Arkiva 2

EDI RAMA/ Kurbani, personazhet pozitive, negative dhe ata që ndreqen


Nëse i bën bashkë të gjithë artikujt e shkruar mbi librin e ri të Edi Ramës, Kurban, pro apo kundër, vëllimi i tyre ia kalon në faqe e fjalë vetë tekstit për të cilin flitet. Kjo bojë, miratim apo kundërshtim, e derdhur me shumicë, është bashkuar megjithatë në një pikë: atë se stili publicistik i Edi Ramës është i pashoq dhe i rrallë për letrat shqipe. Daut Gumeni, në një shkrim panegjirik në të përditshmen ‘Shqip’, ka shkuar më tej duke i rreshtuar edhe nja 40 neologjizma (fjalë të reja) të shqipes, megjithëse të paktën njëri prej tyre (i ububushëm) i përket, në fakt, Ismail Kadaresë.

Teksti i Edi Ramës nuk i ka shpëtuar megjithatë banaliteteve. Të paktën në dy raste.  Njëri është kur ai quan ‘gazetar të madh’ Filip Çakulin, drejtorin e emisionit parodiko-problemor ‘Fiks Fare’. Edhe pse cilësimin e tij ia kundërvë një epiteti të përdorur nga kryeministri Berisha (çakalli i medias), kjo nuk e bën më pak të… ububushëm, epitetin e Ramës për Çakulin. Shumë vetë në media do të kishin probleme me dy elementet përbërës të togfjalëshit si ‘gazetar’ ashtu dhe ‘i madh’. (Është një teknikë e përdorur së fundmi edhe nga kryeministri Berisha kur, në një dhomë plot me njerëz të medias, evidentoi gazetarinë e Ardit Gjebresë. Si në rastin e Ramës, ashtu dhe të Berishës, bëhet përpjekja për të evidentuar si ‘kalorës të gazetarisë’ personazhe mediatikë afër tyre. Të dy i lejojnë vetes arrogancën e ‘ekspertizës’ në gazetari ose bëjnë diversion të panevojshëm.)



Tjetër moment i prezantuar ligsht dhe që stonon me ritmin e përgjithshëm të tekstit të Ramës së Kurbanit vjen kur ai quan bashkëshorten e tij, Lindën ‘gjysma ime më e mirë”. C’mon!! Përveçse është e stërpërsëritur, fraza do të rrinte ngushtë në fjalorin vuajtës të një rioshi, por në diskursin politiko-intim të kryetarit të gjatë e në moshë të opozitës së një vendi i cili ka kulm të aksionit të tij kredon për t’u bërë kryeministër i vendit, kryen atentat ndaj qëllimit për të cilin është përdorur. Nuk i shkon dikujt që, për të perifrazuar Gumenin, ka futur 40 neologjizma në trupin e shqipes. Mund t’i shkonte, m’anë tjetër, për të perifrazuar vetë z. Rama, Robert Çamçakëzit.

A është më shumë se e guximshme dhe ndoshta pretencioze të etiketosh si banalitet diçka që përndryshe, fare mirë, mund të ishte vetëm një rrëfim ‘me zemër të hapur’ i z. Rama? Në rast se ngjarjet dhe personazhet, të sjella siç janë sjellë nën trusninë e penës së Ramës, nuk do të ishin pjesë e peizazhit publik shqiptar, po. Por pjesa më e mirë e tyre janë dhe lexuesit e ‘Kurbanit’, atyre që e lexojnë tekstin pa u zhveshur nga kujtesa kolektive e gjërave, individëve dhe ngjarjeve, i dinë raportet në kohë të Edi Ramës me personazhet e Kurbanit të tij.

Këtij lloj lexuesi nuk i duhet ndërmjetësimi i Edi Ramës për të lexuar raportet e Edi Ramës me Mero Bazen, Fatos Lubonjën, Fatos Nanon, Ilir Metën e kështu me radhë. Megjithatë, duke qenë se te kujtimet, siç shkruan Ardian Vehbiu për librin e Ramës, ndikojnë edhe përthyerjet e kohës, shkruesit të tyre i lejohet hapësira që e ndan përthyerjen nga ajo që Fatos Lubonja në një shkrim te ‘Panorama’ e quan kulturë të simulim-manipulimit.

Përtej saj kujtimet shndërrohen në rivendikime ose shfrytëzohen për të mbajtur gjallë një kulturë tjetër, atë të qokave. Krijohen kështu dy palë ose dy lloje karakteresh që të kujtojnë tekstet socrealiste me personazhe të këqij, të mirë dhe ata që ndreqen. Për këta të fundit nuk është kursyer pudra dhe as penelatat dashamirëse, por të gjithë e dimë, ashtu si grija socialiste poshtë furçave bojëshuma të pallateve të Tiranës rri, i ftohtë dhe pritës, zemërimi dhe përbuzja e kahershme.

Galeria e personazheve që ndreqen nën penën e Ramës janë edhe banaliteti kryesor i tekstit të tij. Më shumë se ‘gjysma ime më e mirë’ apo ‘gazetari i madh filan fistek’. Sigurisht kjo mund të mbulohet dhe të rrëshqasë nën vetë një prej emërtimeve të gjetura për gjininë e Kurbanit, ‘refleksione’. Kjo si për të thënë se si autori, si personazhet, me kohë e pas ngjarjeve, kanë reflektuar e të gjithë bashkë janë pjesë e këtij refleksioni të madh e të përgjithshëm që quhet rrugëtim në politikë. Ose thënë më shkurt e qartë: Inkoherencë.

E kujt i duhet koherenca…A nuk është edhe ajo një banalitet?

*Botuar fillimisht në revistën MAPO të muajit dhjetor. Revista, që nga nëntori, del si e përmuajshme duke i dhënë një tjetër formë dhe synim paraardhëses së saj të përjavshme me të njëjtin emër.

 

PasPara

5 komente

  1. 4 Ziveret e vrare nga Edvini ne 21 janar jan vetem nje pik uje ne kte kurban te madh qe ai po e realizon ne kto vite ndaj shqiperise.
    Edvini po marshon pa u ndalur fitimtar ne udhen e tij te shemtuar e monstruoze. Do ja ndalim hovin ketij kapobande apo do hyjme nen zgjedhen e tij si pula e dele ? Kjo eshte ceshtja.

  2. Tefik Rama nuk fiton as ne 2013 per kete te jesh i bindur.Me vone nuk dihet se c'do behet.Ishallah vret veten te shpetojme edhe ne.

  3. Bëhen kurbane e prapë themelet lëkunden…..
    Nga Raimonda MOISIU

    Esse-analizë rreth librit “Kurban” të Edi Ramës

    Libri “Kurban” i Edi Ramës është një qasje sa unike, provokative, aq edhe një arritje, eksperiencë dhe përpjekje e shkruar bukur me kredenciale qytetarie e akademike, shënime paralele përtej traditës së një rrëfimi, por të argumentit në vetvete si çështje e intelektit të mirëfilltë, identifikon tiparet e shoqërisë shqiptare postkomuniste në një gamë të konsiderueshme në të përditshmen njerëzore. Edi Rama ka argumentuar bindshëm se këto tipare lindin në shumëllojshmërinë e botës së qytetëruar. Autori ka ndërtuar raportin e imazhit të së shkuarës me situatat historike, sociale,politike, kulturore , dhe i ka përshtatur me të tashmen e të ardhmen, që meriton respekt e ngjall kërshërinë e domosdoshme për ta lexuar.

    Shpirti artistik i Ramës–vlerë thelbësore sociale
    Libri “Kurban” hapet me parantezën biografike të origjinës së autorit. Vlerat për formimin e tij ia atribuon dy njerëzve më të dashur të jetës, të atit dhe nënës, dhe jetën familjare e bashkëshortore, autori i ka përdorur për të vendosur bazat për pjesën tjetër të librit. Rama një ish–liceist,piktor, artist, sportist, student i dhjetorit, publicist, mendjehapur, dëshira për liri në një botë të lirë, mendime të një ekzistencializmi intensiv, ka shpalosur mjaftueshëm kuptimin më të thellë dhe ndërveprimet më të fokusuara të ndryshimit të sistemit. Autori bashkudhëton me ankthet dhe shqetësimet shpirtërore në gjendjen e mjerueshme të qytetit e mjedisin grotesk të realitetit të ashpër shqiptar. Rama ka parashtruar argumentet dhe përshkruar në detaje ngjarje e situata, kalvarin e vështirësive e sakrificave të pashmangshme, skenat e prapaskenat, përkrahjen e mospërkrahjen, sfidën e triumfin mbi frikën dhe guximin, në kuadrin realist të një Tirane të nisur nga zero-ja(0). Të një Tirane të kioskëzuar cep më cep të saj, që nga qëndra, anës lumit të Lanës dhe Parku Rinia, në kufijtë e konfliktit të njeriut të rrethuar nga muret sociale dhe metastazat, në formë e përmbajtje të mënyrës së jetuarit dhe filozofisë të jetës. Të çmendurisë e katrahurës të tmerrshme, të përzierjeve të patjetërsueshme të tendencave e intensitetit dramatik, veçmas kolibet e ngritura mbi trupin e Parkut RINIA që po ja pinin”gjakun” e zinin “frymën” dalëngadalë, kolibet anës Lanës të shndërruara në kënetë e moçal, ku lindën e bashkëjetonin “shushunjat e piavicat” të morales e imorales, qejfit dhe ukubetit, tendosjes e rritjes, zhegu dhe uria, i pasuri dhe i varfëri, grindjet e gabimet, alkooli dhe droga, krimi e vetgjyqësia, realja e irrealja, naiviteti dhe sinqeriteti, intelekti dhe vetëdija, mashtrimi dhe ndërgjegjja, indiferenca dhe moskokëçarja, jeta e mbijetesa, – çudinë e asaj “gjelle” që po gatuhej, në përputhje me metaforën e kohës. Dhe kështu duke mos e humbur asnjëherë besimin në vetvete dhe te përkrahësit e tij, shembull i forcës e këmbëngulës, njohës i thellë i traditës, Edi Rama si artist dhe me përgjegjësi qytetare e kombëtare të një Kryebashkiaku të Metropolit shqiptar nisi erën e ndryshimit të imazhit të qytetit. Me pasurinë shpirtërore artistike të një piktori i maturuar tashmë me eksperiencën e kulturën bashkëkohore europiane, të vendeve demokratike , vende të kulturës e artit që ngado ku shkon, shikon vepra arti që zbukurojnë qytetet, brenda mundësive të tij fizike e materiale filloi të ngjyrosë pallatet dhe muret e qytetit, i vuri “ruspat” kioskëzimit e katrahurës urbane. Rama me guxim e besimin te ardhmëria, guxoi të prekë plagë të dhimbshme e të ndjeshme të jetës sociale e qytetare, politike dhe varfërinë ekonomike, të zbrazëtisë e përkushtimit qytetar, intelektual e politik. I bindur në dialektikën e objektivitetit e subjektivitetit dhe komunikimit me botën e brendshme e të jashtme të tyre, se sa më shumë kulturë e vepra arti të vendosen në qytet, aq më shumë vlerësohet e respektohet tradita e kultura e një vendi, përpos asaj që i ndihmon njerëzit të largohen nga streset e mosmarrëveshjet e ditës. Rama gjatë gjithë kohës ka bërë një bashkërendim interesant midis strategjive politike që kurrë nuk e vlerësojnë një vend, sepse ato nuk prodhojnë art, dhe kreativitetit artistik –sepse arti e kultura zbukurojnë qytetin, janë pashaporta e një kombi, – janë vlera thelbësore sociale, qytetare dhe historike. Dhe Edi Rama në më shumë se një dekadë si Kryebashkiak i Tiranës, ia arriti të zhdukë mjerimin e pashpresë të Tiranës, transformimin rrënjësor dhe kthimin e Parkut Rinia e Lumit Lana, përtej identitetit të tyre –ta shndërrojë Tiranën, në një qytet plot jetë, dritë e kolorit ngjyrash, mes të bukurës shpirtërore e të përditëshmes njerëzore,- duke i dhënë imazhin e një metropoli europian.

    Pena publicistike e Ramës penetron në
    labirintet e harruara të realitetit të ashpër
    Me diskutime shumë interesante të temave të zhvillimeve demokratike, në pasazhet që vijojnë, Edi Rama na ka ofruar bashkëjetesën e sfidave social-ekonomike në një demokraci të brishtë, dhe ka përfshirë origjinalitetin e faktorëve kryesorë politikë, që janë të lidhur me të vërtetën e ngjarjeve në jetën e tij dhe “në çdo cep” të shoqërisë shqiptare. Autori rrëfen shpirtin e tij të trazuar jo nga skamja e uria, por i rrethuar nga marrëdhëniet “dashuri-urrejtje”, me të mirat dhe të këqijat, dështimet e fitoret, me humbjen e gjetjen e shpresës e besimit, me lotët e gëzimit e hidhërimit, kjo dallohet në lidhjen e fortë e të ngushtë me birin e tij, luftën për “jetë a vdekje” që fatmirësisht Gregu i tij e kaloi. Vlerëson marrëdhënien me nënën e tij Anetën dhe raportin me Lindën, që Ramës i pëlqen ta quajë “me gjysmën e tij më të mirë”. Herë me ironi të lehtë e herë me sarkazëm, me mençurinë e urtësinë e tij, Rama shprehet në lidhje me marrëdhëniet dhe raportet me aleatët e miqtë e tij, apo edhe me kundërshtarët politikë, duke nisur që nga Ilir Meta, Fatos Nano, Sali Berisha,etj. Ai tregon të gjithë jetën e tij gjatë atyre 11 viteve, duke mos lënë pa përmendur akuzat e shpifjet për atin e tij, Skulptorin e Popullit Kristaq Rama, nga mediat pro-qeveritare, klanet e medias të lidhura me pushtetin, individë të veçantë me postë e pa poste qeveritare. Sepse autori Rama po të mos i përkiste botës të artit, i lirë në një botë të lirë dhe i zhveshur nga komplekset e paragjykimet e mentalitetit të kohës, nuk do të kishte marrë përsipër të replikonte me sinqeritet të vërtetën e fotove nudo të shkrepura diku në Francë. Shumë prej nesh nuk kanë foto të tilla nga rinia. Natyrisht është e drejta e Ramës që ti ketë këto foto privatisht dhe që të mos ia përplasin në faqe të parë të gazetës. Packa se nuk i përkiste botës së politikës, ato u përdorën në mënyrën më manipulative nga kundërshtarët e tij e individë të caktuar. Të gjitha këto Rama i përdor me elokuencë në rrëfimin e tij, me qëndrueshmërinë e artistikes e filozofikes, kundrejt vlerës e antivlerës, mediokritetit e elitizmit, vetëgjymtimit e vetëvrasjes intelektuale të shoqërisë dhe rolit të shtresave sociale e politike që operojnë në të.

    Watergate Scandal – it’s not about Greedy, it’s all about Poëer!(Skandali i Satergate-it nuk ishte për pangopësinë, por gjithçka për Pushtetin!!!
    Kjo frazë e një analisti amerikan të kohës së Skandalit të Watergate-it , më erdhi ndërmend teksa lexoja librin “Kurban”, dhe sepse gjeta shumë gjëra të ngjashme në përkufizime të tilla që Edi Rama ka përdorur, sikundër: “politika nuk duhet të jetë lufta për pushtet” , “nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit.” Pra, ndryshe nga ai i Watergate-it, që ishte vetëm për PUSHTETIN ,- Vidio-Skandali i Ilir Metës ishte; For GREEDY & POËER! ( Për Pangopësi, dhe Pushtet), por që krijoi një klimë krejt tjetër, -shpërthimin e revoltës popullore më 21 Janar 2011. Autori ka përshkruar gjendjen, thellësinë e zemërimit popullor,ndjenjën dhe psikikën e tij të lidhur me atë ngjarje të përgjakshme e tragjike, vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm, vjedhja hapur e zgjedhjeve të 8 Majit, dhe kurbanin e therur para Bashkisë si për të bekuar vjedhjen e krimin, të gjitha këto ruajnë rrjedhën e llogjikës në kontekstin moral e dimensionin e dhimbshëm shpirtëror, neverinë dhe dhembshurinë, keqardhjen dhe trishtimin, dëshpërimin dhe mjerimin përkundrejt dobësisë të karakterit të dyfishtë të shtetit: Pangopësisë e Pushtetit! Janë kontribut i interpretimit origjinal të shqetësimeve të njeriut modern e bashkëkohor, të kuptuarit e këtij fenomeni, por edhe arsyet e shkaqet për ndodhinë e tyre, që janë me të vërtetën universale. Libri ofron një kënd-vizioni për pyetje e përgjigje, që padyshim sjell edhe polemika, kërkime, njohuri të reja dhe formulimet që përfaqësojnë progresin në studimin dhe krahasimin mes tyre, sikundër kërkon edhe vëmendjen e të gjithë shtresave të shoqërisë. Rama me forcën e metaforës së rritjes dhe formimit fizik, qytetar e intelektual të vetes e shoqërisë që e rrethon, përcjell mesazhin optimist e shpresëdhënës, se në dashuri, art e jetën sociale-ekonomike e politike, njeriu është vetëm gjysma, ndërsa gjysma tjetër është figura, vepra, mendimet e filozofia e tij, duke i inkurajuar kështu dhe trajtuar sadopak streset e mosmarrëveshjet e ditës, për të qenë të barabartë mes të barabartëve, se e ardhmja që ekziston i përket jetës e dashurisë njerëzore. Kjo është më se e arsyeshme se si autori siguron një standard uniform, debaton me brezin në përfshirjen e tij brenda kornizës interpretuese artistike e filozofike, të mjedisit jetësor, me butësinë dhe agresivitetin e tij, për të gjykuar mbi cdo vullkan urrejtjesh dhe kthetrave histerike klanore, hipokrizisë, falsitetit, antivlerës e groteskes, apo “urrejtjen politike që rrit fëmijë të palumtur”-shprehet autori…

    Ish–kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në librin e tij publicistik,“Kurban”, ka demostruar stilin e tij të admirueshëm gazetaresk, që e pati shfaqur në mënyrë spektakolare, profesionale e mbresëlënëse, saqë desh ia ndanë kokën më dysh në periudhën kur rriheshin në masë gazetarët e digjeshin redaksitë. Reklamën e parë e më të fortë ia bëri këtij libri, kryeministri shqiptar, z.Sali Berisha, sepse nisi ta shante librin pa dalë akoma në treg. E veçanta e këtij libri është se autori i drejtohet audiencës së lexuesve me “TI”-e respektueshme- duke e bërë më konfidenciale narracionin. Edi Rama ka përdorur një mënyrë të shkruari që të kujton nisjen e një cikli të ri të një veshjeje që ka qenë në modë dikur. Frazat e tij të gjata shumë, të kalkuluara pa asnjë gabim, të kujtojnë stilet letrare të Tolstoit, Dikensit e Konicës. Libri “Kurban” i Edi Ramës vë në dukje raportin mes të bukurës së artit, ideve të tij si frymëzim shpirtëror dhe dimensionit estetik, qytetar e intelektual të politikës , si një urë komunikimi vizual dhe dialogon me fjalën e shkruar të vërtetën për individin e shoqërinë në jetën social-ekonomike, politike e kulturore, i bën thirrje shoqërisë të mendojë ndryshe, përpos edhe asaj dhunës politike, dashakeqësisë së saj që bën kurbane, dhe prapëseprapë themelet lëkunden

  4. shoqeri shqiptare nuk eshte egteshme te ket EDI ramen ne krye morali shoqeris shqiptare eshte shum large nga morali i Rames,ky eshte per hollivudin ,shoqeria jon nuk ka arritur akoma Hollivudin::

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas