Kryesore, Politika

Dosjet, ja ligji që shkon në Kuvend

dosjetElsa Ballauri: “Një njeri që synon të marrë një detyrë publike është i detyruar të kalojë në filtrin e dosjeve. Çdo punonjës fut në formularin e tij nëse ka qenë ose jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Do të ketë një autoritet që do të përcaktojë nëse ke qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, dhe të mos u lihet njerëzve ta thonë”

 



Rikthehet sërish në vëmendje debati për hapjen e dosjeve.

Kësaj here jo nga kryeministri Edi Rama, që e ricikloi si domosdoshmëri ditën e përurimit të bunkerit antinuklear, por nga grupi shqiptar për të drejtat e njeriut, ish të persekutuarit politikë dhe ish-studentët e Dhjetorit.

Nga ndërtesa e rrënuar e Piramidës, në mënyrë simbolike, sot nismëtarët do të flasin për dekomunistizimin.

Nisma ligjore për lustracionin dhe njëkohësisht hapjen e dosjeve do të prezantohet sot nga kryetarja e Shoqatës për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, e cila, me disa ndryshime të vogla do të prezantojë draftin bazik të përgatitur dy vjet më parë. Paraprakisht mësohet se projektligji i përgatitur ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24.10.1944 deri më 31.03.1991.

Sipas projektligjit, hapja e dosjeve duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët, që nga Presidenti i Republikës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, deputetët, gjyqtarët, e deri te drejtuesit e medias. Propozimet janë hartuar me ekspertë të fushës, duke marrë edhe eksperiencën gjermane.

Sipas projektligjit, ata zyrtarë të cilët kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe do të pranojnë dorëheqjen nga posti që mbajnë, dosja e tyre do të qëndrojë konfidenciale.

Ndërkohë, për kontrollin e figurave do të ngrihet edhe një autoritet. “Një njeri që synon të marrë një detyrë publike është i detyruar të kalojë në filtrin e dosjeve. Çdo punonjës fut në formularin e tij nëse ka qenë ose jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Do të ketë një autoritet që do të përcaktojë nëse ke qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, dhe të mos u lihet njerëzve ta thonë,” – u shpreh dje Elsa Ballauri në emisionin “Ditë e Re” në ‘Ora News’.

Dhe pse u shfaq optimiste për një rezultat pozitiv të këtij drafti nisur edhe nga qëndrimet publike të kryeministrit Edi Rama, Ballauri shtoi se për këtë iniciativë nevojitet edhe prania e opozitës në Kuvend.

Sot në aktivitetin që do të zhvillohet tek piramida pritet që të marrë pjesë si ish-dhjetoriste, deputetja demokrate Mesila Doda, e cila prej kohësh ka kërkuar hartimin e një platforme për dekomunistizimin. Doda në cilësinë e deputetes pritet që ta mbështesë draftin zyrtarisht edhe në Kuvend.

Por në pamundësi për të marrë pjesë si rezultat i bojkotit të opozitës, me shumë gjasë, nisma do të dorëzohet sot zyrtarisht në Kuvend nga një tjetër deputet, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në aktivitetin e sotëm janë ftuar edhe një pjesë e mirë e ish-studentëve dhjetoristë duke i dhënë kuptim faktit se një nismë e tillë merr rëndësinë e duhur kur mbështetet nga e djathta.

Dy drafte paralele

Ndërkohë, dy drafte paralele presin për t’u shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Njëri është hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, që nuk është bërë ende publik se çfarë përmbajtjeje do të ketë, dhe tjetri nga Shoqata për të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Elsa Ballauri.

Por sa gjasa ka që nisma e shoqërisë civile të bjerë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Vetë Ballauri është shprehur se gjatë përmbajtjes së draftit janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe se ajo nuk do të bjerë ndesh me vendimet e marra nga Kushtetuesja.

Në vitin 2009, gjykata Kushtetuese rrëzoi zbatimin e ligjit të lustracionit të miratuar në dhjetor të vitit 2008, me argumentin se disa nene të saj ishin antikushtetuese. Ligji për pastërtinë e figurës u miratua nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2008, vetëm me votat e mazhorancës.

Asokohe në opozitë, të majtët refuzuan të votojnë për ligjin në fjalë, duke e cilësuar atë antikushtetues. Për këtë arsye, një grup deputetësh socialistë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit.

Kërkesa e tyre konsistoi në shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve, kërkesë kjo që u pranua nga të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas