Kryesore, Mapo Format

Energjetika, përfitimet nga mundësia e reduktimit të TVSH-së

Zbatimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së kërkon një dallim të qartë midis produkteve që vijnë nga energjia 100% e pastër dhe me ndikim minimal mjedisor, nga ajo energji që ka edhe implikime mjedisore. Në tregjet konkurruese, zvogëlimi i shkallës së TVSH-së ka të ngjarë të kalojë plotësisht te konsumatorët.

Shkallët e reduktuara të TVSH-së zakonisht në Shqipërinë e dy dekadave të fundit janë aplikuar për arsye buxhetore, por nuk kanë patur në konsideratën finale edhe arsyet ekonomike dhe konsumatore. Ndërkohë, në vitet më të fundit në logjikën e përdorimit të instrumentit buxhetor të TVSH janë prezantuar edhe shqetësimet mbi organizimin e tregut të shpërndarjes, efektin në gjenerimin e punësimit, ndikimin në të ardhmen e transportit, motivet mjedisore dhe ndikimin në modelin e zhvillimit ekonomik në 10-vjeçarin e ardhëm. Zbatimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së kërkon një dallim të qartë midis produkteve që vijnë nga energjia 100% e pastër dhe me ndikim minimal mjedisor, nga ajo energji që ka edhe implikime mjedisore. Në tregjet konkurruese, zvogëlimi i shkallës së TVSH-së ka të ngjarë të kalojë plotësisht te konsumatorët (edhe pse kjo duhet të zgjasë për pak kohë, veçanërisht në sektorët me hyrje intensive të kapitalit). Por, nuk mund të pritet pasqyrimi me efekte të dukshme për produktet me elasticitet të lartë të kërkesës dhe nëse reduktimi i TVSH-së do të perceptohet jo si i përkohshëm.



Përvoja europiane

Nisur nga përvoja ndërkombëtare, reduktimi i TVSH për produktet bazë, energjinë elektrike e produktet energjetike rekomandohet të kryhet nëse fillimisht marrim në konsideratë nivelin e ndikimit në (a) konsumin e përgjithshëm dhe ndikimin në xhepat e konsumatorëve (b) në prodhimin kombëtar, dhe (c) të ardhurat buxhetore. Në këtë drejtim ne duhet të shqyrtojmë efektet e një uljeje të përkohshme të TVSH, duke identifikuar tri efekte të mundshme:

– një efekt në të ardhurat dhe në individët e bizneset, që përfitojnë nga një kosto më e ulët gjatë periudhës së reduktimit, të TVSH; – një efekt që zëvendëson humbjen e buxhetit për të ardhurat e TVSH së reduktuar me të ardhura nga tatimet mbi kapitalin dhe taksa të tjera konsumi; – një efekt mbi konsumin dhe prodhimin ekonomik, pasi njerëzit blejnë mallra gjithnjë e më shumë gjatë periudhës që ka ulje të përkohshme të TVSH, pasi me uljen e shkallës së TVSH edhe çmimet do të jenë në ulje. Nëse përpiqemi të gjejmë referenca në vendet e rajonit, përveç Greqisë nuk gjen aplikim të shkallëve të reduktuara të TVSH në asnjërin prej fqinjëve të tjerë me Shqipërinë, si në prodhim dhe tregtim, po ashtu edhe në furnizim dhe shpërndarje. Por, ndërkohë nëse shikojmë në hartën tatimore energjetike europiane vërehet, se: Britania e Madhe zbaton 5% TVSH për furnizimin e energjisë, instalimet për eficiencë energjie (75% ulje nga shkalla standarde). Franca zbaton 5.5% TVSH për prodhimin dhe furnizimin me energji të rinovueshme (72.5% ulje nga shkalla standarde). Greqia zbaton 13% TVSH për furnizimin me energji (54% ulje nga shkalla standarde). Irlanda zbaton 13.5% TVSH për furnizimin e energjisë për ngrohje dhe ndriçim (42% ulje nga shkalla standarde). Italia zbaton 10% TVSH për produktet energjetike (55% ulje nga shkalla standarde). Luksemburgu zbaton 8% TVSH për furnizimin me energji (53% ulje nga shkalla standarde). Malta zbaton 5% TVSH për furnizimin me energji (73% ulje nga shkalla standarde). Nga eksperienca dhe statistikat në këto vende, ulja e TVSH-së së energjisë në raport me shkallën standarde ka rezultuar me një shtim të konsumit nga 0.2 te 0.4 % e PBB.

Efektet për buxhetin

Nëse nisemi nga programi i qeverisë 2013-2017 në lidhje me energjinë, zotimi që: Të ulë/ kompensojë TVSH-në për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër mund të konfirmohet se është arritur, për sa kohë kompensimi nga buxheti për familjet e varfra arrin te 12.5 milion euro në vit (500 lekë/muaj). Duke analizuar për hapësirën e mundshme për të realizuar uljen e çmimit pa ndikuar mbi tarifat, opinioni merr në konsideratë efektin te familjarët, te bizneset, te buxheti dhe në ekonominë shqiptare. Nëse këqyrim tendencat e konsumit shikohet se:  Konsumatori familjar mban një peshë gjithsej te 40% e gjithë TVSH-së së buxhetit.  Sektori i energjisë mban një peshë sa 3% e gjithë TVSH së buxhetit të shtetit. Nisur nga këto fakte fiskale, efekti kryesor nëpërmjet politikës fiskale së uljes së TVSH synon që të shërbejë për rishpërndarjen e të ardhurave nga të pasurit te të varfrit nëpërmjet rishpërndarjes së fuqisë blerëse, edhe pse nuk është ky i vetmi instrument i politikës që ndikon në këtë kontekst. Ndërkohë, që ulja e TVSH në faturat e konsumatorëve familjarë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve sa përqindja e TVSH-së së reduktuar të energjisë (optimalizim i shpenzimeve familjare dhe qëndrimit të tyre konsumator). P.sh. në vitin 2017, çmimi për konsumatorin familjar është 9.5 lekë/Kwh (me TVSH 20%). Nëse heqim TVSH, atëherë çmimi pa TVSH është 7.9 lekë/Kwh dhe TVSH është 1.6 lekë/Kwh. Për një konsum mujor prej 300 Kwh, TVSH i kushton çdo familje 480 lekë. Kjo shumë për familjet në nevojë rimbursohet nga buxheti i shtetit. Ulja e TVSH me të paktën 5% për një konsum mujore prej 300 Kwh/muaj përkthehet në një ulje të TVSH në vlerën 120 lekë në muaj. Për një konsum te 600 Kwh/ muaj, efekti i uljes arrin te 240 lekë në muaj. TVSH që përfitohet çdo muaj nga ulja e çmimit me 4.6% nga gjithë familjarët në Shqipëri nga faturimet është deri 170 milionë lekë, që përkthehet në pothuajse 35 milionë lekë TVSH nga tatimet më pak në buxhet për çdo muaj (420 milionë lekë/vit ~ 3.2 milion Euro/vit). Për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35Kw, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 Lekë/Kwh, ndërsa çmimi në pikë është 10.93 lekë/kwh. P.sh. ulja e TVSH-së në faturat e bizneseve do të thotë një kosto e ulur e çmimeve të shitjes së produkteve dhe shërbimeve të tyre me të paktën sa 5% e TVSH-së së reduktuar të çmimit të energjisë. Për një biznes që konsumon 3.000 Kwh në muaj, ulja do të ketë një ndikim në shpenzimet e tyre me të paktën 1200 lekë/muaj (14.4 mijë lekë/vit ~ 110 Euro/vit). TVSH që përfitohet çdo muaj nga ulja e çmimit me 4% nga gjithë bizneset dhe buxhetorët në Shqipëri nga faturimet është deri 90 milionë lekë, që përkthehet në pothuajse 20 milionë lekë TVSH nga tatimet më pak në buxhet për çdo muaj (240 milionë lekë/vit ~ 1.8 milion Euro/vit). Për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20 kv çmimi i shitjes së energjisë është 11 lekë/Kwh, ndërsa çmimi në pik është 12.65 lekë/Kwh. Tarifa e aksesit të shpërndarjes për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20kV është 3.9 lekë/Kwh. TVSH që përfitohet çdo muaj nga ulja e çmimit me 4% nga gjithë bizneset dhe buxhetorët në Shqipëri nga faturimet është deri 80 milionë lekë, që përkthehet në pothuajse 15 milion lekë TVSH nga tatimet më pak në buxhet për çdo muaj (180 milionë lekë/vit ~ 1.3 milion Euro/vit). Për gjithë kategoritë e klientëve më lart, nëse TVSH ulet jo me 5%, por me 10% llogaritjet janë sa dyfishi i përfitimeve të vlerësuara. Përgjigja e konsumatorit ndaj ndryshimeve të çmimeve që rezultojnë nga diferencimi i TVSH-së do të ndryshojë midis llojeve të produkteve dhe shërbimeve, varësisht nga elasticiteti i kërkesës. Plotësimi i plotë nënkupton një çmim të ndryshuar në nivelin deri 10%. Për mishin, qumështin dhe energjinë e brendshme (produktet me elasticitet të ulët të kërkesës) kjo do të çonte në një ndryshim në kërkesën prej më pak se 10%. Nga ana tjetër, provat tregojnë se në disa raste elasticiteti i zëvendësimit të një efekti ndikues midis produkteve brenda një grupi produktesh mund të jetë shumë më i madh. Të dhënat mbi elasticitetet janë të pakta gjithsesi dhe ato duhet të trajtohen me kujdes. Në tregjet më dinamike se Shqipëria me ritme të larta të inovacionit, ndikimi i reduktimit të TVSH-së është kryesisht për të ta bërë tregun më të nxitur për të ecur përpara dhe ndikon në depërtimin në treg të marrëdhënieve të reja dhe më të vlefshme edhe për konsumatorin. Nga ulja me të paktën 5% prej shkallës standarde të TVSH (20%), në buxhet llogaritet se do të hyjnë më pak deri 6.3 milionë Euro/vit nga TVSH e brendshme (DPT) dhe deri 7 milionë euro TVSH nga blerjet e importit, me një ndikim negativ në buxhet deri 13.3 milionë euro në vit, apo 1.4% në të hyrat nga TVSH gjithsej në buxhet. Në këto llogaritje përfshihet gjithë sektori i elektroenergjisë.

Efektet në ekonomi dhe biznes

Ulja e çmimeve me të paktën 5% për shumë nga produktet do të thotë një rritje e konsumit me të paktën 0.5% nga niveli aktual. Ndërsa, në versionin më pesimist, ku nuk do të ketë efekt ulje çmimesh nga bizneset, atëherë do të kishim një disponibilitet më të madh të parasë si dhe rimarrje investimi dhe akumulim kapitali në llogaritë e pronarëve të bizneseve, veçanërisht konsumatorëve të mëdhenj, si: miniera, prodhime të ndryshme për eksport, ndërtim, shërbime akomoduese dhe sociale etj. Faktet për shkallën në të cilën normat e reduktuara të TVSH-së ‘kalojnë’ te konsumatorët e fundit, dhe kështu të çojnë në çmime proporcionalisht më të ulëta të produkteve, janë mjaft të përziera dhe të diskutueshme. Dëshmia empirike, si dhe pritjet midis palëve të interesuara tregojnë shembuj të shumtë që efekti transferues i nxitjeve fiskale kalojnë  “jo të plota” te biznesi i vogël apo konsumatori final. Mungesa e konkurrencës dhe perspektiva e reduktimit të TVSH-së që janë të përkohshme janë ndër faktorët që përjashtojnë këtë kalim të plotë të efektit të TVSH. Ndikimi i diferencimit të TVSH gjithnjë pritet të tejkalojë stimulin financiar që ai ofron. Për produktet dhe shërbimet, të cilat zakonisht argumentohen nga profesionistët, efektiviteti i një shkalle të reduktuar të TVSH-së mund të rritet duke aplikuar shkallën e reduktuar jo vetëm për produktin. Në disa sektorë, konservatorizmi ndërmjet shitësve dhe politikës nxitëse mund të jetë një pengesë e rëndësishme, duke nënvizuar nevojën për shoqërimin e masave promovuese, duke vendosur në mënyrë specifike në shënjestër shitësit me pakicë dhe konsumatorët bazë. Nëse për konsumatorët efekti i uljes së çmimit është direkt me të paktën 0.4 lekë/kwh, për bizneset nuk mund të thuhet me siguri nëse do të reflektojnë uljen e çmimit te produktet dhe shërbimet e tyre. Nisur nga përvoja të kaluara për ulje apo heqje të shkallës së TVSH për aktivitete dhe sektorë ekonomikë specifikë (barnat, edukimi, media), llogaritet se konsumi nuk do të ketë efekte kaq të ndjeshme te të ardhurat familjare në periudha afatshkurtra, pasi shumë konsumatorë do të kërkojnë të marrin masat e tyre për t’u mbrojtur nga efekte inflacioniste të së ardhmes, por edhe për shkak të prezencës ende me ndikim të ekonomisë informale dhe qarkullimit monetar jashtë bankave. Nëse shkalla e TVSH-së për energjinë do të ulej me të paktën 5% më pak nga sa është aktualisht shkalla standarde e TVSH-së (20%), atëherë nga buxheti do të kërkohej si kompensim që TVSH të shtrihej mbi produkte dhe shërbime te pataksuara deri me sot me TVSH (shërbime financiare dhe bujqësia), të cilat duhet të taksohen për të ruajtur nivelin e të ardhurave.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas