Op Ed

Ekipi misterioz i Ramushit

Nga Imer Mushkolaj

Ekipin negociator, të cilin ka mundur ta caktojë muaj më parë, Qeveria çuditërisht e themeloi vetëm pak ditë para takimit Thaçi-Vuçiç në Bruksel dhe vetëm pasi presidenti po vazhdon ta promovojë idenë e tij të rrezikshme të “korrigjimit të kufijve”. Askush nuk e ka të qartë rolin, mënyrën e përfaqësimit të vendit, si dhe funksionimin e këtij ekipi në raport me presidentin Thaçi. Një ekip i vonuar, me shumë të panjohura



Në prill të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi një platformë nëpërmjet të cilës u përpoq ta autorizojë presidentin Hashim Thaçi që të negociojë dhe arrijë marrëveshje me Serbinë. Platforma u dërgua për miratim në Kuvend, por u tërhoq pa ndonjë arsyetim.

Që atëherë ka ndryshuar shumëçka sa i përket qasjes së presidentit në raport me dialogun me Serbinë. Ai ka javë që më të madhe po i mëshon idesë së shkëmbimi të territoreve, respektivisht “korrigjimit të kufijve”, që është veç një eufemizëm për një situatë që mund të çojë në copëtimin e vendit.

Vetëm tash, pas gati pesë muajsh prejse platforma u dërgua dhe u tërhoq nga Kuvendi, Qeveria vendosi ta themelojë një ekip negociator për bisedimet me Serbinë, të udhëhequr nga Fatmir Limaj. Vendimi erdhi në kohën kur presidenti Thaçi po imponohet me të madhe si njeriu i cili do të arrijë marrëveshje me Serbinë dhe si i vetmi nga pala kosovare që e di se çfarë nënkupton i ashtuquajturi “korrigjim i kufijve”. Vendimi për caktimin e ekipit negociator erdhi vetëm pasi nuk mbeti kush pa reaguar për aventurën e rrezikshme të presidentit. Po ashtu, shumë pikëpyetje e shoqërojnë këtë vendim të qeverisë.

Së pari nuk është i qartë roli i këtij ekipi, ashtu si dhe roli i mëtejmë i presidentit Thaçi. Askush nuk e ka bërë të qartë se çfarë do të jetë përfaqësimi i Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë. Askush nuk e di se cilat janë vijat e kuqe në këtë dialog, madje nuk e di nëse ekzistojnë fare ato. Cila është ose do të jetë platforma e Kosovës në këto bisedime? Cili do të jetë roli i Limajt karshi atij të presidentit? Pse u desh të pritet kaq shumë që të caktohet një ekip i tillë?

Shumë pyetje e dilema të tjera presin përgjigje.

* * *

Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj kundërshton bisedimet që cenojnë integritetin territorial të Kosovës, që po i promovon presidenti Thaçi, madje duke i konsideruar “ftesë për tragjedi të reja”, ai vazhdimisht e ka përkrahur Thaçin që të jetë në krye të procesit të dialogut.

Ndërkohë, vendi ende nuk e ka një platformë për bisedime dhe gjithçka që është bërë publike janë vetëm deklaratat e Thaçit për bashkimin, sipas tij, të Preshevës me Kosovën, pa treguar se çfarë duhet t’i jepet në këmbim Serbisë.

Më 7 shtator është paralajmëruar takimi Thaçi-Vuçiç në Bruksel. Është interesante se si Qeveria vendosi ta caktojë ekipin negociator vetëm pak ditë para këtij takimi, ndonëse këtë ka mundur të bëjë muaj më parë. Gjithkush e ka ditur se faza finale e dialogut do të vazhdojë dhe nuk ka pasur asnjë arsye të pritet deri tash.

Ekipi negociator ka mundur të caktohet qysh muaj përpara – atëherë kur askush ende nuk fliste për cenimin e integritetit territorial të vendit, atëherë kur presidenti Thaçi ende nuk kishte filluar të mbante konferenca të njëpasnjëshme për gazetarë, në të cilat prezantonte idetë e tij të rrezikshme, atëherë kur do të kishte kohë të mjaftueshme për të hartuar platformën e nevojshme, për të përcaktuar vijat e qarta dhe për të vendosur në Kuvend se kush dhe si do ta përfaqësojë Kosovën.

Po ashtu, nuk ka si të jetë e rastësishme pse ekipi u caktua vetëm një ditë pasi Kuvendi pritej të mblidhej në seancë të jashtëzakonshme për të miratuar një rezolutë, në përpjekje për ta parandaluar Thaçin që ta nxjerrë në pazar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

* * *

Qeveria e Ramush Haradinajt dhe vetë kryeministri duhet të japin përgjigje në këto pyetje dhe në dilema të tjera të ngjashme. Nuk mjafton të thuhet vetëm se Qeveria po synon seriozisht që të bëhet pjesë e dialogut. Duhet të qartësohet roli i presidentit dhe, çfarë është më e rëndësishmja, roli i Kuvendit në proces.

Integriteti territorial nuk është çështje personale e as private e askujt, andaj lypset qartësim i pozicionit të shtetit të Kosovës karshi Serbisë. Askush nuk mund të mashtrohet nga pohimet se Presheva do t’i bashkohet Kosovës, por asgjë nuk do t’i jepet Serbisë në këmbim. Kjo është vetëm një përpjekje e kotë e presidentit për të arsyetuar aventurën e tij të rrezikshme.

Siç mund të jetë e rrezikshme edhe kjo përpjekje e Qeverisë për formësimin e një ekipi negociator, pa u bërë i qartë roli i presidentit. Nuk ka nevojë për një ekip që vetëm mund t’i bëjë karshillëk atij. Vendit i duhet ekip konsensual shtetëror, platformë e qartë dhe ndalje e Hashim Thaçit në rrugën e tij drejt nxjerrjes në pazar të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit – në një situatë aspak të favorshme kur Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe asgjë nuk mund të negociohet normalisht, ashtu si ndërmjet dy shteteve që njohin njëri-tjetrin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas