Editorial

Edi, fasadat janë të rëndësishme, por koha e tyre mbaroi

Nga Ervis Iljazaj

Dje në takimin e radhës me popullin, Kryeministri është shprehur se, është gabim të thuash që fasadat nuk duhen, sepse ato sjellin mirëqenie. Bukuria dhe mirëqenia sipas tij janë të lidhura bashkë.



Rilindja urbane ka qenë një nga investimet më të madha të kësaj qeverie. Ndoshta me të drejtë, pasi shumë nga qytetet e Shqipërisë përpara ndërhyrjeve, ishin si qytete në gjendje lufte, dhe në këtë mënyrë transformimi i tyre ishte i domosdoshëm. Qartazi një pjesë e mirë e buxhetit shqiptar, kanë shkuar për rilindjen urbane, ndryshe nuk kuptohet se përse taksat janë rritur, dhe shumë nga shërbimet publike janë dhënë me koncesion privat si pasojë e mungesës së fondeve.

Mirëpo a ia vlente barra qiranë, që shuma të mëdha parash nga buxheti shqiptar kanë shkuar për rilindjen urbane? A janë kthyer mbrapsht në aspektin ekonomik këto investime? A mos ndoshta do të ishte më mirë që këto para të shkonin në investime me drejtim zhvillimin ekonomik?

Këtu do të duhej një studim i detajuar nga specialistë të fushës, por ajo që mund të perceptohet nga disa indikatorë makro, si për shembull dëshira e shqiptarëve për të imigruar në masë, tregon që, të paktën perspektiva dhe shpresa nuk është në gjendjen e saj më optimiste.

E megjithatë, Edi Rama u votua për këtë politikë në zgjedhjet e kaluara, dhe me sa duket, shqiptarët e kanë aprovuar politikën e tij të rilindjes urbane.

Në fakt, kjo ka qenë një zgjedhje e mirëfilltë dhe e ndërgjegjshme e Edi Ramës, dhe filozofisë së tij në qeverisje. I gjithë mandati i parë, por edhe tani është i bazuar në një lloj politike estetike, ose ndryshe një lloj modernizimi politik. Nuk kishte si të ishte ndryshe për një Kryeministër artist, që gjëja e shëmtuar i vret sytë. Gjithashtu, nuk mund të thuhet se shumë nga këto investime të rilindjes urbane kanë dhënë frytet e tyre.

Mirëpo sa mund të vazhdojë të mbajë politika estetike e Edi Ramës?

Është e qartë se, estetizmi politik ka kuptim deri në një fare pike. Aq më tepër kostoja dhe përftimi nuk janë në favor të këtij të fundit. Nëse nuk arrihet të ndërhyhet me politika nxitëse ekonomike, më pas shprehja që nuk duron dot Kryeministri – “ne s’kemi bukë të hamë, ç’na duhen fasadat”, do të kthehet në një shprehje që nuk do të jetë më vetëm batutë, por realitet i prekshëm.

Kështu që, kjo qeveri nëse kërkon të ketë sukses të mëtejshëm, duhet ta mbylli me fazën e estetizimit, dhe të fillojë një politikë të re, atë të zhvillimit ekonomik.

Shqipëria ndodhet përpara një momenti, pothuajse jetik të saj. Në prag janë hapja e negociatave me Bashkimin Europian, që janë lajmi më i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare. Vazhdimi i procesit të integrimit, në këtë koniunkturë gjeopolitike aspak të qetë dhe me shumë të panjohura, duhet të jetë beteja kryesore e kësaj qeverie. Mirëpo që të arrihet kjo, ka nevojë për reforma të rëndësishme, ekonomike, shoqërore dhe në shumë fusha të tjera. Mbi të gjitha, ka nevojë për vazhdimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, kushti thelbësor i theksuar nga të gjitha kancelaritë europiane. Reformë e cila, duket sikur ka mbetur pezull dhe po ecën me ritme super të ngadalta.

Kështu që, qeveria shqiptare, ka përgjegjësinë të ndryshojë kursin e saj, dhe të lërë mënjanë llogaridhënien me qytetarët dhe fasadat e saj.

PasPara

1 koment

  1. Një “artist” si puna e të gjatit, e ka të vështirë të mos e zbardh të zezën si: drogën, karrupsionin, paratë e pista për lavatriçet shqiptare dhe për të gjitha këto arritje duhet vënë në funksion dy lloj çmimesh për merita të veçanta siç mund të ishte ai” i Hajdutërisë” apo “i Pafytyrësisë”. Asgjë e justifikueshme. Justifikimi është fajsi. Fasada dhe lustrat janë për injorantët. Janë mashtrime, tymnajë dhe para të hedhura pa përgjegjshmëri. ERTV-ja nuk po na e mbush barkun me bukë. Fasadat ngjajnë me Lesh- ttingun,( procesi më mashtrues në historinë shqiptare) me median “kazan”, me batutat kryeministrore, me jetën kriminale dhe çdo gjë tjetër banale në këtë vend. Bashkë me fasadat ka mbaruar edhe koha e atij që e quan veten Mesia. Tregu me drogën po na ecën mbarë, edhe pse na zhvlerësohet euroja. Fasadat duan edhe drogë cilësore që të fluturojmë me presh drejt qiellit të shtattë nga llumturia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas