Kryesore, Politika

Dosjet, të djathtët që i bashkohen nismës

dosjetDoda: “Ka ardhur momenti kur duhet të ndalemi nga e kaluara për të bërë një reflektim personal. Nëse Kuvendi nuk pranon një histori reale, nuk do të kemi mundësi të projektojmë një të ardhme të vërtetë…”

 



Pesë vjet më parë, kur Gjykata Kushtetuese (me kërkesë të deputetëve socialistë) rrëzoi zbatimin e ligjit të lustracionit të miratuar në dhjetor të vitit 2008, Mesila Doda ishte një ndër përfaqësuesit e së djathtës që e kundërshtoi këtë vendim duke premtuar asokohe se demokratët do të sillnin një tjetër nismë të re.

Ajo është sërish e të njëjtit mendim edhe pse kësaj here mbështet një nismë të shoqërisë civile që konsiston jo vetëm në hapjen e dosjeve, por edhe lustracionin, një draft i përgatitur nga Shoqata për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me ish të përndjekurit politik dhe ish-studentë të dhjetorit.

Edhe pse nisma ligjore nuk është bërë ende publike, drafti për dosjet pritet që të depozitohet zyrtarisht ditën e hënë nga dy deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.

Takimi

Për çështjen në fjalë, dje u zhvillua një takim modest tek Piramida, ku të vetmit deputetë ishin Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi ndërsa nuk munguan përfaqësues të së djathtës si Gazmend Oketa, Enkeleid Alibeaj, Fatbardh Kadilli, ish-dhjetoristë si Afrim Krasniqi apo edhe ish-të përndjekur politik, si Simon Miraka.

Në ceremoni ishte edhe ambasadori i Gjermanisë Helmut Hoffmann i cili si përfaqësues i një shteti që ka kaluar një proces të tillë u shpreh se hapja e dosjeve është një proces “i vështirë por i rëndësishëm”.

Edhe ish-dhjetoristja dhe deputetja e PD-së, Mesila Doda mendon se ka ardhur koha që Kuvendi të pranojë një histori reale të këtij vendi. “Nisma ka pjesën e  parë që ka lidhje me hapjen e dosjeve dhe më tutje është pjesa e lustracionit, e atyre njerëzve që kanë marrë pjesë, kanë pasur pozicione  të larta dhe kanë qenë pjesë e ideologjisë së diktaturës. Ata nuk mund të jenë më pjesë e institucioneve të larta të këtij shteti. Ka ardhur momenti kur duhet të ndalemi nga e kaluara për të bërë një reflektim personal. Nëse Kuvendi nuk pranon një histori reale nuk do të kemi mundësi të projektojmë një të ardhme të vërtetë…”, – tha Doda.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi cilësoi gjithashtu të domosdoshme hapjen e dosjeve, duke iu bashkuar zyrtarisht nismës ligjore. “Ne duhet të shohim të vërtetën në sy sepse vetëm kështu mund të ndahemi nga e kaluara”, – tha dje Idrizi.

Enkeleid Alibeaj ish-ministër i Drejtësisë iu bashkua kësaj nisme me argumentin se ligji për dosjet që të jetë i suksesshëm duhet të dalë nga vetë shoqëria civile.

Bojkoti i PD-së

Edhe pse gjatë takimit të djeshëm u kërkua që drafti ligjor të kalonte me votat e të dyja palëve, pengesa më e madhe që nisma të marrë një diskutim serioz është mungesa e Partisë Demokratike në Kuvend.

Nisma vërtet do të depozitohet zyrtarisht nga Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda por kjo e fundit nuk do të jetë pjesë e mbledhjeve të komisioneve kur drafti të kalojë nëpër kanalet zyrtare të diskutimit në Kuvend.

As Doda dhe as Idrizi nuk e kanë një përgjigje për këtë gjendje pezull, në një kohë kur nga ministria e Punës e drejtuar nga Erion Veliaj po përgatitet një tjetër draft për dosjet që pritet të depozitohet zyrtarisht në Kuvend pas miratimit të projekt-buxhetit të vitit 2015.

Drafti ligjor

Projektligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, i përgatitur nga ekspertë të shoqërisë civile, ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24.10.1944 deri më 31.03.1991.

Ky draft, me disa ndryshime u paraqit fillimisht në vitin 2008, (por që nuk u shqyrtua asnjëherë) nga Aleksandër Biberaj, asokohe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas një projektligji të dytë të ripunuar dhe e publikuar në vitin 2012, hapja e dosjeve duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët, që nga Presidenti i Republikës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, deputetët, gjyqtarët, e deri te drejtuesit e medias.

Propozimet janë hartuar me ekspertë të fushës, duke marrë edhe eksperiencën gjermane. Kryetarja e shoqatës për të Drejtat e Njeriut ka sqaruar se dosjet duhen hapur krahas lustracionit.

“Dosjet kanë një procedurë të caktuar, ato bëhen të aksesueshme për çdo qytetar shqiptar, i cili kërkon të shikojë vetëm dosjen e tij. Me një kërkesë të veçantë drejtuar autoriteteve, çdo njeri mund të kërkojë të shoh dosjen e tij, nëse ai ka një të tillë, por nuk ka mundësi që të kërkojë hapjen e një dosje të një të afërmi të tij. Kjo është një çështje e individit kundrejt kërkesës për autoritetin”, është shprehur ajo.

Ballauri ka sqaruar gjithashtu se ata që bëjnë politikën në Shqipëri duhet të kenë një tjetër qasje ndaj dosjeve, duke theksuar edhe ndryshimet që do të ketë ky projektligj nga ligjet e mëparshme.

“Dosjet e këtyre personave hapen dhe bëhen publike edhe në rast se ata nuk duan që kjo të bëhet. Kuptohet sikur ligji i dosjeve është diçka që dënon, penalizon, që çon në burg njerëz apo që ndërpret mandate kushtetuese, nuk do të ndodhë kështu. Kjo ka qenë ndoshta edhe gabimi ose ndonjë kurth që krijuan ligjet e tjera, të cilat gati e bënë tepër të nënvlerësuar ligjin e lustracionit…”, ka sqaruar ajo në një intervistë të mëparshme për “TCH”.

N.Perndoj

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas