Mapo Format

Dosjet e Tepelenës/ Dokumentet e Sigurimit që trazojnë ndjenjat e të dënuarve politikë

“Dosjet u duheshin hapur një herë atyre që i vranë njerëzit, atyre që masakruan fëmijët në Tepelenë, atyre që dënuan me gjyqe apo pa gjyqe. Nevojitej demaskimi publik i këtyre autorëve”.

Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka hapur në Tiranë ekspozitë në kujtim të të përndjekurve politikë të Tepelenës. Në ceremoni, kryetarja e këtij institucioni Genta Sula theksoi rëndësinë e dëshmive për zbardhjen e dënimeve të dhëna pa gjyq.



“Ka rezistuar ndaj totalitarizmit, i ka rezistuar dhunës, terrorit, të diktaturës komuniste. Kemi gjetur një prift si at Gjergj Suli, kemi gjetur një klerik bektashinj si baba Koshtani, një fizikan si Selaudin Toto. Tepelena ka nxjerrë personalitete të rezistencës, persona kompleks si Zenel Shehu. Ka goxha personalitete të rezistencës antikomuniste që janë me bollëk në Tepelenë, Tepelena nuk është kursyer. Na njohën me listat e të dënuarve pa gjyq, me listat e të vrarëve në kufi, të gjithë këto akte të rezistencës antikomuniste të cilat ne menduam t’i ndajmë për ju sot”,- tha Sula.

Ekspozita u hap dje në mjediset e Gardës së Republikës.

Trazimi i të përndjekurve

Në ekspozitë u shfaqën për herë të parë dhjetëra dosje e dokumente që provojnë përndjekjen e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit ndaj asaj krahine, ashtu si edhe në gjithë vendin. Uran Kostreci, një nga të dënuarit politikë më të vjetër, shprehu protestën e tij se si edhe sot komunistët shqiptarë propagandojnë shpifjet e tyre dhe mohojnë e fshehin krimet e diktaturës. “Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur” – tha zoti Kostreci.

“Këto veprimtari janë shumë të rëndësishme për të zbardhur të shkuarën, por janë shumë më të rëndësishme për të ardhmen. Kjo është një mënyrë që brezat e rinj, e që nuk dinë ngjarjet, të shohin të keqen, të distancohen nga ajo dhe të mos e lejojnë të përsëritet” – tha Nebil Çika, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.

Hapja e dosjeve

Uran Kostreci theksoi me dëshpërim se moshapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në afro 3 dekada e vonoi drejtësinë. “Dosjet u duheshin hapur një herë atyre që i vranë njerëzit, atyre që masakruan fëmijët në Tepelenë, atyre që dënuan me gjyqe apo pa gjyqe. Ne kemi qenë të burgosur e nuk kemi dhënë asnjë shenjë në 27 vjet se jemi hakmarrës.

Ky është ndryshimi mes nacionalistëve me komunistët. Por nevojitej një demaskim publik i këtyre autorëve, që të merrte vesh populli krimet e tyre” – tha zoti Kostreci. Përfaqësuesi i shoqatave të të përndjekurve politikë, Nebil Çika tha se propaganda e sotme e komunistëve po mundohet të fajësojë edhe tepelenasit si bashkautorë të krimeve të diktaturës, por kjo u provua me dokumente, që nuk është aspak e vërtetë. “Tepelena ka aq përgjegjësi për kampin aq sa matjanët për Burrelin, mirditorët për Spaçin.

Dokumentet e dala sot tregojnë se tepelenasit janë po aq të ndëshkuar gjatë diktaturës sa edhe gjithë krahinat e tjera” – tha zoti Çika. Ekspozita përmban dokumentet mbi përndjekjen e drejtuesve fetarë të krahinës, shkrimtarë dhe figura të tjera të njohura të krahinës si Trifon Xhagjika, Selahudin Toto, Zenel Shehu, Naim Pasha e dhjetëra të tjerë, që morën pjesë në kryengritjen e Zhapokikës, apo që vuajtën nga Sigurimi i shtetit në kampin e internimit të Bënçës./Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas