Kronika

Droga e kapur në Karaburun/ Skafisti italian ngatërroi rrugën dhe plani…

Zbardhen të tjera detaje për sekuestrimin e 671 kilogram kanabis në vendin e quajtur “Depot e Valanidhit” në Karaburun të Vlorës, gjatë ditës së sotme.

Sipas burimeve nga policia, sasia e drogës e kapur në Karaburun do transportohej për në Itali në datë 20 maj të këtij viti, por skafisti Antonio Summa 26-vjec nga Brindisi ngatërroi rrugën dhe u kap në brigjet e Sarandës me një gomone me dy motorë nga 150 kuaj fuqi të mbushur me 200 litra benzinë.



Ai aktualisht është nen masën e sigurisë ‘Ndalimi i daljes jashtë shtetit’ si dhe ‘Detyrimi për t`u paraqitur ne policinë gjyqësore’, dhënë nga Gjykata e Sarandës.

Gjatë këtyre 15 ditëve ka pasur hetime intensive nga policia e Sarandës dhe Vlorës qe çuan në kapjen e kësaj sasie droge në Karaburun.

Në deklarimet e tij, të marra me cilësinë e shtetasit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi italian Antonio Summa ka deklaruar se mjetin lundrues ja kishte marrë një miku të tij, edhe ky shtetas italian, të cilin e identifikon vetëm me emrin “Cosimo”, dhe se ishte nisur nga porti “Santa Maria de Leuca”, i gjendur në zonën e Leçes, Itali, me qëllim realizimin e vizitës së brigjeve detare greke, por për shkak të gabimit në orientim është gjendur në ujërat territoriale shqiptare.

Nga kontrolli i ushtruar nga policia e Sarandës në 20 maj mbi mjetin lundrues nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.

Madje as dokumentacioni identifikues, regjistrues apo i pronësisë së mjetit lundrues. Nga e ana e drejtuesit të mjetit lundrues janë paraqitur vetëm dokumentet “librezë”, që i përkisnin motorëve të instaluar në mjetin lundrues.

Kujtojmë se pas sekuestrimit të lëndës narkotike sot në Karaburun, policia e Vlorës ka arrestuar edhe shqiptarin Benardo Nezhaj, 29 vjeç, banues në Dukat i Ri, por ende nuk dihet roli i tij.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas