Sport

E quajti sharlatan, Panucci padit Bujar Nishanin dhe i kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë ka paditur që më 20 korrik, në Gjykatën e Tiranës, ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Nishani është paditur nga Panucci në gjykatë, padi e cila do të shqyrtohet nga gjyqtarja Anila Karanxha. Trajneri kuqezi kërkon dhe përgënjeshtrim të deklaratës

Christian Panucci është i gjithi i përqendruar te dy ndeshjet e radhës zyrtare të kombëtares së Shqipërisë, që do t’i luajë më 7 dhe 10 shtator në “Elbasan Arena” dhe në Skoci, respektivisht. Duket sikur ky është shansi i fundit i tij për të fituar zemrat e tifozëve kuqezinj, por edhe të vetë punëdhënësve në FSHF. Zhgënjimi në lojë dhe rezultat, si në miqësoret e fundit, mund t’i rrezikonte atij postin që mban.



Megjithatë, duket se ish-futbollisti i Real Madridit, ndër të tjera, ka hapur një luftë edhe jashtë fushës së blertë, që nuk dihet se sa do t’i pëlqejë Armando Dukës dhe të tjerëve në zyrën pranë Ambasadës Amerikane, në Rrugën e Elbasanit. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë ka paditur që më 20 korrik, në Gjykatën e Tiranës, ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, që i dorëzoi me duart e veta nënshtetësinë shqiptare paraardhësit të Panuccit, Xhani de Biasi.

Shkak për këtë vendim të papritur dhe të rrallë në futbollin tonë është bërë një status i ish-Presidentit Bujar Nishanit pas humbjes 3-0 të kombëtares kuqezi ndaj Kosovës, në miqësoret e fillimqershorit, në Zvicër. Nga ai status, Panucci është ndier i fyer dhe prekur në imazh, ndaj kërkon nga gjykata dëmshpërblim financiar prej 100 mijë eurosh.

Ish-Presidenti i Shqipërisë e cilësonte Panuccin si një sharlatan, që po shkatërron edhe atë që është ngritur, pas humbjes së kombëtares përballë Kosovës. E pikërisht kjo deklaratë e Nishanit është paditur nga Panucci në gjykatë, padi e cila do të shqyrtohet nga gjyqtarja Anila Karanxha. Veç dëmshpërblimit financiar, trajneri kuqezi kërkon dhe përgënjeshtrim të kësaj deklarate nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Ai, në padinë e ngritur, është bazuar në nenet 608 dhe 654 të Kodit Civil dhe pretendon se i është cenuar nderi, personaliteti dhe reputacioni.

Neni 608

Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.

Neni 654

Personit që ka paguar detyrimin e një tjetri duke besuar se ishte debitor, në bazë të një lajthitjeje të kryer pa faj, mund t’i kthehet ajo që ka paguar, me kusht që kreditori të mos jetë privuar në mirëbesim prej titullit dhe garancive të kredisë. Kthimi i pagesës duhet të shoqërohet me frytet dhe kamatat, në kushtet e parashikuara në dispozitat e mësipërme.

Gjithmonë kandidat për stolin e Shqipërisë, trajneri slloven merr drejtimin e Irakut

Emri i tij është përmendur rregullisht si kandidat për të marrë drejtimin e Kombëtares kuqezi, sa herë që në stolin e saj janë bërë ndryshime. Po asnjëherë slloveni Sreçko Katanec nuk është emëruar në krye të Shqipërisë. Ai ka marrë zyrtarisht drejtimin e Irakut. 55-vjeçari ka drejtuar më parë Slloveninë, Maqedoninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithmonë ndaj Shqipërisë ia ka dalë të marrë rezultat. Në stolin e Irakut ai zëvendëson ish-trajnerin Basim Qasim.

“Nuk kam shkopin magjik. Duhet kohë për të përmirësuar skuadrën dhe Kupa e Azisë do të jetë një etapë e rëndësishme për ne. Objektivi im është që Iraku të kualifikohet për në Botërorin e 2022”, tha në prezantim trajneri slloven, i njohur edhe si lojtar, pasi ka luajtur edhe me Sampdorian në Serinë A.

Shqipëri-Izrael pa polici në stadium… por edhe pa tifozë

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit do të jetë sfida e parë ndërkombëtare e cila do të zhvillohet pa praninë e forcave të rendit brenda impiantit sportiv, pasi kështu parashikon ligji edhe për aktivitete të tilla. Por kjo nuk do të thotë se “Elbasan Arena” nuk do të jetë i blinduar me masa sigurie, përkundrazi. Agjentë sekretë izraelitë janë vendosur prej ditësh në Elbasan duke monitoruar situatën, në bashkëpunim me shërbimet e specializuara shqiptare dhe forcat e rendit. Sipas informacioneve paraprake, në stadium brenda rrethimit nuk do të ketë policë, por jashtë tij do të jenë rreth 1500 forca rendi të gatshme të ndërhyjnë në çdo moment.

Për të hyrë në stadium do të ketë disa radhë kontrolle të rrepta, duke llogaritur specifikën e veçantë të ndeshjes dhe duke marrë shkas nga vizita e kaluar e Izraelit në vendin tonë. Edhe biletat do të jenë nominale, pasi të gjitha blihen vetëm nëpërmjet kartës së identitetit. Një “shtetrrethim” i tillë thuajse kalon në plan të dytë festën dhe argëtimin që dhuron një shfaqje sportive, gjë që ka dhënë pasojat e veta, pasi masa e gjerë e tifozerisë do të zgjedhë të shohë ndeshjen nga televizori.

Hysaj e Gjimshiti të bindur: Problemet i kemi lënë pas, kualifikohemi për më tej

Elseid Hysaj dhe Berat Djimsiti ishin dy futbollistët e ekipit kombëtar të cilët dolën dje përpara mediave, në prag të ndeshjes zyrtare me Izraelin. Për mbrojtësin Hysaj, tashmë ekipi është gati, edhe me rikthimin e disa lojtarëve që kishin munguar. Për të, ndeshjet e fundit duhen lënë pas, pasi kërkohet përqendrim për këto dy takime të radhës në këtë start kompeticioni:

“Të fokusohemi te kjo mundësi që kemi për të shkuar në Europian. Jemi stërvitur mirë dhe jemi gati. Ne nuk duhet t’i falim më minuta Izraelit, siç bëmë këtu në ndeshjen e parë në eliminatoret e Botërorit. Ajo që duhet të bëjmë tani është vetëm të përqendrohemi. E dimë ku duhet të përmirësohemi dhe për këtë po punojmë. Të gjithë duhet të kemi një gjë në tru, kualifikimin në Europian. Do të ishte një gjë e madhe dhe entuziazmi nuk na mungon. Vetë personalisht dua sërish të përjetoj një tjetër kualifikim. Dhe jo vetëm unë. Sadiku apo Roshi janë mungesa të mëdha, por ne jemi grup i mirë dhe kemi rikthyer edhe futbollistë me eksperiencë”,- theksoi Hysaj.

Nga ana e tij, qendërmbrojtësi Djimsiti përpara kësaj sfidë theksoi: “Ne që kemi luajtur kundër Izraelit dy ndeshje, e dimë çfarë ekipi është. Do të shikojmë kush janë repartet e tyre më të forta. Kemi dy objektiva, të luajmë mirë dhe të kalojmë grupin. Ne duam të arrijmë maksimumin dhe të punojmë sa më shumë, duke qenë të përqendruar maksimalisht. Ndeshjen duam ta zhvillojmë si ajo që bëmë në Izrael dhe ku demonstruam karakter dhe e fituam. Objektivi është t’i fitojmë ndeshjet. Është rasti që t’i përmirësojmë gabimet tona”.

Zyrtare, Mërgim Mavraj firmos me Aris për dy vite

Mërgim Mavraj ka firmosur me Arisin e Selanikut për dy vite. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka gjetur më në fund akordin financiar me klubin grek. Lajmi për kontratën e Mërgim Mavrajt u konfirmua nga Presidenti i klubit në Twitter Theodoros Karipidis.

Mavraj po negocionte me ekipin grek prej disa ditësh dhe më në fund ka arritur akordin.

Karipidis ka publikuar edhe foton e futbollistit shqiptar me fanellën e Aris.

Aris po tenton të kthehet në majat e futbollit në vend pas rënies nga kategoria.

Nuk dihet ende shuma për të cilën kanë rënë dakord, pasi oferta që i bënte klubi ofronte ishte 250 mijë euro në sezon, ndërsa Mavraj kërkonte 350 mijë euro.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas