Bota

Erdogan kundër Izraelit: Po ngrihet shpirti i Hitlerit

Shpirti i Hitlerit po ngrihet mes zyrtarëve izraelitë”. Kështu është shprehur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan ndërkohë që kryeministri i Izraelit, Benjamin Natanjahu tha se Turqia po kalonte në një diktaturë të errët, në kuadër të një përplasjeje mes dy fuqive rajonale në lidhje me ligjin e ri që e përcakton Izraelin si shtet hebre.

Në një takim me ligjvënësit nga partia e tij drejtësi dhe zhvillim, Erdogan dënoi ligjin për shtetin komb të miratuar në parlamentin izraelit javën e kaluar, që sipas tij, pasqyron fiksimin e Hitlerit me pastërtinë e racës ariane.



“Ky ligj, është prova se pa dyshim, Izraeli është shteti më zionist, fashist dhe racist në botë”, tha Erdogan. “Qëllimi i administratës izraelite për të identifikuar ato toka të lashta, si prona vetëm të hebrenjve, nuk është aspak i ndryshëm nga obsesioni i Hitlerit me racën ariane”, shtoi ai.

“Shpirti i Hitlerit, që e zhyti botën në një katastrofë gjigande, është ngritur edhe një herë mes disa zyrtarëve izraelitë”.

Natanjahu u kundërpërgjigj në mediat sociale duke e përshkruar Turqinë e Erdoganit si një diktaturë të errët. “Erdogan po masakron sirianët dhe kurdët dhe ka burgosur me dhjetëra e mijëra qytetarë të tij. Fakti që demokrati i madh Erdogan po sulmon ligjin e shtetit komb, është komplimenti më i madh për të. Turqia nën sundimin e Erdoganit po bëhet një diktaturë e zymtë, ndërsa Izraeli i ka garantuar të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve të tij, para dhe pas këtij ligji”, tha Natanjahu.

Lufta e deklaratave është përshkallëzuar akoma më shumë pasi një ndihmës kryesor i Erdoganit dhe zëdhënës i presidencës, e cilësoi Natanjahun si kryeministrin e një shteti zionist aparteid, që nuk ka autoritet moral ti japë leksione presidentit turk. Çarja më e fundit vjen në vazhdë të një serie krizash diplomatike mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilëve janë përkeqësuar në lidhje me trajtimin e palestinezëve nga Izraeli dhe roli i adoptuar nga Erdogani si lider i kauzave globale myslimane.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas