Kryesore, Rajoni

Dy rrugët e shtetit

Nga Blerim Latifi

Përtej zhurmës partiake për patriotët dhe tradhtarët, debati dhe dilema reale rreth iniciativës së Presidentit është : të vazhdojmë me status quonë e shtetit të bllokuar nga brenda dhe nga jashtë, apo të përpiqemi të dalim prej saj për tu bërë shtet, në kuptimin e plotë të fjalës



Pritet vjeshtë e nxehtë në politikën kosovare. Opozita ka paralajmëruar një kundërshtim të ashpër të ideve të Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, si zgjidhje për konfliktin e gjatë historik mes dy vendeve.

Debati ka filluar shumë keq. Partitë politike e kanë marrë në dorë debatin dhe tani nuk shohim gjë tjetër pos tymnajës së akuzave, fyerjeve, paranojave dhe konspiracioneve. Tipike për diskursin partiak në Ballkan. Kjo ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te publiku.

Si do duhej nisur debati?

Sigurisht, nga një analizë gjakftohtë dhe e specializuar e gjendjes në të cilën ndodhemi si shtet. Dhe kjo analizë, kuptohet, nuk do duhej të ishte fryt i një mendjeje individuale, por një punë e asaj që Habermas e quan “ndërveprimi komunikativ racional”. Batoni do të më kritikojë se po bëj filozofi, e jo politikë. Por, unë mendoj se e ka gabim, ngaqë politika pa disa parime filozofike, shndërrohet në një lojë të pastër intrigash personale, e sot ne jemi në një situatë kur intrigat nuk duhet të kenë prioritet në raport me parimet filozofike të atij që quhet – interes shtetëror a kombëtar.

Secila klasë politike e pjekur dhe e përgjegjshme do të fillonte nga një premisë e tillë.

Bllokimi reciprok

Ne kemi disa vite që dialogojmë me Serbinë, me qëllim që të normalizojmë marrëdhëniet mes dy vendeve. Por, nëse i shohim gjërat nga perspektiva e realizmit politik, mund të konstatojmë se gjendja faktike është ajo e bllokimit reciprok mes Kosovës dhe Serbisë.

Jemi në gjendjen kur, në njërën anë, Serbia nuk mund të bëjë më tutje në integrimin e saj në Bashkimin Evropian, për shkak se e ka nëpër këmbë problemin e saj me Kosovën. Ndërsa Kosova, në anën tjetër, nuk mund të bëjë më tutje në përmbylljen e subjektivitetit të saj ndërkombëtar si shtet, sepse përkrahësit e qëndrimit të Serbisë, në krye me Rusinë, janë duke e penguar praktikisht një gjë të tillë.

Ne mund të vazhdojmë të shpresojmë se një ditë do të bëhet mirë. Por, tjetër gjë është të shpresosh, e tjetër gjë të kuptosh se si janë duke rrjedhur gjërat realisht. Të kuptosh, të besosh dhe të shpresosh – këto janë tri gjëra të ndryshme, që rëndom njerëzit i ngatërrojnë. Immanuel Kant ka shkruar tri vepra të mëdha, për të qartësuar dallimin mes këtyre tri gjërave, ndërsa politika e mençur gjithmonë është ndërmjetësim i kujdesshëm i tyre.

Duke qenë, pra, realistë, ne duhet të pranojmë se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës nuk është duke vazhduar. Foto-diplomacia e ministrave tanë të jashtëm nuk është më tepër se një vetëmashtrim. Lufta e Pacollit me Daçiqin për njohjet në Afrikë është krejtësisht e kotë. Rusia, anëtare e Këshillit të Sigurimit, na i ka mbyllur dyert e OKB-së dhe pesë vende të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Praktikisht, ato janë në anën e Serbisë, ndërsa fuqitë perëndimore që mbështesin Kosovën nuk po arrijnë t’i bindin për të ndryshuar qëndrim.

Dilema e Perëndimit

Çfarë duhet bërë në këtë situatë?

Duket se jemi para dy rrugëve.

Njëra, është rruga e vazhdimit në kursin e vendnumërimit e të status quo-së, si vend i bllokuar në procesin e shtet-formimit, duke rrezikuar që një ditë të përfundojmë në bashkësinë e shteteve të papërfunduara, si një vend që krahas kontestimit ndërkombëtar, ballafaqohet edhe me barrierat e brendshme të multietnicitetit jofunksional.

Rruga tjetër është ajo e kërkimit të alternativave që mund të na nxjerrin nga bllokada e jashtme dhe e brendshme e shtetit. Presidenti Thaçi ka propozuar një prej këtyre alternativave: marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, në pakon e të cilës do të përfshihej korrigjimi i kufijve dhe njohja reciproke mes dy shteteve.

Pra, kjo është situata: jemi para një dileme, e cila para se të jetë e jona, duket të jetë dilemë e vetë Perëndimit, i cili, të mos harrojmë, na ka bërë shtet në vitin 2008.

Në Washington ka shenja se janë duke e menduar rrugën e dytë.

Nga Berlini dhe Londra kemi qëndrime që duket se shkojnë në favor të rrugës së parë, rrugës së vazhdimit të status quo-së. Franca ende është duke heshtur. Italia, po ashtu, ndërsa vendet e rajonit mbajnë veshët hapur duke pritur se çfarë do të ndodhë.

Në këtë dilemë, mos ta quajmë ende mosmarrëveshje e përçarje, qëndron rreziku për ne i pasojave të paparashikuara, marrë parasysh faktin se e gjithë historia politike e njerëzimit është një tërësi e pasojave të paparashikuara.

Një rikujtim i shkurtër: fitoret historike të Kosovës janë kryekëput rezultat i qëndrimit unik të Perëndimit për Kosovën. Pa këtë qëndrim unik, ne nuk do ta kishim intervenimin e NATO-s në pranverën e vitit 1999. Nuk është fare e vështirë të paramendohen se cilat do të ishin pasojat e mosintervenimit. Një UÇK e armatosur dobët dhe me 15 mijë ushtarë, që 20 vjet pas luftës u bënë 60 mijë, do ta kishte të vështirë të qëndronte përballë ushtrisë serbe të përbërë prej 100 mijë trupash të pajisura me njërën prej makinerive më moderne të luftës. Në dallim prej situatave të imagjinatës folklorike, në realitet lufta fitohet nga përparësia në fuqinë e grykës së zjarrit, e jo nga guximi i ndezur në kraharorin e kreshnikut.

Falë qëndrimit unik të Perëndimit, u bë e mundur që në vitin 2008 Kosova ta shpallte pavarësinë dhe të merrte mbi 100 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së. Por, ky qëndrim, në këtë rast, nuk ishte i plotë, ngaqë Spanja dhe katër vende tjera, anëtare të BE-së, nuk u pajtuan me të.

Të gjitha këto janë fakte që, duket qenë të njohura nga të gjithë, në shikim të parë duken banale, por duhet përmendur për të kuptuar idenë themelore – ne kemi ecur përpara saherë që Perëndimi ka qenë unik për ne. Çdoherë që Perëndimi nuk ka qenë i tillë, ne kemi ngecur në vend.

Prandaj, sot, para se të na shqetësojnë thirrjet e Vetëvendosjes për dhunë revolucionare në rrugët e Kosovës, si dhe kërcënimet e LDK-së, e cila në tërë këtë debat udhëhiqet vetëm nga dëshira për t’iu hakmarrë Thaçit për inatet e së kaluarës, duhet të na preokupojë rreziku i një përçarjeje të Perëndimit për Kosovën – e cila mund të jetë refleksion i përçarjeve tjera edhe më të mëdha që po ndodhin brenda Perëndimit liberal. Në këto përçarje, Rusia dhe regjimet tjera autoritariste të Lindjes janë duke kërkuar avantazhin e tyre gjeopolitik. Ballkani mund të jetë një nga targetet e kërkimit të këtij avantazhi, dhe këtë shumë shpejt do ta shohim në rezultatin që do të japë referendumi në Maqedoni për çështjen e emrit të saj.

Suspendimi i përkohshëm i hasmërive politike

Pra, loja gjeopolitike me të cilën kemi të bëjmë është shumë herë më e madhe prej asaj që janë duke e menduar partitë opozitare dhe mbështetësit publikë të tyre. Dhe, Presidenti Thaçi nuk është naiv që në këtë lojë të madhe të niset në një aventurë personale. Po të ishte i tillë, karriera e tij politike qëmoti do të kishte përfunduar, sepse politika  nuk është art për naivët. Kundërshtarët e Thaçit mund të mos e duan për intrigat e së kaluarës të luftës legjitime për pushtet, por, sot, secili që shqetësohet për Kosovën, nuk duhet të mendojë për “hakmarrjet personale politike”. Sot, ne duhet t’i suspendojmë hasmëritë politike për hir të nxjerrjes së shtetit nga bllokimi i jashtëm dhe i brendshëm.

Presidenti mund të mos ketë afinitetin e duhur për punët prozaike të qeverisjes ekonomike, por në punët e konfliktit me Serbinë ka një përparësi qartësisht të dallueshme me të tjerët. Janë të vetmet punë që di t’i bëjë me shumë kompetencë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë të shkojmë pas tij në mënyrë të verbër. Kjo mënyrë nuk i shërben as atij dhe askujt tjetër. Ajo që kam në mendje është ideja që t’i shikojmë gjërat jo me emocione dhe animozitete personale e partiake, por me realizmin dhe racionalitetin e asaj që njihet si arsye shtetërore. Dhe me gjakftohtësi të kuptojmë se cilat janë mundësitë pozitive, e cilat rreziqet në debatin mes alternativës së statusquo-së dhe alternativave të daljes prej saj. Natyrisht, gjithmonë duke pasur vëmendjen në rrjedhat që merr dilema e Perëndimit për të ardhmen e shtetit tonë, sepse,siç thoshte Konica, dielli i shqiptarëve lind nga perëndimi. Sot, ose do të vazhdojë të lindë andej, ose forcat e errësirës kërcënojnë të vendosin mbretërinë e tyre në horizontin tonë politik. /Express

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas