Aktualitet

Euro në rënie, rikthehet dollari i fortë

Valuta amerikane, dollari rikthehet si monedhë e fortë edhe për shqiptarët. Gjatë ditëve të para të këtij viti USD është forcuar me shpejtësi në tregun tonë të brendshëm duke kushtuar 109 lekë, nga më pak se 103 lekë që ishte para vitit të ri. Ndërsa ekspertët lajmërojnë forcim të mëtejshëm të tij, për shkak se publikimi i parashikimeve të djeshme në tregjet ndërkombëtare parashikon një zhvlerësim të mëtejshëm të euros këtë vit. Nga 129 lekë që e mbylli kuotimin në tregjet ndërkombëtare euro në këmbim me dollarin në pjesën e parë të këtij viti, pritet që vlerat e këmbimit të bien në nivelin, një euro e barabartë me 124 cent. Por nëse kriza në eurozonë do të vazhdojë të zvarritet, vlera e euros parashikohet të jetë edhe më dramatike.

 



Rikthimi i dollarit

Këmbimi i dollarit në kuota të larta në tregun shqiptar është kthyer me shpejtësi, me të njëjtin ritëm si në tregun ndërkombëtar. Madje ekspertët në banka kanë pohuar për “Mapo” se ka disa ditë që transaksionet në dollarë janë rritur. Ruajtja e llogarive të kursimit dhe veprimeve të tjera në dollarë po vjen në rritje, pasi për momentin po shihet si valutë më e besueshme. Kjo edhe për shkak të një tradite që i lidh shqiptarët me këtë valutë. Para vitit 2001, ku euro u prezantua fizikisht në tregje, valuta tjetër e preferuar e shqiptarëve ishte dollari, ndryshe nga vendet e rajonit në të cilat mbizotëronte marka gjermane. Shqiptarët ishin të afeksionuar aq shumë me dollarin, saqë rreth 40 për qind e ekonomisë dhe e transaksioneve bëheshin në këtë valutë. Pothuajse të gjitha këto shërbime që sot ofrohen në euro, si tregu i ndërtimit, sektori i transportit dhe kreditë në euro, para dhjetë vitesh ofroheshin në dollarë. Kriza në eurozonë dhe frika për shpërbërje të mundshme të euros ka përfshirë edhe shqiptarët në panik, të cilët kohët e fundit në përgjigje të këtyre zhvillimeve kanë bërë veprime në mbrojtje të kursimeve të tyre. Në ditët e para të janarit vërshuan konvertimet e kursimeve në banka nga euro në lekë dhe tani po vihet re një zhvendosje e ngadaltë drejt dollarit.

 

Euro në rënie edhe këtë vit

 

Një euro në vendin tonë u ble dje me 137.6 lekë dhe u shit me 138.2 lekë. Një muaj më parë vlera e euros ishte në 140 lekë. Ndërsa duke marrë si referencë tregun ndërkombëtar, vlera e saj do të paraqitet me rënie edhe këtë vit. Analistët e Bloomberg parashikuan dje një zhvlerësim gati me 6 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ndërsa duke iu referuar ecurisë së vitit 2011, euro performoi më keq se të gjitha valutat e ekonomive të mëdha të botës. Por një euro e dobët do të jetë favorite për ekonominë shqiptare në aspektin e importeve. Pasi ato pritet të kushtojnë më lirë, nëse euroja do të shënojë vlera edhe më të ulëta në këmbim me lekun. Nga ana tjetër, të gjitha shërbimet që ofrohen me euro në vendin tonë pritet të kushtojnë më lirë, të tilla si shitja e banesave, shlyerja e kredive në euro etj. Ndërkaq do të preken eksportuesit dhe ata që i kanë rrogat në euro, pasi një rënie e mëtejshme e vlerave të saj do të thotë më pak fitime nga eksporti i mallrave shqiptare dhe më pak të ardhura për ata që marrin rrogat në euro, por që shpenzimet i kanë në lekë. Por ndërkohë që kriza e eurozonës ka bërë konfuzë përdoruesit e valutave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në mbyllje të vitit 2011 këshilloi shqiptarët që të mos nxitohen për të shmangur euron nga kursimet e tyre, pasi kjo përbën rrezik për fitimet e tyre.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas