Editorial

Donald Lu ikën, interesat e Amerikës në Shqipëri dhe Ballkan mbeten

Nga Ervis Iljazaj

Në një prononcim ekskluzive për MAPO, zv.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë, Matthew Palmer, u shpreh se “Është planifikuar që Ambasadori Lu të largohet nga Shqipëria këtë verë. Për pyetje lidhur me emërimet presidenciale, ju referojmë në Shtëpinë e Bardhë. Përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri nuk ndryshojnë me ardhjen e një ambasadori të ri…”.



Donald Lu, ndoshta është Ambasadori Amerikan i cili ka ndikuar më shumë politikën shqiptare, jo vetëm me deklaratat e tij publike, por sidomos me insistimin e tij për Reformën në Drejtësi.

Është e qartë tashmë se, Reforma në Drejtësi është një interes amerikan. Ne kuptimin që, ka shumë projekte ekonomike dhe gjeopolitike të Amerikës, të cilat nuk mund t’ia lërë në dorë klasës politike shqiptare, që në sytë e tyre janë të pabesueshëm. Prandaj, duke njohur filozofinë e politikës së jashtme amerikane, interesat e saj i mbron me çdo mjet. Mjeti që ka zgjedhur në Shqipëri, është pikërisht nëpërmjet drejtësisë, duke siguruar që me anë të saj do të ndërtohet një klasë politike e pastër.

Kështu që, përtej çdo debati mbi misionin e Donald Lu në Shqipëri, interesat amerikanë në vendin tonë do vazhdojnë të mbeten, me ose pa të.

Prandaj, një pjesë e opinionit publik dhe opozitës, duhet t’i japë fund marrëzisë me akuza personale dhe kapje të lobimeve të ndryshme të Ambasadorit Amerikan Donald Lu në favor të një pale politike. Të ngresh akuza të tilla ndaj një ambasadori të shtetit më të fuqishëm në Botë, tregon në rastin më të mirë injorancë totale se si funksion politika e jashtme amerikane, dhe, në rastin më të keq, dëshpërim ndaj vullnetit të palëkundur që ka treguar Donald Lu për zbatimin e Reformës në Drejtësi, me të gjitha efektet që mund të ketë ajo në klasën politike shqiptare.

Sigurisht që, nga të gjithë ambasadorët amerikanë të shpërndarë nëpër Botë, mund të ketë edhe raste kur një ambasador ka zhvilluar një politikë personale dhe ka përfituar nga ajo, por kurrsesi një shtet si Amerika ku politika e jashtme zë një pjesë shumë të rëndësishme, nuk mund të lejojë devijime apo të tolerojë që një ambasador të mos realizojë interesat e shtetit të tyre, aq më tepër, kur ka në dispozicion për këtë arsye një sërë shërbimesh mbështetëse.

Kështu që, duan apo nuk duan politikanët shqiptarë, Reforma në Drejtësi, zbatimi i saj dhe lufta ndaj korrupsionit, që nënkupton hetim për të gjithë zyrtarët e lartë që kanë abuzuar dhe abuzojnë me pushtetin, nuk është aspak një mision personal i Donald Lu, por një mision i Shtetit Amerikan në Shqipëri dhe më gjerë.

Drejtësia është duke u përdorur si instrument diplomatik nga SHBA në të gjithë Rajonin e Ballkanit. Sepse kurrsesi interesat gjeopolitikë nuk mund t’ia lërë në dorë klasës politike ballkanike të korruptuar.

Prandaj, në radhë të parë, drejtësia e pavarur dhe lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është interes i vetë Shteteve të Bashkuara dhe në radhë të dytë, interes i qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë mungesën e drejtësisë për më shumë se 15 vite në kurrizin e tyre, apo arrogancën e pushtetit që i përplas në fytyrë pasurinë e tij pa i hyrë gjemb në këmbë.

Për këtë arsye, Donald Lu nuk rresht së thëni në publik se politika nuk e do Reformën në Drejtësi, duke u kthyer kështu në armikun kryesor të saj, por në mikun më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

 

PasPara

2 komente

  1. Përse duhet të luajmë naivin ?
    Ka mbi një vit që në SHBA ka ndeshje midis drejtësisë mbështetëse të Obamës e drejtësisë mbështetëse të Trump, ose më saktë e thënë midis modeleve sorosiane të drejtësisë dhe modelit të shtetit amerikan.
    Cilido shqiptar duhet ti bëjë pyetjen vetes, se pse ne shqiptarët në tërësi jemi populli më amerikandashës në Europë ?
    Veç historisë së vjetër që ka lidhje me krijimin e shtetit të parë të pamvarur shqiptar, shqiptarët gjatë kohës së diktaturës enveriste shihnin tek SHBA modelin e demokracisë antikomuniste.
    E përse duheshka të pershëndesin shqiptarët ambasadorin Lu, që ka mbështetur Fatmir Xhafën kur për të ka akoma denoncime nga ish të persekutuar politikë të kohës së diktaturës enveriste, e përse duheshka mbështetur ambasadori Lu, kur ai paska besimin se një ministër i mbrendshëm me vëllanë që i ka shpëtuar burgut për trafik droge, të luftojë si ministër mafien e drogës shqiptare ?

  2. donald lu po iken si nje i turperuar,i kapur nga agroni,e tahiri,balili e xhelili.i mbylli gojen krimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas