Kronika, Kryesore

Drejtoresha e LSI-së…

liza tabakuPara disa muajsh, një lajm u përhap me shpejtësi nëpër redaksi: Drejtoresha e Arsimit në Tiranë ishte larguar.

Të gjithë kishin në mendje konkurset e organizuara me aq bujë nga kryeministri Edi Rama për të zgjedhur drejtuesit e arsimit.



Përveç ish- kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se ajo u largua pasi merrte mijëra euro për punësimin e mësuesve, nuk pati ndonjë akuzë publike ndaj saj.

Historia e saj u harrua deri kur përpara tre ditësh u njoftua për arrestimin e drejtoreshës së Arsimit në Lushnje.

Liza Tabaku ishte arrestuar së bashku me djalin e saj, Xhanlukas dhe një mësues, Rigert Zenelin.

Këta dy të fundit ishin sekserët e saj.

Burime nga organi hetimor bënë me dije se ajo merrte nga 3 mijë deri në 5 mijë euro për të punësuar mësues ose për të mos larguar nga puna ata ekzistuesit.

Tabakut iu gjetën mijëra euro në shtëpi, të ndarë në zarfe të ndryshme me emra sipër, kurse me vete kishte 2 mijë euro, të cilat tentoi që t’i hidhte në tualet.

Por pavarësisht këtyre detajeve, për shumëkënd ka rënë në sy fakti që ajo ishte një propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ka pasur shumë spekulime se ka një përplasje brenda qeverisë, me Edi Ramën që synon të arrestojë njerëzit e LSI.

Ky debat mori jetë pas raportimeve se po përgatitej arrestimi i kryebashkiakut të Lezhës, Viktor Tusha, çka revoltoi Ilir Metën.

Nuk dihet se sa të vërteta janë të gjitha këto spekulime, por dihet që edhe kur demokratët qeverisnin me LSI, kishte shumë lajme të përhapura nën zë se ata të LSI po vjedhin dhe Berisha po tenton që t’i arrestojë.

Demokratët akoma nuk kanë një reagim publik, ndërsa e vetmja që ka folur është ish- ministrja Majlinda Bregu, e cila pyet: “Me çfarë ideje konkurroi dhe u përzgjodh kjo drejtoresha e Arsimit në Lushnje, që u arrestua pasi merrte 5 mijë euro për një vend pune? Se për vullnet s’i paska munguar”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas