Kronika, Kryesore

Dosja/ Atentati i sajuar ndaj Tom Doshit, çfarë rrëfeu Durim Bami në takimin me Saimir Tahirin

Pas një ping-pongu në disa gjykata, Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot Pretencën për dy personazhe të njohur, politikanët Tom Doshi e Mark Frroku si edhe shtetasin Durim Bami të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë” dhe pritet të kalojnë 8 muaj pas hekurave.

Në dosje sqarohet qartë se, gjithë rrëfimi që i pandehuri Durim Bami ka bërë përpara ministrit të Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahirit ka qenë i sajuar dhe për këtë ka pasur dijeni edhe Tom Doshi.



Madje ky i fundit është munduar që edhe në rrëfimin para ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Bami të thoshte të njëjtat gjëra si në një video të regjistruar prej 37 minutash që vetë Doshi pati dorëzuar në Prokurori në atë kohë.

E gjithë ngjarja mësohet të jetë sajuar pas gushtit të vitit 2014, pas kthimit të Tom Doshit nga pushimet.

Në dosje sqarohet me detaje se edhe dy personazhe të përmendur prej tij Fationi e Rezarti, pronari i një lokali në ish-Bllok nuk kanë dijeni për sajesën, por se janë përmendur prej Durim Bamit që ta bënte sajesën më të besueshme.

PJESE NGA DOSJA:

“I pandehuri Tom Doshi, ka thënë se nga biseda me Durim Bamin ka mësuar se vrasja ishte porositur nga Ilir Meta, në atë kohë Kryetari i Kuvendit, nëpërmjet një personi të quajtur Fatjon Skënderi. Ky i fundit administronte një lokal me emirn “Viva” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Pretendohet gjithashtu se personi tjetër i përfshirë në këtë ngjarje është Rezart Skënderi (kushëriri i Fationit) i cili për periudhën në fjalë ka pasur detyrën të vëzhgonte lëvizjet e të pandehurit Tom Doshi nëpër ambientet që frekuentonte.

Sipas të pandehurit Tom Doshi, gjatë takimeve të mëpasshme që ka realizuar me të pandehurin Durim Bami, me ose pa praninë e të pandehurit Mark Frroku, Bami i ka thënë Doshit se gjatë muajit qershor 2014, në afërsi të makinës së tij të parkuar afër Gjykatës Kushtetuese në Tiranë këta persona kishin vendosur një motoçikletë (nga ato që përdoren për shpërndarjen e picave (brenda së cilës gjendej një sasi eksplozivi, që ishte parashikuar të shpërthehej në kohën kur i pandehuri Doshi do hypte në makinën e tij.

I pandehuri Durim Bami i kishte thënë po ashtu se ai nuk kishte pranuar të kryente shpërthimin, nga frika se mund të dëmtoheshin edhe persona të tjerë.

Në mbështetje të deklarimeve të tij Tom Doshi ka dorëzuar para prokurorisë një USB, e cila përmban një regjistrim audio dhe video prej 37 minutash, ku i pandehuri Durim Bami pohon para tij planin si vijon:
Ai kishte rënë dakord me Tomën se sajesën e orvatjes së vrasjes së tij do t’ja shpjegonte edhe minsitrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin rezulton se është takuar disa herë, edhe në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:
-Para ministrit ai ka pohuar të njëjtat rrethana që ka pohuar edhe deputeti Tom Doshi, të cilat janë edhe në filmimin e bërë, por edhe pse i është ofruar mbrojtje konform të gjitha rregullave në fuqi, nuk ka pranuar të iniciojë procedurë hetimore, pra të bëjë deklarim para shërbimeve të policisë gjyqësore, pasi sikundër shpjegon ai, ajo që ishte regjistruar mes Tomës e tij ishte thjesht një sajesë:
Ka qënë Toma ai që në një nga takimet i ka kërkuar të sajonin sikur ishte përgatitur një atentat kundra tij. Për këtë ata do të sajonin sikur ishte vënë një motor me eksploziv te një lokal që është mbrapa dy kullave ku rrinte Toma. Motori do të vihej afër makinës së Tomës dhe kur të dilte do të realizohej shpërthimi. Për këtë qëllim kanë përfshirë edhe kushëririn e Fationit që quhej Rezart. Motorin e kishin blerë të vjedhur në Paskuqan. Të gjitha këto sajesa do t’i tregoheshin Ministrit të Brendshëm dhe do t’i thuhej se shpërthimi nuk u bë pasi shoferi kishte lëvizur motorin që qëndronte shumë afër makinës së Tomës.

I pandehuri Durim Bami pohon gjithashtu se përsonat që ai ka përmendur Fationi dhe Rezarti nuk kanë asnjë diejeni për ngjarjen”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas