Kryesore

Ekspertiza e FBI-së: Si u “zhdukën” filmimet e 11 kamerave të Kryeministrisë


Tiranë Zbardhet ekspertiza e FBI-së për serverin e kamerave të Kryeministrisë, përmes kërkesës për arrestin me burg ndaj specialistit të IT-së, Armando Kasaj. Sipas organit të akuzës, ditën e demonstratës së 21 Janarit në gjendje pune kanë qenë 11 kamera, filmimet e të cilave nuk i janë dorëzuar sot e kësaj dite Prokurorisë. Ekspertët e FBI-së nuk kanë mundur të rikuperojnë pamjet, por kanë dokumentuar të gjitha kopjimet e tyre, që dyshohet të jenë kryer nga Kasaj nga ora 19:24 deri në orën 21:34 minuta të 21 Janarit 2011. Më pas, këto pamje janë fshirë pas mesnate nga serveri, e vazhdojnë të mbeten të fshehta nga grupi i hetimit. Në kërkesën e saj, Prokuroria sqaron edhe letër-këmbimin me Këshillin e Ministrave për këto filmime, ku fillimisht kanë marrë si përgjigje mosfunksionimin e serverit prej vitit 2009, e më pas pamjet e vetëm dy prej 11 kamerave që kanë qenë në gjendje pune më 21 Janar. “Mapo” boton më poshtë kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg të specialistit të IT-së, i cili akuzohet për fshehje të provave dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në vijim të hetimeve për zbardhjen e demonstratës së 21 Janarit, është vlerësuar e rëndësishme për hetimin sekuestrimi i pamjeve filmike si dhe mjeteve teknike me të cilat është realizuar filmimi nga ana e kamerave të vendosura në godinën e Kryeministrisë, të cilat ruheshin me një Digital Dick Recorder (server) të posaçëm. Sekuestrimi i kësaj DDR-je ka ndjekur këtë rrugë kronologjike: Menjëherë pas ngjarjes së 21 Janarit, me një urdhër verbal të drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, janë urdhëruar strukturat përkatëse të Këshillit të Ministrave që të ruajnë të paprekura të gjitha regjistrimet vizive të sistemit të kamerave të sigurisë së ndërtesës dhe prej tyre është marrë verbalisht konfirmimi. Në vijim, më datë 26 janar 2011, me shkresë nr.703 i është kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave që të vërë në dispozicion të hetimit kopje të këtyre regjistrimeve. Në përgjigje janë dërguar vetëm regjistrimet e një kamere lëvizëse, për të cilën shpjegohej se ndodhej në tarracën e Kryeministrisë, ditën e ngjarjes. Me shkresën 1323 të datës 15 shkurt 2011 është përsëritur kërkesa për të dërguar regjistrime të të gjitha kamerave të sigurisë, që ndodheshin në pjesën e jashtme të godinës së Këshillit të Ministrave. Me shkresën nr.682, datë 17 shkurt 2011, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ka kthyer përgjigje se kamerat e përmendura në shkresën e Prokurorisë i përkasin sistemit kryesor, i cili është jashtë funksionit që prej fundit të vitit 2009. Më datë 4 mars 2011 është proceduar me sekuestrimin e DDR-së dhe po në këtë datë, me shkresën 870, Këshilli i Ministrave ka dërguar edhe një informacion shtesë, në lidhje me sistemin e vëzhgimit të Kryeministrisë, duke përcjellë edhe regjistrimet e një kamere tjetër. Pas ekzaminimit teknik që iu bë DDR-së, ekspertët e Policisë Shkencore kanë evidentuar: Pajisja nuk ka qenë e programuar për të kryer formatim automatik, që nga data 1 janar 2011 deri më datën 4 mars 2011 kësaj pajisjeje i është bërë formatim i hard-diskut në orën 12:14:14 të datës 21 janar, në orën 00:51:52 të datës 22 janar dhe në orën 12:10:21 të datës 28 shkurt. Më datën 21 janar, në orën 19:36:31 është realizuar kopjimi i të dhënave të regjistruara, duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme (hard disk, USB etj.). Organi procedues ka kërkuar ekspertimin e pajisjes DDR nga autoritetet amerikane të drejtësisë, nëpërmjet letër-porosisë. Më datë 13 janar 2011, Prokurorisë së Tiranës i është përcjellë e ekzekutuar letër-porosia e autoriteteve amerikane të drejtësisë për këtë pajisje. Sipas akt-ekspertimit të datës 13 gusht 2011, të kryer nga Departamenti i Drejtësisë, Byroja Federale e Hetimit, Laboratori i Provave Dixhitale, ka rezultuar se pajisja është formatuar manualisht në datat 21 janar 2011, ora 12:14:11, më 22 janar 2011 ora 00:51:52, dhe 28 janar 2011 ora 12:10:21. Regjistri i veprimeve në të dhënat e regjistruara të DVR-së ishte kopjuar nga DVR-ja për një organ medie, nëpërmjet portës USB…DVR-ja ka aftësinë të regjistrojë 16 kamera. Kamerat 4, 8, 12, 15 dhe 16 nuk kishin asnjë karakteristikë të rezolucionit apo të madhësisë, duke sugjeruar se këto kamera nuk kanë qenë duke regjistruar. Kamerat 1, 3, 5, 7, 13 dhe 14 ishin vendosur në rezolucionin SIF, ndërsa kamerat 2, 6, 9, 10 dhe 11 ishin vendosur në rezolucionin e terrenit. Të gjitha kamerat ishin vendosur të regjistronin në karakteristikat e cilësisë më të lartë, që është e mirë. Për më tepër, të gjitha kamerat ishin vendosur të regjistronin me shpejtësi të strukturës së plotë, që është 25 pamje për sekondë në secilin kanal. Në një analizë të të dhënave duket qartë se në këtë pajisje është ndërhyrë menjëherë pas ngjarjeve të datës 21 janar (në orën 19:24), duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë. Këto regjistrime nuk i janë vënë në dispozicion organit të prokurorisë, por përkundrazi është informuar se ky organ nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte që prej fundit të vitit 2009. Regjistrimet rezulton të jenë kopjuar dhe më pas fshirë, duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre dhe aktualisht ende nuk janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane, rezulton se më datën 21 Janar 2011 kanë qenë në gjendje pune 11 kamera. Pas kopjimit të të dhënave, pajisjes i është bërë formatim rreth orës 1 pas mesnate, duke fshirë në këtë mënyrë të gjitha regjistrimet që ndodheshin në pajisje. Nga të dhënat deri në këtë fazë të hetimit rezulton se kopjimi i të dhënave të regjistruara nga pajisja DDR është bërë nga personi nën hetim, Armando Kasaj, që ushtron detyrën e specialistit të IT-së në Kryeministri. Ky person ka bërë kopjimin e pamjeve vizive dhe ky fakt është pranuar prej tij. Nga hetimi ka rezultuar se kamerat ishin në gjendje pune dhe se personi nën hetim, Armando Kasaj, ka qëndruar në ambientet e Kryeministrisë pas orës 23.00 të datës 21 Janar. Në ngarkim të shtetasit Armando Kasaj ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se ka konsumuar elementet e veprave penale, parashikuar nga nenet 248 dhe 301 të Kodit Penal.

 



Të dhënat e kopjuara

21 janar  ora 19:24: 00

21 janar ora 19:25:16

21 janar ora  19:26:04

21 janar ora 19:26:25

21 janar ora 19:28:23

21 janar ora 19:29:19

21 janar ora 19:36:31

21 janar ora 19:37:45

21 janar ora 19:38:19

21 janar ora 19:39:06

21 janar ora 19:45:37

21 janar ora 20:48:45

21 janar ora 21:34:37

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas