Kryesore, Politika

Dosja e ‘zezë’ e Fatmir Xhafës: Lidhjet e dyshimta dhe shkarkimi në vend…

Top Story dje në mbrëmje, duke iu referuar dokumentave dhe pamjeve ekskluzive, solli një profil të ish-ministrit të Brendshem, Fatmir Xhafaj, që nga periudha e komunizmit e deri më sot. Top Story ka zbuluar detaje të pathëna për të karrierën e Xhafajt, që nga koha kur ai ishte hetues.

Emisioni nisi me një video, ku Xhafaj shihet i lumtur dhe krenar në krah të Enver Hoxhës. Top Story solli edhe një tjetër pozim të Xhafajt në krah të Hekuran Isajit në qytetin e Krujës. Asokohe, Xhafaj i cili shfaqet i qeshur, kishte nisur një detyrë të rëndësishme në qytet, atë të hetuesit.



Valbona Duka Maloku është një nga viktimat e represionit të asaj kohe. Në memorien e saj, është e freskët dhuna e ushtruar në zyrë nga hetuesit e kohës, që për ironi ishte Fatmir Xhafaj. Historia nis me arrestimin e vëllait të Valbonës, në shtator të vitit 1985. Këtu nis edhe saga e vuajtjes së familjes Duka. “Kur vdiq Enver Hoxha në ’85-ën, ky me shokët kishin ngrit dolli gjoja se ka vdekur Enver Hoxha, kanë pirë raki. Dikush i spiunoi dhe e arrestuan, e dënuan 19 vite. Ditën që do martohej e arrestuan, më 22 shtator”, tha Duka.

Valbona rrëfen më tej, se hetuesi Fatmir Xhafaj, e ka dhunuar si dhe i ka kërkuar florinjtë e familjes, që as nuk ezkistonin. Një terror i tmerrshëm psikologjik dhe fizik. “Si në kohën e Enverit, edhe presion kishte. Ma ka bërë këtë krah Fatmir Xhafaj… duke më pickuar, kallëzo se ku i ke lënë florinjtë e kallëzo se ku do shkoje me vëllain”, tha Duka. Ajo akuzon se Xhafaj i mori gjithçka, madje edhe rrobat e trupit.

Por Xhafaj e kishte kuptuar se Partina Komuniste nuk kishte më të ardhme. Dhe ky ishte akti i parë i tradhtisë së Xhafajt. Ai kaloi tek Partia Socialiste.

Pas rrëmujave të ’97-ës, kur socialistët rikthehen në pushtet, Fatmir Xhafaj bën ngjitjen e parë të madhe në karrierë. Fatos Nano e thërret Xhafajn dhe e emëron Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, post që ai e mbajti deri në vitin 1999.

Gjatë kësaj kohe, Xhafaj i kthen shpatullat Nanos. Ai mendonte se lideri historik i Partisë Socialiste nuk kishte të ardhme. Dhe kjo ishte tradhëtia e dytë e Xhafajt ndaj njerëzve që e promovuan. Në këtë kohë, Fatmir Xhafaj krijon raportë të ngushta me kryeministrin Pandeli Majkon dhe numrin 2 të socialistëve, Gramoz Ruçi, pasi mendonte se këta do të rrëzonin Fatos Nanon nga pushteti. Lidhja e tij me Majkon e Ruçin fuqizohet dhe miqësia mes tyre zgjat sot e kësaj dite.

Kur pozitat e Xhafajt në Partinë Socialiste, duket se po fuqizoheshin falë miqësisë me Majkon dhe Ruçin, në krye të vendit ngjitet Ilir Meta. Ky i fundit i mbyll derën politike, duke e larguar nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillimit të Ministrave.

Fatos Nano, dhe pse Fatmir Xhafaj e tradhëtoi, si një politikan tolerant e rikthen sërish Xhafaj në Partinë Socialiste, duke e vendosur si deputët për qytetin e Pogradecit, në vitin 2001. Angazhimi në politikë, e ndihmoi Fatmir Xhafaj që të shtonte influencën në qytetin e Pogradecit. Pallati 10-katësh në lagjen “Rinia”, në qytetin e Pogradecit, godinë kjo më e larta në zonë, identifikohet fare thjeshtë si ‘pallati i Xhafës’.

Ky pallat është ndërtuar nga vëllai i bashkëshortes së Xhafajt, zoti Lytfi Berberi. Top Story për herë të parë publikon dokumentat zyratare të lejes së ndërtimit, për kunatin e Fatmir Xhafajt. Toka mbi të cilën është ndërtuar pallati ka qënë e bashkëshortes, Mimoza Xhafaj, por prej dekadash aty ishte ngritur një çerdhe. Pra, familja e Xhafajt duhej të kompensohej me një truall tjetër, e barazvlefshme me vlerën e kësaj ekzistueses.

Por për shkak të influencës së tij politike, Xhafaj e nxjerrë godinën ekzistuese nga lista e objekteve me interes publik dhe siguron lejen e ndërtimit për një pallat 10 katësh. Brenda natës çerdhja zhduket nga fadromat.

Në vitet 2004-2005, Fatmir Xhafaj ngjitet në një dikaster të rëndësishëm duke u bërë Ministër i Drejtësisë. Në këtë periudhë, nuk la ndonjë shenjë të madhe në këtë dikaster, veçse mbahet mend për 3 padi penale të bëra në ngarkim të tij, për shpërdorim detyre. Një nga këto padi, ishte edhe abuzimi me fondet për ndërtimin e një shkolle riedukimi në qytetin e Pogradecit. Prej 13 vitesh, do të duhej të ishte një burg funksional për të mitur, por punimet nuk u përfunduan kurrë.

Nga viti 2005 deri në vitin 2013, Rama i beson postin e nënkryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend. Gjithë këtë periudhë, ai është përpjekur të ruajë staturën e një “senatori” socialist.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, lufta për karrige dhe pozicione kyçe ishte e pamëshirshme. Fatmir Xhafaj nuk bëhet dot ministër, por ai merr kryesimin e Komisionit të Ligjeve. Në tetor të vitit 2013, Ministri i Brendshëm, Saimi Tahiri nis një aksion për mbylljen e lojërave të fatit, i pagëzuar me emrin “Fundi i Marrëzisë”. Pikërisht, ky aksion do të sillte edhe fundin e marrëdhënieve mes Tahirit dhe Fatmir Xhafajt.

Krisja brenda mazhorancës ishte e dukshme. Fatmir Xhafaj shfaqej i tensionuar në mbledhjet e Komisionit të Ligjeve, sa herë flitej për bixhozin.

“Disa prej salloneve kontrollohen prej Agron Xhafës nëpërmjet personave që kanë qenë të bashkëdënuar në Itali. Por, edhe nëpërmjet personave të tjerë të cilët i kontrakton Agron Xhafaj për t’i kryer shërbimet si ruajtjen fizike apo punëtorët të cilët punojnë nëpër këto etj. Prova më e fortë për këtë është përplasja e vetë vëllait të tij Fatmir Xhafaj, sjell në vëmendje të publikut, një përplasje që ka ndodhur me ish-drejtoreshën e lojrave të fatit”, tha për Top Story, Ervin Salianji.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, nuk ka asnjë kompani bastesh ku Geron Xhafaj figuron aksioner. Por emri i tij lidhet ngushtë me dy vëllezërit Gramos dhe Besnik Murataj, aksionerë të kompanisë se basteve ITSGA, e cila në treg del si Eccobet, Eurolive, Basti shqiptar.

Top Story dokumentoi edhe foton e Alban Qazimi, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt, i cili nuk është lakuar kurrë më parë në media. Ai është aksioner në kompaninë private të Përmbarimit T.M.A, së bashku me Tedi Malavecin. Ky i fundit është kryetar i Dhomës së Përmbaruesve ndërsa në vitin 2005 ka qënë Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror, kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Alban Qazimi ka marrë çertifikatën e përmbaruesit gjyqësor në vitin 2015 dhe provimi në Ministrinë e Drejtësisë administrohej pikërisht nga ortaku i tij Malaveci. Kompania e tyre T.M.A është krijuar në 24 Janar të 2013-ës vit në të cilin ka kryer gjithsej 10 transaksione nga institucionet publike me vlerë të përgjithshme 2.5 lekë të vjetra. Përfitimet nga kjo kompani nisin kryesisht pas muajit Shtator kur ndodh edhe rotacioni politik.

Brenda 1 viti, kompania e vëllait të Xhafajt, 10 fishon të ardhurat nga fondet publike, në 24 milione lekë. Dhe brenda 3 viteve, 2015-2018, i 70 fishon sërish përfitimet, duke kapur rreth 1.7 miliardë lekë të vjetra. Pra, nga hiçi në 2013, vëllai i Xhafajt bëhet miliarder. Këtu flasim vetëm për fondet publike, paratë e të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Por ‘fijet’ e errëta të Xhafajt vazhdojnë. Njohja mes Fatmir Xhafajt dhe Besos së Tajvanit, siç e njohin të gjithë është e hershme. Prej vitesh kanë qarkulluar zërat se Fatmir Xhafaj dhe Besnik Sulaj kanë qënë pronar të kompleksit të pishinave pranë Liqenit Artificial, Aquadrom. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Xhafaj nuk rezulton të ketë qënë aksioner, por fijet të çojnë tek ai. Një nga aksionerët e Aquadrom, Arjan Pelushi, ka në pronësi një firmë ndërtimi të quajtur Leaser Construksion. Kjo firmë ka ndërtuar pallatin e kunatit të Xhafës në Pogradec.

Por miqësia Xhafaj-Sulaj do të forcohej edhe më tepër pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në vitin 2013. Beso i Tajvanit do të përfitonte ARMO-n, sa me ndihmën e bankës së nivelit të dytë por edhe shkeljet e zyrës përmbarimore të Alban Qazimit, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt.

Emri i Besnik Sulajt, del sërish në skenë si personi që siguron lejen për ndërtimin e kompleksit të pallateve pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, në truallin e një lulishteje. Kjo është leja e ndërtimit e dhënë nga bashkia e Tiranës në 21 Shkurt 2017, me hapësirë 3197 m2, për kompaninë “Arlis-Ndërtim” SHPK, me pronar të vetëm Armand Lilon. Ky i fundit ka lidhje gjaku me bashkëshorten e Fatmir Xhafajt, Mimozës.

Vlen të theksohet fakti se leja e ndërtimit, është firmosur edhe nga dhëndrri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili mban postin e drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës.

E megjithatë, mbështetja nga Edi Rama për Fatmir Xhafajn duket se e kishte një kufi. Disa ditë pasi policia prangosi dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka, gjatë operacioneve ndaj 4 grupeve kriminale, krejt papritur kryeministri Edi Rama njofton në rrjetet sociale dorëheqjen e Xhafajt.

Tensioni u rrit më tej pas aksionit ndaj grupit të Avdylajve nga Shijaku. Njësoj si me Tahirin, edhe me kësaj here u shpërndan në media disa përgjime që implikonin Vangjush Dakon në pazare të votave me njërin prej pjestarëve të bandës së Avdylajve. Këto përgjime qëndronin prej më shumë se 1 viti në zyrën e Prokurorisë, por dolën pikërisht në momentin kur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama ishin intesifikuar. Dukej si një luftë e brendshme mes klanesh, mes Xhafajt dhe Tahirit.

Pikërisht për këtë arsye vjen largimi i papritur i Xhafajt si Ministër i Brendshëm. Ai i kishte dërguar kryeministrit Rama një letër dorëheqje pa asnjë motivacion. Këtë letër, Rama e ka përcjellë numri 2 i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Dy ditë para se Rama të njoftonte publikisht largimin e Xhafajt, zhvillohet një takim ku ishte i pranishëm edhe Ruçi. Top Story mëson nga burime konfidenciale se aty Xhafaj i ka shprehur pakënaqësi Ramës duke pretenduar se nuk ka pasur mbështetjen e duhur të qeverisë.

Në ato momente, Rama ka ngritur tonet duke e shkarkuar në vend dhe duke e nxjerrë nga zyra. Në këtë debat nuk ka mundur të ndërhyjë as Gramoz Ruçi, i cili thuhet se e kishte bërë ai Xhafajn Ministër të Brendshëm.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas