Kryesore

Dosjet sekrete të policisë në epokën komuniste rihapin plagë të vjetra në Shqipëri

Nga Katie Engelhart, NBC

Aparati i makinerisë komuniste mbështetej në rrjetet e  pëshpërimave të njerëzve të kompromentuar, përfshirë situatat kur vëllai spiunonte vëllain



Jo shumë pasi u arrestua, policia sekrete i ofroi Maks Velos një marrëveshje. Bashkëpuno me ne, thanë ata, dhe do të të lëmë të lirë.

Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës në Shqipëri. Velo, në atë kohë ishte 43 vjeç, e dinte se marrëveshje të tilla ishin të zakonshme. Por “kjo ishte diçka që thjesht nuk mund ta bëja,” rikujton ai.

Velo, një piktor, u akuzua se arti ishte anti-socialist që shprehte “tendenca moderniste”.

Ai u mor në pyetje për gjashtë muaj dhe thotë se u mbajt në izolim dhe u lidh me zinxhirë. Velo më vonë doli para gjyqit dhe u dënua me 10 vite punë të detyruar sipas një stili sovjetik ligji të “agjitacionit e propagandës”.

Velo u caktua të punonte në miniera bakri dhe i kaloi shumicën e 7 viteve, 3 muajve dhe 10 ditëve pas hekurave së bashku me të burgosur të tjerë politikë në burgun e Spaçit – pjesë e një rrjeti të ndërtuar për të pasqyruar gulagët e Stalinit.

Për katër dekadat e fundit, Velo ka pyetur veten se mos ai përfundoi në Spaç sepse dikush që ai njihte, pranoi një marrëveshje si ajo që iu ofrua atij, dhe dha informacione për të tek autoritetet. Ai madje imagjinoi se ç’mund të kishte thënë një person i tillë.

Vitin e kaluar, qeveria e Shqipërisë hapi arkivat e policisë së saj të vjetër, Sigurimit. Çdo njeri që është spiunuar gjatë periudhës komuniste mund të ketë akses në dosjet e tij apo të saj, duke bërë të mundur që ata të cilët bashkëpunuan me regjimin, potencialisht të identifikohen.

Velo kërkoi dosjen e tij, por pastaj u stërmundua shumë që të merrej me të. Nganjëherë ai fillonte të lexonte, por e linte faqen përgjysmë. Ai mësoi se ishin rreth njëzet njerëz që e kishin spiunuar, ndër ta një shok i afërt dhe ish-vjehrra e tij.

“Maks Velo është një person me besime borgjeze,” kishte shkruajtur ajo në një raportim për policinë sekrete, sipas dosjes. “Ai është një njeri pa karakter.”

 

‘GJËRA PËR TË CILAT ATA KANË NEVOJË TË FALIN’

Shumë nga ish- vendet e tjera komuniste i hapën dosjet e tyre të epokës së Luftës së Ftohtë shumë kohë më parë.

Por ndryshe nga shumë fqinjë të saj, Shqipëria kurrë nuk zbatoi një politikë “lustrimi”: një spastrim sistematik i zyrtarëve të qeverisë që kishin marrë pjesë në krime gjatë periudhave komuniste.

Sot, dosjet e Sigurimit mbushin një seri dhomash të vogla në një magazinë qeveritare në një cep të Tiranës. Me dosjet e shumta të future në rafte metalikë, kuti të bëra pirg mbi tokë dhe në pravaze dritaresh, është zor të thuhet se sa i saktë është grumbullimi i këtyre dosjeve. Agjentët e Sigurimit mendohet të kenë shkatërruar me mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit.

“Çdo ditë, njerëzit vijnë këtu me pyetje tipike që kanë kohë pa përgjigje,” thotë Gentiana Sula, drejtoresha e agjencisë që siguron akses te dosjet. “Nëse aty ka gjëra që ata kanë nevojë të falin, për veten e tyre apo për prindërit e tyre, mendoj se është një mundësi e mirë. Shumë shpesh, një bashkëpunëtor i Sigurimit dhe një viktimë ishin pjesë e të njëjtit rreth familjar.”

Gjyshi i vetë Gentianës ishte në mes të atyre shqiptarëve që “u zhdukën” nga agjentët e qeverisë gjatë diktaturës. Pothuajse tre dekada më vonë, rreth 400 njerëz listohen akoma si të zhdukur.

Kombi ballkanas i përbërë nga rreth 3 milion banorë ishte dikur shtëpia e një prej regjimeve më brutale në botë. Disa ekspertë e kanë krahasuar epokën komuniste të Shqipërisë me Korenë e Veriut, sepse kufinjtë e saj ishin të vulosur me gardhe elektrikë dhe shqiptarët ekzekutoheshin në qoftë se përpiqeshin të arratiseshin.

Diktatori Enver Hoxha erdhi në pushtet në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe ishte në krye të shtetit deri në vdekjen e tij në vitin 1985. I njohur si një paranojak, ai krijoi mijëra bunkere betoni për t’u mbrojtur kundër një pushtimi të huaj që nuk erdhi kurrë.

Nën udhëheqjen e Hoxhës, feja, flokët e gjatë, gjuha e trashë dhe makinat private ishin të ndaluara, siç ishte kritikimi i regjimit. Nëse një person do të gjykohej si kundërshtar i regjimit, e gjithë familja do të dërgohej në internim në fabrika ose ferma të largëta.

Nga 1946 deri në 1991, rreth 6000 njerëz u ekzekutuan, sipas Shoqatës Shqiptare të ish-Burgosurve Politikë. Me dhjetëra mijëra u burgosën ose u dërguan në kampe pune për akuza politike.

Policia sekrete e sigurimit ishte tejet efikase.

Agjentët e Sigurimit nganjëherë quheshin “mikrofonë të gjallë,” sepse ata gjithmonë dëgjonin. Po ky reputacion famëkeq ishte bërë i mundur nga mijëra shqiptarë të zakonshëm, të cilët i ndihmonin ata, duke punuar si bashkëpunëtorë zyrtarë dhe mijëra të tjerë që funksiononin më shumë si informatorë të rastit, duke ofruar sekrete intime për ato çfarë dinin. Makineria e aparatit komunist bazohej në rrjete pëshpërimash të njerëzve të kompromentuar.

Teksa diktatura u rrënua në vitet e hershme të 90-tës, shumica e agjentëve të Sigurimit kaluan në anonimitet.

Një ish-zyrtar, Nesti Vako, ra dakord të fliste me NBC News në një kafene në qendër të Tiranës.

“Si shef teknik operacional i Sigurimit, unë prodhoja çfarëdo lloj teknologjie që ata kishin nevojë,” tha Vako, i cili kaloi 25 vite si kryeinxhinier. Vako thotë se agjentët e Sigurimit e kishin të gjithë vendin të monitoruar, me pajisje dëgjimi në kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja.

Nëse Sigurimi po përgjonte një grua, agjentët mund të studionin këpucët e saj dhe më pas të bënin një palë kopje me një përgjues në shollin e tyre – dhe më pas t’i ndërronin ato pa i vënë re ajo. Vako tha se ai u dërgua në Kinë njëherë, për të studiuar teknikat e mbikëqyrjes.

“Më pëlqeu shumë,” thotë Vako. “U ndjeva krenar për punën time… Unë isha me fat që kisha këtë punë dhe unë thjesht zbatova ligjin.”

Kur u pyet se çfarë ai mendonte për lëshimin për publikun të dosjeve të Sigurimit, Vako tundi kokën.

“Shiko, të hapësh dosjet, për mendimin tim personal është një rreng. Nuk është një gjë e mirë,” tha ai. “Arsyeja është se po të shohësh dosjet, ka raste kur një vëlla spiunon vëllain e tij.”

 

PATRIOTË APO TRADHTARË?

Dosja e Sigurimit të Velos është 250 faqe e gjatë dhe i janë dashur disa muaj për ta kuptuar. Bashkëpunëtorët kishin emra të koduar, kështu që Velos iu desh t’i studionte mbrapsht provat –  duke menduar për ngjarjet e shumë kohëve më parë, për të zbuluar se kujt i referoheshin pseudonimet.

Bashkëpunimi i shokut të tij e përndjek 83-vjeçarin Velo më së shumti. Ai ishte piktor si Velo, dikush që Velo e kishte ftuar në shtëpi. Kur Velo u arrestua, autoritetet deklaruan se puna e tij ishte armiqësore dhe dogjën shumë nga pikturat e tij.

“Si mundesha ta mendoja që të diskutosh për vepra arti është ofensivë kriminale?”

Pasi mori dosjen e tij, Velo mësoi se shoku i tij është ende gjallë dhe jeton në Tiranë, por ai nuk u përpoq ta kontaktojë.

Sula, zyrtarja përgjegjse për dosjet e Sigurimit, tha se ajo është e shqetësuar se njerëzit që jetojnë në Shqipëri sot, nuk do ta kuptojnë kontekstin në të cilin zgjedhjet janë bërë, ose nuk janë bërë, në kohën e diktaturës. Agjencia e saj ka marrë me qindra kërkesa për dosjet.

“Ishte një shoqëri e marrë peng,” thotë ajo. “Kishte shumë propagandë.”

Ajo tha se shumë bashkëpunëtorë mendonin se ata “po i shërbenin vendit të tyre” dhe po tregoheshin “patriotë,” ndërkohë që të tjerë ishin të detyruar.

Por, si mendon Sula se ish-bashkëpunëtorët duhet të trajtohen sot?

“Simpati është një fjalë e madhe,” thotë Sula. “Jo, nuk do të thoja simpati. Por u bëj thirrje njerëzve sot që të bëjnë një analizë të thellë.”

Nga ana e tij, Velo thotë se ai nuk është penduar që e lexoi dosjen e tij, por ai as nuk është se ndjen një mbyllje të plagëve.

“Amerikanët thonë, ‘Më fal, më fal’ 100 herë në ditë,” thotë ai. “Këtu, askush nuk thotë njëherë, ‘Më fal’”.

*Përktheu për Mapo.al, Shaqir Sulaj

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas