Kryesore, Mapo Format

Ditët e Studimeve Shqiptare në UET: Shtet apo treg; lufta për ofrimin e shërbimeve  

Ky edicion i pestë synon të bëjë bashkë studiuesit më të njohur ndërkombëtar me fokus në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor për të shqyrtuar çështjet më specifike me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni. Ditët e Studimeve Shqiptare 2018 do të fokusohen në rolin e shtetit në sigurimin e rregullimin e shërbimeve publike

Drita Kruja,  zv. rektore për kërkimin shkencor në UET, ka zbuluar  se kjo konferencë që do të zhvillohet në muajin maj synon të ngrejë debat, por edhe t’u përgjigjet pyetjeve  se kush janë aktorët më të besueshëm për ofrimin e shërbimeve, në një garë  mes shtetit dhe tregut si edhe roli i politikave publike në procesin e rregullimit apo ofrimit të shërbimeve cilësore



Për një qeverisje të mirë dhe efiçente në shërbim të qytetarit. Është kjo një nga temat e nxehta e të ndjeshme që prek jo vetëm opinionin publik dhe politikat, por edhe botën akademike e cila gjithnjë qëndron në vijën e parë për të ofruar studime e analiza me rezultate konkrete e praktike, të cilat më pas u vijnë në ndihmë politikbërësve dhe zhvillimit ekonomik e social.

Ditët e Studimeve Shqiptare në këtë edicion të pestë që mbahet në muajin maj, në Universitetin Europian të Tiranës, trajton pikërisht debatin e rolit të shtetit dhe raportit që ka me tregun.

“Kryefjala konferencës së këtij viti është debati mbi “Shteti dhe të mirat publike dhe shërbimet,  rregullator apo ofrues” – zbulon Drita Kruja,  zv. rektore për kërkimin shkencor në UET, duke shtuar se kjo konferencë synon të ngrejë debat, të reflektojë por edhe t’u përgjigjet disa çështjeve se kush janë aktorët më të besueshëm për ofrimin e shërbimeve në një garë që mbahet mes shtetit dhe tregut apo roli i politikave publike në procesin e rregullimit apo ofrimit të shërbimeve cilësore dhe si mund të garantohet një ekuilibër mes interesave privatë të ofruesve dhe standardeve të këtyre shërbimeve.

“Studimet, analizat, reformat e domosdoshme, politikat efiçente, eksperienca ndërkombëtare, etj., janë të mirëpritura të trajtohen e propozohen në këtë forum manifestim shkencor të rëndësishëm që do zhvillohet në UET në maj 2018” – përfundon  zv. rektorja Kruja. 

Për të ofruar eksperiencën ndërkombëtare në këtë konferencë pritet të marrin pjesë akademikë e kërkues shkencorë të huaj si Prof. Thomas Herzfeld, kreu i Institutit të Lajbnicit për Zhvillimin Agrikulturor në ekonomitë në tranzicion. Me një ekspertizë në ndryshimet institucionale, korrupsionin, analizat mikroekonometrike të familjeve rurale dhe konsumatorëve, analizat e politikave agrikulturore, etj., iu bashkua IAMO-së më 2011 si kreu i politikave të agrikulturës.

Një tjetër i ftuar është Prof. Eric Gordy nga UCL- Shkolla e Studimeve Sllavike dhe të Europës Lindore. Gordy është sociolog politik dhe kulturor, i përqendruar në Europën Juglindore, veçanërisht në shtetet e ish-Jugosllavisë.

Aktualisht është koordinator dhe kërkues kryesor për projektin kërkimor “Inform: Të mbyllësh hendeqet mes instituteve formale dhe joformale në Ballkan”, i financuar me 2.3 milionë euro nga programi i kërkimit Horizon 2020, i Komisionit Evropian. Me përfshirjen e një rrjeti prej 40 kërkuesish shkencorë në 9 shtete, projekti shqyrton kufizimet e reformës ligjore dhe strukturore, heton mënyra që kanë bllokuar njerëz, në përpjekje për t’u përballur me transformime të udhëzuara nga lart si në periudhat komuniste ashtu edhe ato neoliberale.

Në të gjithë këta projekte kërkimorë aktivë në rajonin e Europës Juglindore ka një theks të fortë në bashkëpunimin me studiues të rajonit për të përdorur dhe përmirësuar metodologjitë dhe për të lëvizur në nivele të larta të strukturave politike duke çuar në fushat e studimit një njohje të zgjeruar të kompleksitetit teorik. Eric bën përpjekje për t’i sjellë zbulimet e kërkimeve më pranë publikut, duke u shfaqur rregullisht dhe duke shkruar për mediat, si ato ndërkombëtare ashtu edhe ato të rajonit.

Nga Universiteti i Dublinit vjen Gëzim Visoka, As. Prof. për Studimet e Paqes dhe Konfliktit. Kërkimi i tij është i fokusuar në ndërtimin e paqes post-konflikt, ndërtimi ndërkombëtar i shtetit dhhe rindërtimi, qeverisja globale, politika e jashtme evropiane, drejtësia tranzitore dhe politikat e huaja të shteteve të vogla.

Dr. Visoka i ka botuar punimet e tij në Revista të Studimeve të Tregut të Përbashkët, Analiza e Politikës së Huaj, Mbajtja e Paqes Ndërkombëtare, Luftërat Civile, Revista e Ndërhyrjes dhe Ndërtimi i Shtetit, Ndërtimi i Paqes, politikat e Europës Lindore dhe Revista e Praktikës së të Drejtave të Njeriut.

Nga Universiteti i Bolonjës do të jetë e pranishme  në këtë konferencë Adriana Galvani nga Departamenti i Historisë dhe Kulturave DiSCi, fokusi kërkimor i së cilës bazohet te ekonomitë mjedisore, sociologjia e ekonomisë dhe ekonomitë zhvilluese.

DSSH, tradita që e vë fokusin te komuniteti shkencor

Ditët e Studimeve Shqiptare është një tërësi konferencash shkencore ndërkombëtare të ndërtuara me sistemin e ‘peer review’ për të debatuar sipas fushave të ndryshme në lidhje me problematikën e shoqërisë shqiptare, të ekonomisë, të institucioneve juridike, debateve historike, mediave, institucioneve politike, politikave publike apo të zhvillimit të edukimit dhe arsimit, impakteve në zhvillimin shqiptar dhe politikave publike.

Tashmë kjo ide e konceptuar dhe realizuar nga Universiteti Europian i Tiranës është kthyer në një traditë të mirë, duke numëruar kështu edicionin e saj të pestë , ku komuniteti i kërkuesve shkencor, akademikëve e studiuesve vendas e të huaj mblidhet për të diskutuar dhe ofruar alternativa mbi tema të prekshme të realitetit  shqiptar, ku vlen të përmendim tema si “Rimodelimi i reformave për një model të ri të rritjes ekonomike” ku duke shqyrtuar si rast studimi Shqipërinë, studiuesit theksuan nevojën e mendimit shkencor në zhvillimin ekonomik. Apo konferenca e vitit 2015 me fokus transformimin e madh të vendit në 25 vjet tranzicion dhe demokratizim. 

Universiteti Europian i Tiranës ka krijuar një përvojë të çmuar në kërkimin shkencor, në hapjen dhe mbajtjen gjallë të debatit në Shqipëri në lidhje me ato tema, subjekte e realitete që kanë nevojë të shqyrtohen dhe studiohen shkencërisht në interes të shoqërisë dhe të publikut.

Aktivitete të tilla ndihmojnë në kuptimin e asaj çka është bërë mirë dhe çfarë nuk ka ecur si duhet, për të parë pengesat që vë përballë aktualiteti dhe propozimet në të ardhmen që do të shkojnë në ndërtimin e një ekonomia të qëndrueshme e ku politika e demokracia të kenë funksion real e efiçent në zhvillimin dhe integrimin e vendit.

Ky aktivitet i rëndësishëm sa i përket kërkimit shkencor dhe komuniteti i përfshirë në të nga kërkuesit, pedagogët deri te doktorantët vendas e të huaj të ofrojë në fund konkluzione dhe receta në favor të zhvillimit ekonomik e social të Shqipërisë në dekadat e ardhshme.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas