane e ngritur me sistemin e vlerave duke se po gërryhet tërësisht nga qëndrimet morale ndaj njerëzve në nevojë. Pafuqinë dhe paaftësinë e qeverive liberale po e shfrytëzojnë mjaft mirë ekstremet, veçanërisht ekstremi i djathtë i cili nuk po angazhohet vetëm në përjashtimin e refugjatëve, por edhe në idenë e shembjes së gjithë godinës europiane. Mjafton një ndalese midis Francës dhe Britanisë ku mbi 2,000 emigrantë në anën franceze të tunelit të kanalit – në një kamp të improvizuar të përshkruar si “xhungël” – të cilët jetojnë në kushte të mjerueshme tregon një hezitim të ngjashëm të politikanëve të Europës Perëndimore për të angazhuar në mënyrë konstruktive çështjen e migracionit. Politikanët europianë janë të sfiduar. Mënyra si do të përballen me këtë sfidë do të jetë edhe një çështje për vetë ekzistencën e godinës europiane. Shenjat janë që pak janë të përgatitur për ta fituar këtë sfidë./Mapo.al/

* Reti Duka është punonjëse sociale në Graz- Austri për çështjet e refugjatëve

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas