Kronika, Kryesore

Biznesi i drejtorit paguante 200 lekë energji

dine aliajDine Aliaj, i denoncuar si debitor në pagesën e energjisë elektrike, dyshohet se për rreth një vit ka vjedhur energjinë për biznesin ku organizonte dasma, pasi faturat e energjisë janë në shifra qesharake. Po ashtu, ish-drejtori i OSHE Lushnjë rezulton debitor gjatë kohës që ushtronte detyrën. Procedurat për shkarkimin e tij nisën pas denoncimeve publike se Aliaj nuk paguante energjinë

Nga Leonard Bakillari



 

Task-Forca e ngritur për menaxhimin e situatës energjetike në vend është detyruar të kallëzojë në prokurori drejtorin e OSHE Lushnjë, Dine Aliaj, pas denoncimit të Partisë Demokratike se ai ishte debitor në shuma të konsiderueshme.

Pas kallëzimit, Prokuroria e Lushnjës ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të OSHE-së, pasi dyshohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

Edhe pse Operatori i Shpërndarjes së Energjisë u mbrojt publikisht duke dhënë se Aliaj ishte larguar nga detyra, procedura për shkarkimin e tij ka nisur më 24 nëntor, një vit pas emërimit.

Gjatë kësaj kohe Aliaj dyshohet se ka vjedhur energji për biznesin në pronësi të tij, i cili faturohej me vlera qesharake në krahasim me aktivitetin që zhvillonte. Sipas verifikimeve të kryera nga prokuroria, rezulton se Dine Aliaj ka në pronësi një lokal me sipërfaqe rreth 400 metra katror në Lushnjë, ku zhvillohen festa e gëzime familjarë.

Por përgjatë periudhës nëntor 2013-nëntor 2014, kohë gjatë së cilës ka mbajtur detyrën e drejtorit të OSHE-së, filiali Lushnjë, ky biznes është faturuar me shuma 2-3 mijë lekë për pagesën e energjisë, çka ka krijuar dyshime se drejtori Aliaj ka vjedhur energjinë elektrike.

Një fakt i tillë pranohet edhe nga Prokuroria e Lushnjës, e cila sqaron se në disa prej faturave të energjisë elektrike për biznesin e drejtorit të arrestuar, vlera e tyre ishte 200 lekë.

“Ka fatura të muajve të ndryshëm, në të cilat vlera që duhet të paguante ky shtetas për lokalin, në të cilin kishte hapësirë për organizime festimesh, ishte 200 lekë të reja. Po ashtu, disa muaj të tjerë, po për lokalin shifrat e faturave arrinin në vlerën 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja, ndërkohë që janë krijuar dyshime të arsyeshme se shuma e konsumuar nga ky ambient privat (lokal) është shumë herë më e lartë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Përveç dyshimeve për vjedhje energjie, Aliaj gjithashtu rezulton debitor në shumën e 158 mijë lekëve, detyrime të mbartura përpara se të merrte detyrën e drejtorit të OSHE Lushnjë në nëntor të vitit të shkuar.

Prokuroria thotë se pas kallëzimit të “Task Forcës” për energjinë, janë kryer verifikimet e nevojshme, nga ku rezultoi se ka dyshime se ky shtetas, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtues i filialit të OSHEE, ka vjedhur energjinë elektrike, e cila furnizonte shtëpinë dhe një lokal të madh në pronësi të tij.

“Nga verifikimet e sahateve për këto dy ambiente, të regjistruara në emër të shtetasit Dine Aliaj, rezulton se vulat e aparateve nuk janë të matrikuluara, gjë që krijon mundësinë për abuzime”, thotë prokuroria.

Sipas hetimit mësohet se prej kohës kur ky shtetas është emëruar drejtor i filialit të OSHE-së në Lushnjë, faturat e energjisë elektrike për shtëpinë dhe lokalin e tij, i cili ka një sipërfaqe të madhe, shënojnë ulje të ndjeshme në vlerë leku.

Një fakt i tillë pranohet edhe nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë në shkresën e datës 24.11.2014, për nisjen e procedurave të zgjidhjes së marrëdhënieve të punës më drejtorin e OSHE-së, Dine Aliaj.

Përveç shkeljes së rëndë të disiplinës në punë, pra mospagimin e energjisë elektrike, Aliaj sipas OSHE-së ka lejuar ndërhyrjen në matësit e energjisë në shtëpinë dhe biznesin e tij me qëllim uljen e konsumit të energjisë elektrike.

“Nga verifikimi i bërë rezulton se për kontratën me nr. 150559 është ulur konsumi i energjisë elektrike për periudhën nëntor 2013-tetor 2014, në vlerën 57 mijë lekë”, thotë OSHE, teksa i referohet kontratës që Aliaj ka për banesën e tij.

Por ulja e konsumit të energjisë gjatë kohës që i dyshuari mbante detyrën e drejtorit të OSHE-së është shumë më e madhe për biznesin që disponon Aliaj.

“Nga verifikimi i bërë rezulton se për kontratën me nr. 150767 është ulur konsumi i energjisë elektrike për periudhën nëntor 2013- tetor 2014, në vlerën 237 mijë lekë”, thuhet në shkresën e OSHE-së që njofton nisjen e procedurave për largimin nga detyra të drejtorit Dine Aliaj.

Përveç dy arsyeve të përshkruara në shkresë, OSHE thotë se Aliaj ka kryer shkelje të rëndë të disiplinës në punë, pasi rezulton debitor edhe gjatë kohës që mbante postin e drejtorit.

Ky fakt u denoncua publikisht nga mediat dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili në një konferencë për mediat më datë 25 nëntor tha se drejtori i OSHE Lushnjë kishte vjedhur 1 milion e 600 mijë lekë energji.

“Drejtori i OSHEE-së së Edi Ramës në Lushnjë ka favorizuar biznesin e tij, duke mos i paguar faturat e energjisë. Ky drejtor i Edi Ramës ka vjedhur të paktën 1 milion e 600 mijë lekë. Ja ku është këtu fatura që e nxjerr atë debitor”, – tha Edi Paloka.

Por menjëherë reagoi Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, i cili tha se Dine Aliaj ishte larguar nga puna një ditë më parë, pra më 24 nëntor. Por mediat zbuluan se Aliaj ishte ende në detyrë edhe pas njoftimit të OSHE, pasi nga një kontakt telefonik me të, drejtori kishte njoftuar se ishte në krye të një operacioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë.

Vetëm pas këtij momenti “Task Forca” për energjinë kallëzoi penalisht Dine Aliajn, ndërsa mësohet se nuk ka vënë në dispozicion të prokurorisë faturat e pagesës së energjisë për biznesin e tij, të cilat ishin në vlera qesharake prej 200 lekësh të reja.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas