Rajoni

“E pamundur që BE të jetë pro ndryshimit të status-quosë territoriale të Kosovës”

BE nuk i ka ndryshuar politikat që mbështesin integritetin territorial të Kosovës, thotë Michael Leigh, ekspert për politikat evropiane ne nje interviste per “DW”. Është e pamundur që BE të jetë pro ndryshimeve të status quosë territoriale.

Deutsche Welle: A është larguar Brukseli dhe Uashingtoni nga politikat e mëparshme që mbështesnin sovranitetin e Kosovës dhe intergritetin territorial?



Michael Leigh: Do të ishte e gati e pamundur në Bashkimin Evropian të gjendej një konsensus në favor të ndryshimit të staus quo-së territoriale midis Serbisë dhe Kosovës. Ideja e njohjes së Kosovës në këmbim të përkatësisë territoriale nuk ka gjasa të përkrahet nga serbët dhe kosovarët ose të përkrahet nga pesë vendet anëtare të BE-së, që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës. Ndarja bazohet në kërkim të puritetit etnik dhe jo nevojës për të jetuar së bashku në një shoqëri multietnike. Kjo mënyrë për arritjen e gjërave ka pasur një histori tragjike në Ballkan dhe nuk përputhet me principet e BE-së. Shtetet anëtare do të jenë shumë vigjilente sa i përket rritjes së presioneve nga jashtë, duke pasur parasysh rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkan.

Deutsche Welle: Organizata të shoqërisë civile nga Serbia dhe Kosova janë duke i kërkuar BE të bëjë një deklaratë të qartë kundër ndarjes së Kosovës ose këmbimit të territoreve. Çfarë ka ndër mend të bëjë Bashkimi Evropian?

Michael Leigh: Mbetet të shihet nëse shtetet anëtare që janë tradicionalisht në favor të Serbisë do të ishin të gatshme të aprovonin një deklaratë të tillë.

Deutsche Welle: Çfarë është paraparë nga vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia? A do të çonte një marrëveshje për ndarjen automatikisht në njohjen e Kosovës?

Michael Leigh: Kundërshtimet e pesë vendeve të BE-së, që nuk e njohin shkëputjen e Kosovës, janë të lidhura me dilemat politike që ata kanë në vendet e tyre dhe nuk kanë domosdoshmërisht si qëllim mbështetjen e Serbisë. Këto kundërshtime do të vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të konsiderueshme edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës.

Deutsche Welle: Kush mund të garantojë se Kosova do të marrë një vend në Kombet e Bashkuara nëse arrihet ndonjë marrëveshje?

Michael Leigh: Ky synim ka të ngjarë të mbetet një aspirate e papërmbushur në një të ardhme të afërt, megjithëse mund të krijohen forma të ndryshme bashkëpunimi./DW/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas