Nënkryetari i PD sulmon Ramën dhe Metën për hapjen e dosjeve, por edhe iniciativat e tjera për këtë qëllim
Nënkryetari i ri i PD, Edi Paloka, në një deklaratë për shtyp, tha se PD e ka mbështetur “transparencën ligjore dhe institucionale për krimet e komunizmit dhe përgjegjësitë për këto krime, në bazë të rezolutave të Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira Europiane”.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama për hapjen e dosjeve, Paloka tha se “dyshja Rama-Meta katër vjet më parë kundërshtoi me forcë Ligjin për Lustracionin të propozuar dhe të miratuar nga Partia Demokratike”.
Sipas tij, dosjet nuk mund t’i hapin hartuesit e tyre.
Paloka tha se dosja nuk mund të hapet as nga ish- persekutorët dhe as nga duar të tjera që po përdoren nga Rama.
“Nuk mund të hapin dosjet vetë hartuesit e tyre që sot janë rikthyer në pushtet me Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Kjo çështje është aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes. Për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike. Nga skandalet e përditshme të qeverisjes dhe perspektiva akoma më e errët për vendin me rritjen e taksave dhe buxhetin klientelist. Nga kriminalizimi i qeverisjes dhe i parlamentit.
Partia Demokratike është e vendosur që së bashku me përfaqësuesit legjitimë të ish- të përndjekurve politikë të jetë në ballë të përpjekjes për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime.
Por kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre,” tha Paloka.