Aktualitet, Arkiva

Ekzekutohet urdhri i Thaçit, dëbohen në Turqi pesë gylenistët

Pesë shtetasit turq, banorë të Kosovës, të identifikuar si përkrahës të Gylenit, janë deportuar për në Turqi, të enjten, pak orë pas arrestimit të tyre nga Policia e Kosovës.

Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan Gunakan, drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, pavarësisht se kanë qenë të pajisur me leje qëndrimi në Kosovë, u janë pezulluar ato.



Madje, të enjten në mëngjes Policia e Kosovës i ka arrestuar dhe më pas janë deportuar për në Turqi. Gazeta “Express” mëson se, tashmë pesë shtetasit turq, autoritetet kosovare veçse i kanë nisur për në vendlindjen e tyre në Turqi.

Express mëson edhe se Policia është vënë në ndjekje të të tjerë shtetasve turq që janë në Kosovë, e që janë të identifikuar si përkrahës të Gylenit dhe drejtojnë institucione shkollore të kundërshtarit të Presidentit të Turqisë, Erdogan.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka njoftuar zyrtarisht se shtetasve turq në fjalë ua ka revokuar lejeqëndrimin në Kosovë.

Arsyetimi i MPB-së për pesë shtetasit turq që drejtojnë një rrjet shkollash, të njohura në Kosovë, “Mehmet Akif”, ka qenë gjoja për arsye të sigurisë, por pa dhënë më shumë informacione.

Në lejeqëndrimet e këtyre të deportuarve, të siguruara nga “Gazeta Express”, shihet se dokumentet janë valide dhe koha e skadimit të tyre shënon deri më së largu në vitin 2023, për njërin prej tyre.

Dëbimi i këtyre shtetasve turq po ndodh vetëm pak muaj pasi autoritetet kosovare dështuan që përmes ekstradimit t’i binden kërkesës së Presidentit turk Erdogan, që t’ia dorëzojë në Turqi mbështetësit e Fetullah Gylenit, që ndodhen në Kosovë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas