Kryesore, Politika

Emrat që konkurrojnë për drejtimin e PD

basha votimeDeri më tash në garë për dy nënkryetarët e partisë janë Edmond Spaho, si nënkryetar i Kuvendit, dhe Edi Paloka, si kryetar i grupit parlamentar, edhe pse statuti i ri PD-së në fakt nuk e paracakton më zgjedhjen e nënkryetarit dhe se për këtë post mund të garojë gjithkush i propozuar nga kryetari, pavarësisht funksionit që mund të ketë ose jo në Kuvend

 



Partia Demokratike pritet që nesër të ketë lidershipin e saj të ri. Këshilli Kombëtar i konstituuar pak kohë më parë do të mblidhet nesër për herë të parë për të zgjedhur nënkryetarët e partisë, sekretarin e Përgjithshëm, 22 drejtuesit e departamenteve dhe 6 sekretarët funksionalë.

Me ndryshimet e reja në statut, emrat e rinj për funksionet sa më sipër do të jenë automatikisht edhe anëtarë të kryesisë së partisë duke përjashtuar për herë të parë në historinë e strukturave të PD-së zgjedhjen e një bërthame të kryesisë ku më pas kooptoheshin pa të drejtë vote edhe sekretarët.

Kësaj here ne kryesinë e re do të ketë vetëm kooptime dhe përbërja saj do të jetë shumë më e gjerë. Në bazë të ndryshimeve të reja në statut, kryesia e partisë përbëhet nga: kryetari i Partisë; nënkryetarët e Partisë, sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve dhe sekretarët funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar; kryesia e grupit Parlamentar; kryetari apo nënkryetari i Kuvendit që i përket grupit parlamentar të PD-së;  kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare që i përkasin grupit Parlamentar të PD-së si dhe kryetarët e organizatave partnere.

Emrat

Në bazë të një udhëzimi të nxjerrë pak kohë më parë nga kryetari i opozitës Basha, Partia Demokratike hapi garën për këdo anëtar demokrat që synonte të garonte për një prej 22 departamenteve dhe sekretarëve funksionale. Të vetmin përjashtim bënin nënkryetarët e partisë dhe sekretari i përgjithshëm.

Në asnjë prej këtyre detyrave nuk pritet që të ketë ndonjë risi.

Deri më tash në garë për dy nënkryetarët e partisë janë Edmond Spaho si nënkryetar i Kuvendit dhe Edi Paloka si kryetar i grupit parlamentar edhe pse statuti i ri PD-së në fakt nuk e paracakton më zgjedhjen e nënkryetarit dhe se për këtë post mund të garojë gjithkush i propozuar nga kryetari pavarësisht funksionit që mund të ketë ose jo në Kuvend. Në statut është lënë gjithashtu hapësira për disa nënkryetarë partie.

Megjithatë, deri dje për nënkryetar të PD-së fliteshin vetëm Spaho dhe Paloka, të cilët do të votëbesohen nga anëtarët e Këshillit. Për postin e Sekretarit të Përgjithshëm pritet që të garojnë Eduard Selami dhe Arben Ristani.

Në një garë të ethshme janë përfshirë edhe kandidatët për drejtues departamentesh dhe sekretaresh funksionale. Edhe në këtë listë nuk shihet ndonjë emër surprizë.

Shumica prej tyre kanë punuar si me Berishën ashtu edhe me Bashën, ndërsa vihet re se përveç Ristanit, Ndokës dhe Halimit disa prej emrave të tjerë deri dje figura kryesore të partisë, nuk janë përfshirë në garë duke siguruar postin e anëtarit të kryesisë vetëm përmes angazhimit të tyre në Kuvend. Në kryesinë e re të PD-së përjashtohen automatikisht Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, sa kohë që nuk përfshihen në asnjë prej kërkesave të statutit për të qenë anëtarë të saj.

Përballjet

Pas zgjedhjes së nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, interesante pritet të jenë edhe përballjet për 6 sekretarët funksionalë të partisë.

Edhe pse lista nuk është mbyllur ende pasi aplikantë të tjerë mund të futen në garë, deri më tani mësohet se për postin e Burimeve Njerëzore ndër emrat që do të votohen janë edhe Gazmend Dibra me Fatbardh Kadillin.

Për vendin e Sekretarit të Organizimit pritet përballje mes Florian Xhutit, Flamur Nokës dhe Eris Hoxhës. Ndërsa Grida Duma, Valbona Mezini dhe Edvin Kulluri do të konkurrojnë për postin e Sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun. Tek Organizatat Partnere, Ervin Salianji, Genti Malko e Irena Progni, kurse tek Shoqëria Civile, Nevila Xhindi, Mimoza Hajdarmataj me Edvin Kullurin. Ndër emrat që garojnë tek Sekretariati për Zgjedhjet janë Dardan Domi dhe Gjelosh Progni.

Në garën për drejtuesit e 22 departamenteve lista është shumë herë më e gjatë, pasi për një departament garojnë disa emra. Megjithatë në listën e gjatë spikasin emra si Jamarbër Malltezi, Suzana Guxholli, Enno Bozdo, Ivi Kaso, Eduard Halimi, Ylli Asllani, Tritan Shehu, Ferdinand Xhaferri, Petraq Milo, Jemin Gjana, Sherefedin Shehu…etj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas